Një hetim është hapur për vdekjen e aktorit të njohur Gene Hackman dhe gruas së tij, Betsy Arakawa, të cilët u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre në New Mexico. Trupat e tyre, së bashku me atë të njërit prej qenve të tyre, ishin në gjendje të avancuar dekompozimi.
Fillimisht, dyshohej për helmim nga monoksidi i karbonit, por hetuesit gjetën pranë trupit të Arakawa disa pilula me recetë, duke e shtyrë hetimin në një drejtim tjetër. Vajza e aktorit megjithatë beson se shkaku ishte monoksidi i karbonit.
Sipas raportimeve nga TMZ dhe Variety, Hackman, 95 vjeç, u gjet i veshur në një dhomë tjetër, ndërsa Arakawa, 63 vjeç, ndodhej në dyshemenë e një banjoje pranë një ngrohëseje të rrëzuar. Hetuesit besojnë se ajo mund të ketë pësuar një aksident fatal, ndërsa Hackman mund të ketë pasur një rrëzim të papritur.

“Nuk kemi prova për dhunë apo vetëvrasje,” deklaroi sherifi Adan Mendoza, duke konfirmuar se tre qen ndodheshin në shtëpi në momentin e hetimit, njëri prej të cilëve u gjet i ngordhur.
Çifti jetonte në New Mexico që nga viti 2004, kur Hackman u tërhoq nga Hollywood, ndërsa martesa e tyre datonte që nga viti 1991. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.








