Ha!
Besoj se tani e kam vëmendjen e plotë tuajën sepse tituj negative si ky janë shitësi kryesor i një artikulli, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të rëndësishme për një artist.
Mirëpo, një mënyrë efektive për të tërhequr vëmendjen tuaj në ditën e parafundit të vitit, ashtu sikurse Yll Limani arriti të tërheqë vëmendjen e rreth 8 mijë personave në AMC Hall në Prishtinë dhe qindra mijë të tjerëve, të cilët kanë para video të postuar online, shumë prej tyre viralë në TikTok dhe Instagram.
Një koncert recital në 27 dhjetor, në pamje të parë nuk dukej si një vendim i mirëmenduar duke marrë parasysh që vëmendja e audiencës në javën e fundit të vitit është kudo, përvec argëtimit. Mirëpo, ky mendim i imi ishte gabim. Jo vetëm që nata e parë u bë sold out, por ashtu edhe nata e dytë pasardhëse.
Në të dyja netët, për warm up-in apo nxemjen para koncertit u kujdes Florent Abrashi. Zakonisht, nxemjet e bëra qoftë nga dj të ndryshëm apo edhe nga artistë, emra të njohur për publikun, kanë tendencën të mos e trajtojnë spotin e tyre si mënyrë për të “ngrohur” audiencën dhe për ta përgatitur për ç’ka do të vijojë më vonë (gjë për të cilët janë aty!), por rrëshkasin në grackën e vëmendjen dhe sillen si the main act – por ky nuk ishte rasti i Florentit, një emër, të cilin e kisha dëgjuar ndoshta vetëm 1 herë. Për 30 minuta, ai dhe banda e tij mbajtën të interesuar audiencën me një repertor që varionte nga folklori shqiptar e deri te Armend Rexhepagiqi e Elita 5.
Koncerti të dyja netët nisi në 21:45, me 30 minuta zhvendosje nga orari i lajmëruar, por kjo ishte asgjë për një audiencë që ishte përgatitur të këndonte një zëri për 1 orë e 30 minuta sikur të ishte dita dhe mundësia e tyre e fundit në Tokë.
Yllit do t’i duhej vetëm një band me elementë të orkestrës dhe dritat për t’i dhuruar 8 mijë vetave koncertin e tij më të rëndësishëm të jetës. E pikërisht “Dritat” do të ishte kënga hapëse e koncertit, e shoqëruar me një intro të konceptuar dhe “sjellë në jetë” nga producenti Fatjon Miftaraj, përgjëgjës jo vetëm për këngët dhe hitet e Yllit e shumë të tjerëve, por edhe për orkestrimin, riorkestrimin e produksionin muzikor të koncerteve të tjera si Alpha I, Alpha II etj.
Koncerti do të niste gëzueshëm, sikundër stigmës që Limani ka, si një këngëtar baladash apo këngësh vuajtëse.
“Për kon je zbukuru”, “Buzët e kuqe”, “Merri krejt”, “Alkool”, “Prej se jena nda” dhe “Marre” do të shkrinin të parat akullin në një Prishtinë që sapo kishte parë borën e parë të vitit. Më pas “Me jetu”, “Malet”, “Lart mbi yje” dhe “Shiu” do të zbusnin tonet si për ta përgatitur publikun për aktin që do të “godiste” ata më shumë.
Highlight i të dyja netëve ishte dueti i Yllit me të atin, Mufail Limani, pjesëtar i grupit të mirënjohur Minatori.
Baba e bir, i pari në kitarë e i dyti në stativin e mikrofonit do t’i jepnin një publiku me të rinj e të reja, me prindër e me gjyshër, me politikanë si kryeministri Albin Kurti, me figura mediatike si Ledion Liço&Sara Hoxha e Arbana Osmani e me emra të rëndësishëm të biznesnit në Kosovë e Shqipëri, performancën më të sinqertë e më të ndjerë të natës.
Një nate, që menjëherë pasi Ylli përcjell të atin, pason me “Nuk po ec”, “Qaj”, “Eja”, “Dje”, “A don hala”, “Kanë me te kujtu”, “Lshoja zanin”, një akt i mbushur me balada kryesisht të reja në repertorin e Limanit, por ky një fakt tërësisht i parëndësishëm kur dëgjoje të gjithë sallën e tejmbushur të AMC Hall ta shoqëronte bandën edhe në orkestrale.
“Jom ka du me tpa” dhe “Malli” do të pasonin baladat prekëse, dy hite komerçiale në bashkëpunim me Dafina Zeqirin dhe Dhurata Dorën, të cilat në të dyja netët fatkeqësisht nuk u panë prezente për të suportuar mikun e tyre, kjo për shkak të angazhimeve në koncerte jashtë vendit…
“Gënjeshtare”, “Harrom/Najher”, “Mos harro”, “U kry/9”, “Kaje” dhe “Injoro” do të ishin akti final i mbrëmjeve, dy mbrëmje që tashmë kanë fortifikuar karrierën e një artisti të ri në moshë por me një repertor të pamoshë.
Shumë prej artistëve mbështëten në produksione që mund të kapin vlera deri në 300 mijë euro e madje disa edhe më shumë se aq, për ta pasur më të lehtë për të mbajtur mbërthyer një audiencë, vëmendja e të cilës shpërqëndrohet më lehtë se ajo e një fëmije.
Ylli kishtë zgjedhur ta ndante skenën vetëm me banden dhe orkestrën, me mikun e tij dhe bashkëpuntorin që nga dita e parë, Fatjon Miftari, me të atin dhe me krahun e tij të djathtë, Bonart Ajvazi, me të cilin kanë krijuar edhe një “shtëpi” autentike në tregun shqiptar e që në industrinë ndërkombëtare mund t’i gjejmë simotra që quhen “label”-a.
Pa një fushatë të mirëfilltë PR-i, ku e vetmja intervistë ishte ajo me Arbana Osmanin në “Mirëmbrëma Yje”, vetëm 1 ditë para koncertit të parë, pa një listë që nuk mbaron kurrë artistësh të ftuar për të performuar, Yll Limani arriti që në këtë fundvit ky koncert të jetë më i “shijshëm” se gjeli i Vitit të Ri.
Për 90 minuta publiku do të ishte vokal shoqërues i këngëtarit në çdo minutë, edhe pse shumë këngë të dashura nga publiku online dhe jo vetëm munguan. “Vonë”, “Tuat”, “Sonte”, “Diskoteka”, “Nal nal”, “Hapa”, “Yalla”, “Kriminele”, “Tonat”, “E di”, “Pate”, “Krejt t’i fala”, “Ty” e të tjera nuk ia dolën të ishin në setlistë, ashtu sikurse bashkëpuntorët e Yllit nuk ia dolën të ishin në sallë, siç edhe publiku ka sjellë në vëmendje në komente të rrjetet sociale. Noizy ishte emri i vetëm, i cili u pa në AMC Hall në të dyja netët për të mbështetur kolegun e tij, por kjo është një temë për të cilën do të flasim herë tjetër… ne ose do të flasin ata vetë! (Haha!)
Gjithmonë kam nënvijëzuar faktin që koncertet e artistëve shqiptarë në salla dinjitoze apo në arena/stadiume janë lajm i mirë për artin dhe kulturën në një mjedis kaotik, dhe do ta bëj dhe këtë herë.
Ashtu sikurse Yll Limani shërben si frymëzim për një brez të ri artistësh për të gjetur një të mesme të artë mes komerçializmit dhe artit që ata duan të bëjnë, le të shërbejë dhe ky koncert për të njejtin qëllim. Ashtu sikurse shërben si një mbyllje dinjitoze e një kapitulli dhe hapja e një tjetër kapitulli në karrierën e artistit.
Nëse do ta bëja me të thjeshtë, do thoja që ky koncert ishte (përveçse një terapi në grup dhe trauma dump, sigurisht) një fjali që nis, zhvillohet, nuk ndërpritet, nuk ka retiçencë dhe mbyllet me një shenjë pikësimi. Një shenjë që në fund gjithsecili e nënkupton sipas optikës së tij.
Përfundimi? Prindërit nuk mund të zgjidhnin për Yllin një emër më të përshtatshëm.
Nga Andi Vrapi