Brigitte Bardot, një nga figurat më ikonike të kinemasë franceze dhe një nga zërat më të fortë në mbrojtje të kafshëve, u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një mesazh që përmbledh gjithë betejën e saj jetësore. Vetëm një ditë para vdekjes, Bardot zgjodhi t’i drejtohej publikut jo për veten, por për ata që mbrojti deri në frymën e fundit: kafshët e braktisura.
Në postimin e saj të fundit në Instagram, të shpërndarë nga Fondacioni Brigitte Bardot, aktorja bëri apel për adoptimin e një qeni të quajtur Urphé, i cili vuante nga artriti i përgjithshëm dhe kishte kaluar gjithë jetën në strehë. Në video, Bardot shihej duke e përkëdhelur qenin me butësi, ndërsa e përshkruante atë si “një qen i ëmbël, i dashur dhe shumë i përkushtuar ndaj njerëzve”.
“Ai ka nevojë të përjetojë jetën, pasi ka njohur vetëm strehimin,” shprehej Bardot, në një mesazh që sot tingëllon si një amanet emocional për të gjithë ndjekësit e saj.
Vetëm dy ditë më herët, ajo kishte publikuar edhe një foto tjetër, ku shfaqej duke puthur një qen, si pjesë e urimeve për Krishtlindje — një gjest i thjeshtë, por domethënës, që reflektonte dashurinë e saj të pakushtëzuar për kafshët.
Brigitte Bardot themeloi fondacionin që mban emrin e saj në vitin 1986 dhe që prej asaj kohe, aktivizmi i saj nuk u ndal kurrë. Që nga vitet ’60, ajo u shndërrua në një zë të fuqishëm kundër mizorive ndaj kafshëve, duke udhëtuar deri në Arktik për të mbrojtur fokën dhe duke i bërë thirrje vazhdimisht publikut të zgjedhë adoptimin në vend të blerjes së kafshëve.
Pas ndarjes së saj nga jeta, Fondacioni Brigitte Bardot publikoi një njoftim prekës, ku thuhej:
“Bardot sakrifikoi gjithçka për të krijuar një botë më të mirë për kafshët. Trashëgimia e saj do të jetojë përmes veprimeve dhe fushatave që ne vijojmë të ndjekim.”
Brigitte Bardot nuk do të kujtohet vetëm si një ikonë e bukurisë dhe kinemasë, por si një grua që e ktheu famën e saj në një mision. Mesazhi i saj i fundit ishte i qartë dhe i fuqishëm: dashuria nuk blihet, ajo adoptohet.








