Një ngjarje e pazakontë ka tronditur shtëpinë e “Big Brother VIP Albania”, duke detyruar produksionin të ndërhyjë me masa urgjente. Pas tensioneve të forta dhe përplasjeve verbale mes disa banoreve, është marrë vendimi drastik për të pezulluar televotimin e hapur për publikun.
Lajmi është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale të programit, ku thuhet qartë:
“Njoftim zyrtar! Anulohet televotimi. Televotimi aktual anulohet, Vëllai i Madh ka marrë masa të cilat do të zbulohen mbrëmjen e sotme.”
Ky vendim vjen pas përshkallëzimit të situatës në shtëpi, ku një debat mes vajzave degjeneroi në fyerje të rënda, përfshirë shprehjen “O injorante, o debile”, e cila ka shkaktuar reagime të shumta edhe jashtë mureve të BBV.
Televotimi i anuluar përfshinte plot 10 banorë, të cilët ishin në rrezik për largim nga gara. Në listën e të nominuarve për këtë javë ishin: Angelo, Artan, Kelsi, Juela, Greta, Krusita, Rogert, Mal, Miri dhe Mateo. Me pezullimin e votimit, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre dhe nëse nominimet do të ndryshojnë.
Deri më tani, banorët nuk janë informuar zyrtarisht për pasojat konkrete të këtij vendimi, ndërsa publiku pret me kureshtje spektaklin e mbrëmjes, ku pritet të zbardhen detajet: nëse do të ketë penalizime individuale, rikonfigurim të lojës apo masa disiplinore të forta.
Një gjë është e sigurt: shtëpia e “Big Brother VIP Albania” po përjeton një nga momentet më të tensionuara të këtij edicioni, dhe vendimet e “Vëllait të Madh” mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës përfundimisht.








