Moderatorja Luana Vjollca ka një zakon që nuk kalon pa u vënë re nga ndjekësit e saj në Instagram: herë pas here ajo i pyet ata se cilin nga programet televizive që ka moderuar do donin të rikthehej.
Së fundmi, Luana publikoi disa foto nga “Ferma VIP 2” dhe i shoqëroi me një pyetje të thjeshtë: “Pa më thoni pak, cilin program doni?” Komentet nuk vonuan dhe shumica e ndjekësve shprehën dëshirën për rikthimin e dy emisioneve të saj më të njohura, “ZemërLuana” dhe “Shiko Kush Luan”.
Të dyja formatet kanë të njëjtin koncept: dy grupe me personazhe të njohur konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe në fund shpallet një fitues. “ZemërLuana”, emisioni që Luana ka moderuar më së fundmi para dy vitesh, duket se nuk është harruar as nga publiku, as nga vetë moderatorja, e cila ka treguar mbështetjen e saj për rikthimin e tij duke pëlqyer komentet e ndjekësve.
Tani mbetet të shihet nëse dëshira e përbashkët e ndjekësve dhe moderatorës do të realizohet dhe një nga formatet e saj më të njohura do të rikthehet në ekran.








