Një seri mesazhesh private, të publikuara së fundmi në kuadër të një beteje ligjore që ka tronditur median britanike, po rikthejnë në fokus një kapitull të panjohur të jetës së Princit Harry. Bëhet fjalë për komunikime me tone flirtuese mes Dukës së Sussex dhe gazetares Charlotte Griffiths, të cilat sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, hedhin dritë mbi një marrëdhënie më të afërt sesa ishte pranuar publikisht.
Në një prej mesazheve që ka bërë më shumë bujë, Harry shkruan: “…do të jem sërish me hangover për të tretën ditë radhazi! Ke humbur një festë të mirë mbrëmë. Mwah xxx”.
Në një nga mesazhet e tij të para, Harry shkroi: “Jam H, në rast se u ngatërrove nga emri dhe fotoja!!! X”, duke bërë që Griffiths t’i përgjigjej: “Përshëndetje zoti Mischief… çfarë fundjave argëtuese plot prapësi”.
Griffiths shtoi: “A nuk mund të bëjmë të gjithë ndonjë çapkënllëk në fshat çdo fundjavë… puthje”, ndërsa Harry iu përgjigj: “Çfarë grupi. Nuk kam qeshur kurrë kaq shumë në 24 orë!! Sigurisht që nuk kam qenë më keq se të tjerët!!”.
Në shkëmbimet e mëvonshme, Harry u duk edhe më lozonjar, duke shkruar: “Më mungojnë përqafimet tona gjatë filmave!!” dhe “Do të doja të isha aty… do të isha aty duke u argëtuar dhe pastaj do të të mundja në pije, sigurisht!!”. Ai gjithashtu iu drejtua me “e ëmbla ime” dhe i mbyllte mesazhet me “mwah” dhe shumë puthje.
Sipas dëshmisë së Griffiths, kontakti mes tyre daton që në vitin 2011, fillimisht përmes Facebook-ut, për të vijuar me takime dhe shkëmbime të vazhdueshme mesazhesh edhe gjatë vitit 2012. Mesazhet, që përfshijnë nota personale dhe intime, janë bërë pjesë e një padie më të gjerë kundër “Associated Newspapers Limited”, ku Harry akuzon për ndërhyrje të paligjshme në komunikimet private, akuza që kompania i ka mohuar kategorikisht.
Ndërkohë, vetë Princi Harry ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm, duke këmbëngulur se marrëdhënia kishte qenë e kufizuar dhe se kontaktet ishin ndërprerë sapo kishte mësuar profesionin e saj. Por publikimi i këtyre mesazheve duket se tregon një histori më komplekse, një përzierje mes afërsisë personale dhe tensioneve ligjore, që sot po ekspozohet para publikut global.







