Nga Revista Who / Fotot: Pirro Beati / Hair & Make Up: Lili Ismaili
Me shikim të parë Cindy Marina mund të përshkruhet vetëm me dy fjalë: shumë e gjatë dhe shumë e bukur. Nëse nuk do të kishte kurorë Miss-i, do të duhej t’ja vinim urgjentisht. Sepse dhe në shikim të dytë, kur ulesh dhe flet me të, e kupton që duket si e dalë nga “Miss USA”, buzëqeshje perfekte, shumë e edukuar dhe me një barrë angazhimesh, jo dhe aq për paqen në botë sesa punë të mira bamirësie në vendin e saj të origjinës, Shqipërinë dhe shumë e shumë plane të bukura që lidhen me botën e spektakleve. E lindur në Amerikë jeta e saj duket si e dalë nga një film i bukur, edhe pse vetë Cindy është aq e thjeshtë sa asnjë nga vajzat e ekranit shqiptar. Meritë sigurisht e prindërve, për të cilët ajo flet me adhurim, dhe sigurisht e botës ku ka jetuar deri tani. Një figurë aq pozitive sa ndoshta do të gjejë vend shumë shpejt në ekranet shqiptare. Ajo sapo ka hedhur hapat e para aty, me prezantimin e “Miss Universe”, ku është rikthyer si e zonja e skenës, dy vjet pas kurorëzimit. Dhe ka shumë ëndrra dhe plane që synon t’i prekë dalëngadalë. Eshtë vetëm 22 vjeç dhe ka gjithë kohën për t’i vënë në jetë, dhe buzeqeshjen dhe sjelljen perfekte për t’ia dalë mbanë.
Si shkoi prezantimi i Miss Universe Albania? A e shijove dhe vetë?
Ishte hera e parë që ngjitesha ne një skenë si moderatore e prezantuese dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Sa herë që jam në skenë kam emocione sepse është shumë drithëruese dhe kjo ndjesi më emocionon akoma dhe më shumë. Kësaj radhe për mua ishte një sfidë e re dhe mendoj se shkoi shumë mirë, ia dola mbanë dhe e shijova në çdo çast. Përfundimisht them se në të ardhmen mendoj që do kem më shumë përvoja të tilla.
A pati ndonjë moment kur t’u kujtua vetja si konkurrente?
Po, patjetër. Përpara natës finale pata mundësinë t’i takoja vajzat në prova dhe munda të flisja me shumë prej tyre. Sa herë që i pyesja se si ndiheshin dhe çfarë përjetonin, më kujtohej vetja ime fiks dy vite më parë. Të qenit konkurrente ishte një sfidë e mrekullueshme, ndërsa tani po qëndroja në anën tjetër. Kështu që mund të kridhesha në kujtime dhe ta shijoja edhe më shumë këtë eksperiencë.
Çfarë të mirash të ka sjellë ajo kurorë? Bashkëpunime jashtë Shqipërisë?
Sigurisht, kur fiton titullin dhe kurorën jeta të ndryshon së tepërmi. Deri ne atë ditë gjithë bota ime ishte vetëm sporti. Kur fitova kurorën përpara syve m’u hap një botë e re dhe shumë mundësi të reja po ashtu. Pikë së pari ke më shumë përgjegjësi, sepse njerëzit të shohin dhe bëhesh e njohur. Unë dhe përpara se të kurorëzohesha gjithmonë kam dashur të lë njëfarë gjurme në Shqipëri, sipas mënyrës sime, por me anë të këtij konkursi dhe “famës” së tij, tashmë po më jepej mundësia ta bëja në një shkallë më të gjerë. Themelova një organizatë jo fitimprurëse me anë të të cilës do të mund t’i kushtohesha bamirësisë në Shqipëri, për të ndikuar sa më shumë në jetët e njerëzve. Për shembull pata mundësinë të ndihmoja shumë familje pas tërmetit pasi mblodha fonde me anë të shoqatës dhe i përdora për t’u blerë ushqime e ilaçe, madje disa që kishin vërtetë shumë nevojë i ndihmova dhe në riparimin e shtëpive. Kjo është diçka që e vazhdova dhe do e vazhdoj edhe pse viti im si Miss Universe Albania 2019 mbaroi. “Kurora” zgjat vetëm një vit, por titulli “Miss” të ndjek gjithë jetën dhe jam shumë krenare për këtë.
Veshja: Delirium Shop Albania
Dhe të hap dyert dhe në fushën e modelingut, apo jo?!
Po, kurora me hapi shumë mundësi dhe më lejoi të takoja disa njerëz të mrekullueshëm të botës së artit dhe modës. Një nga më të njohurit, që do të ketë gjithmonë vend në zemrën time është Fadil Berisha. E takova për të parën herë Fadilin pasi fitova Miss Universe Albania dhe menjëherë u bëmë miq të mirë, ai u kthye në mentor. Kemi punuar disa herë bashkë dhe “shooting” e fundit e kemi bërë në Miami, Florida, për kopertinën e një reviste të rëndësishme mode në Los Angeles. Unë vetë sa herë kam ndonjë projekt të madh, dua të kem një ekip me sa më shumë shqiptarë që të jetë e mundur dhe isha me shumë fat që në këtë kopertinë punova me 5 shqiptarë shumë të talentuar të fushave të ndryshme.
Cindy Marina ngjan pak si emër arti, apo jo?
Nuk e kam menduar ndonjeherë, për mua është thjeshtë emri im (qesh)… por e kuptoj se njerëzve mund t‘u ngjajë kështu. Gjithmonë më vjen nga pak për të qeshur sepse emrin im është “Cindy” dhe jo “Sindi”, edhe pse shqiptohet kështu, por kur jam në Shqipëri ose në rrjetet sociale njerëzit më shkruajnë dhe e ndryshojnë atë në “Sindi” (qesh). Nuk mendoj se emrat kanë ndonjë rëndësi të madhe dhe mund të them se e dua emrin tim. Ma vunë këtë emër sipas Cindy Crawford sepse veç bukurisë së saj admironin se sa inteligjente, me klas dhe se sa grua e jashtëzakonshme në biznes ishte ajo.
Duke të vënë emrin e nje supermodeleje, në njëfarë mënyre mami sikur të parashikoi dhe fatin apo jo?
Po, kështu i bie! Mamatë i dinë më mirë këto punë (qesh)! Unë vetë ndihem me fat që të kem të njëjtin emër me një ikonë si Cindy Crawford dhe shpresoj që emri i saj do të sjellë fat për të ndjekur rrugën e saj. Dhe atëherë përfundimisht do i them një “Faleminderit” të madhe mamit (qesh)!
Veshja: Baqa Albania
E mendon veten si modele për një kohë të gjatë?
E dashuroj botën e modës dhe të artit. Më ka tërhequr gjihmonë, qëkur kam qenë fëmijë dhe tani që jam brenda saj jam edhe më shumë e dashuruar me të. Si modele ke mundësinë të punosh me artistët më të talentuar në botë dhe kjo është ajo pjesë e punës që e dua më tepër. Mund të takosh njerëz me kreativitet të jashtëzakonshëm dhe të qenit në set fotografish të bën të përjetosh ndjesi të rralla, sepse aty krijohet një farë magjie. Më pëlqen modelingu dhe e shoh veten duke punuar si modele për një kohë të gjatë, por shoh dhe një të ardhme përtej thjesht modelingut.
Ndaj dhe shkollimi nuk ka lidhje me spektaklin, apo jo?
Sapo jam diplomuar në një nga unversitetet më të mira të shteteve të Bashkuara, në Karolinën e Jugut ku kam luajtur dhe volejboll dhe mora diplomën për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe me fokus në Global Business. Gjithashtu në vitin e parë kam ndjekur një nga 5 shkollat më të mira, që quhet Duke University. Shkollimi ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për mua dhe jam me shumë fat që kam pasur mundësinë që të studioj në këto dy Universitete. Do të doja të vazhdoja gjithashtu dhe studimet Master, por për momentin do bëj një pushim nga studimet dhe do hedh hapat e para të karrierës. Më tej do të plotësoj studimet master.
E di që 22 vjeç quhesh ende shumë e re për të vendosur për të ardhmen, po si e ke ëndërruar ti kur ishe më e vogël? Çfarë mendon ndryshe tani?
Gjithmonë e kam përfytyruar veten si një grua të suksesshme në biznes. Ëndrra ime ka qenë që të krijoj diçka timen, diçka që e kam pasion. Jam rritur duke parë prindërit të krijonin suksesin e tyre në Amerikë, ku kishin mbërritur me fare pak gjëra dhe ata kanë qenë gjithmonë frymëzimi më i madh. Çdo hap që kam hedhur deri tani më ka çuar në aventurën e rradhës, që të ndryshon jetën. Një diçka që më karakterizon është që unë nuk them kurrë “jo” menjëherë. Jam e hapur për përvoja të reja dhe gjithmonë me dëshirën për të provuar, sepse në këtë mënyrë mund të rritem. Beso se kjo mënyrë të menduari më ka bërë të jem kjo që jam dhe në të ardhmen do të më ndihmojë edhe më për të përmbushur të gjithë ëndrrat.
Prindërit mbështesin çdo zgjedhje tënden? Me kë je e lidhur më shumë? Po vëllezërit?
Po, patjetër, jam me fat që kam ata prindër që për mua nuk janë vetëm prindër, por dhe shokët e mi më të mirë. Me ta mund të flas për gjithçka dhe ata më japin këshillat më të mira, sepse normalisht më duan të mirën. Më kanë mbështetur për çdo pasion qëkur kam qenë vajzë e vogël. Kur nisa volejbollin, nuk mbaj mend që im atë të ketë humbur ndonjë stërvitje. Më kanë mbështetur dhe udhëhequr në çdo vendim dhe duan thjesht që unë të jem e lumtur dhe të ndjek të gjitha ëndrrat e mia. Ndaj them që jam me fat që i kam, po ashtu edhe vëllezërit janë super mbështetës. Kanë ardhur në çdo ndeshje volejbolli dhe sigurisht më mbështetën po ashtu në Miss Universe. Ishte kaq e veçantë të hidhje sytë në turmë dhe të shihje aty gjithë famijen. Me të dy vëllezërit kam një lidhje të veçantë dhe gjithmonë u kërkoj këshilla, sepse e di që do më tregojnë gjithmonë rrugën e drejtë.
Veshja: Coin Tirana
Me çfarë e kalon më së shumti kohën e lirë?
Të jem e sinqertë, kur isha në shkollë nuk kisha dhe aq shumë kohë të lirë sepse stërvitesha për volejboll gjashtë orë në ditë dhe mësimi zgjaste deri vonë. Gjatë pandemisë ishte një bekim të ikja nga shkolla dhe ta kaloja gjthë kohën me famljen. Kisha jetuar 4 vjet vetëm në Los Angeles dhe nuk kisha pasur mundësi të shkoja shpesh tek ata dhe mu duk e mrekullueshme të kaloja kohë me familjen. Gjithashtu u bëra hallë dhe ishte kaq bukur që isha aty kur lindi nipi. Kur kam kohë të lirë, më pëlqen të rri me miq. Miqësitë i kam shumë të rëndësishme dhe i gëzohem çdo minuti që kaloj me ta. Ndër të tjera më pëlqen edhe të stërvitem, të bëj sporte, por gjithashtu më pëlqejnë edhe artet dhe kur jam e frymëzuar më pëlqen të vizatoj dhe pikturoj.
A do të mund të rrije përshembull 24 orë pa Internet?
Po patjetër. Në fakt gjatë vitit të fundit kam zbuluar që po kaloj gjithmonë e më pak kohë në telefon dhe mediat sociale. Mediat sociale janë të jashtëzakoshme, dhe sjellin kaq shumë përfitime, por mendoj që ia vlen të marrësh nga pak pushim dhe të kalosh pak kohë pa qenë gjithë kohës me telefon në dorë, sidomos kur je me familjen apo miqtë.
Në jetën e përditshme sa e ndjek modën? A ke veshje nga të cilat nuk do të doje të ndahesh kurrë?
E ndjek shumë, vetëm ngaqë më pëlqen të shoh ç’të reja ka apo çfarë trendi i ri po qarkullon. Ndjek shumë adresa mode në rrjetet sociale dhe disa modele të cilave ua dua shumë stilin. Ndërsa sa i takon veshjeve nuk kam diçka të caktuar në mendje, por do të thoja një palë xhinse të zeza sepse nuk dalin kurrë nga moda dhe i stilon me çdo gjë.
Veshja: Coin Tirana / Aksesorët: Swarovski
Kaq e hollë je vetëm për shkak të geneve dhe sportit, apo je e fiksuar dhe pas zgjedhjes së ushqimit?
Jo, janë thjesht genet. Ime më kur ishte në moshën time kishte pothuajse të njëjtin trup që kam dhe unë tani, ndaj mendoj se i ngjaj asaj. Sigurisht që në fizikun tim ndikon edhe volejbolli, sepse ka formuar muskuj dhe i ka gdhendur linjat trupit pak më shumë. Nuk jam hiç e fiksuar pas ushqimit dhe atyre që ha. Jam me fat që nuk duhet të monitoroj ushqimin dhe që zakonisht ha çdo gjë që dua. Sigurisht që kur bëja rregullisht stërvitje haja edhe më shumë sepse më duhej të ushqeja trupin dhe muskujt, por asnjëherë nuk më është dashur të ndjek ndonjë dietë apo ndonjë gjë të ngjashme.
Volejbollin e do më shumë sesa modelingun?
Të gjithë më pyesin për këtë dhe ëshë e vështirë të përgjigjem. Sigurisht që volejbolli do të ketë gjithmonë një vend të rëndësishëm në zemrën time sepse jam rritur duke luajtur volejboll dhe kam kujtime të jashtëzakonshme prej tij. Do e konsideroj veten time gjthmonë sportiste edhe kur të mos luaj më, sepse sporti më ka vendosur konturet e jetës dhe më ka bërë sot kjo që jam. E kam shumë të vështirë t’i krahasoj sepse janë vërtetë dy botë të ndryshme por mund të them që çdo mësim që më ka dhënë volejbolli më ka ndihmuar edhe në aspektet e tjera të jetës, si në Miss Unverse ashtu dhe në modeling dhe në çdo gjë që më ka ineresuar. Sporti të mëson parime shumë të rëndësishme, si përshembull si të bashkëpunosh sa më mirë me të tjerët, si të zgjidhësh problemet, të punosh në presion dhe shumë mesime të tjera që të duhen në jetë ndaj dhe çdo fëmje do t’i këshilloja që të merrej me sport.
Cili do ishte ai emision apo spektakël televiziv që do të kishte qejf të përfshiheshe? Cilën moderatore shqiptare ose të huaj mund të kishe shembull?
Ëndërroj të prezantoj spektakle si çmimet Oscar, sepse aty sheh bashkë të gjitha talentet e botës në një sallë të vetme, ndërsa sa i takon televizionit, fare mirë e shoh veten duke prezantuar emisione sportive. Më shkon një emision i tillë për shkak të lidhjes sime me sportin, por dhe sepse e shijoj dhe do të mund ta bëja mirë. Nga ana tjetër, nëse në të ardhmen do të kem një emision timin, do kisha qejf të kisha një “Late Night Show”, të ngjashëm me Jimmy Kimmel.
Rroba banjet: Delirium Shop / Pantallonat: Coin Tirana
Sa shpesh vjen në Tiranë? Çfarë të pëlqen më së shumti në këtë qytet? Po në Shqipëri? Shkodra?
Zakonisht vij në Shqipëri një herë në vit, edhe pse vitin e shkuar erdha disa herë. Ajo që dua më shumë këtu janë njerëzit. Shqiptarët kanë zemër të madhe dhe një mënyrë të të shprehurit të dashurisë që për mua është unike. Ajo që më pëlqen më shumë tek Tirana është që jep ndjesitë më metropolitan, gjithçka ëshë në lëvizje, gjithçka është në ndryshim. Ndërsa sa i takon Shkodrës siç thuhet “Shkodra është dashni”. Dhe për mua kjo është e vërtetë. Kam shumë dashuri për këtë qytet se prindërit e mi janë prej andej. Kur jam në Shkodër më pëlqen të shkoj në Shirokë, të shijoj liqenin e bukur duke pirë një kafe. Është kaq piktoreske.
Ti vetë ke lindur në Amerikë? Si i ke ruajtur lidhjet me gjuhën?
Prindërit e mi kanë qenë shumë të kujdesshëm që unë dhe vëllezërit e mi të dimë rrënjët tona dhe nga kemi ardhur. Në shtëpi flasim vetëm shqip, sidomos im atë. Ne jetojmë në Kaliforni dhe aty nuk ka ndonjë kominitet të madh shqiptarësh, siç ka përshembull në Bregun Lindor. Ndërsa rritesha shumicën e shokëve i kisha amerikanë dhe sigurisht që me ta kam folur vetëm anglisht dhe im atë thoshte “jo, me njëri-tjetrin do flasim vetëm shqip”. Pra e kanë ruajtur traditën dhe unë kam mësuar shqip vetëm duke dëgjuar prej tyre, ndaj dhe flas dialektin e Shkodrës, gjë që e dua dhe më shumë sepse më kujton se nga janë prindërit e mi dhe prej nga vij dhe vetë unë./revistawho.com