Pas një vale kritikash që ka pushtuar rrjetet sociale pas publikimit të disa pamjeve nga Big Brother VIP Kosova 4, reagimi më i fuqishëm ka ardhur nga artistja Dafina Zeqiri. Videot ku shihen Benita dhe Alba duke ushtruar presion ndaj 18-vjeçares Elijona Binakaj ndezën një debat të gjerë mbi etikën e reality show-ve dhe rolin e tyre në normalizimin e sjelljeve agresive.
Dafina, e cila shpesh ka folur hapur për çështje sociale, këtë herë nuk i kurseu aspak fjalët. Ajo denoncoi publikisht formatin dhe mungesën e çdo ndërhyrjeje institucionale, duke e cilësuar situatën alarmante.
“Është e tmerrshme që Big Brother lejohet ende me ekzistu! Kur bullizimin, dhunën fizike dhe psikike e shfaqin si argëtim. TV duhej me qenë i sigurt për fëmijë, jo me normalizu dhunë. Ku po shkon ky vend që këtë lejon vit pas viti?” – shkroi ajo.
Reagimi i këngëtares u shpërnda me shpejtësi, duke marrë mijëra pëlqime dhe komente mbështetëse nga ndjekës që ndanë të njëjtat shqetësime.
“Ku janë institucionet?” pyet Dafina
Kur një komentues ngriti pyetjen se pse autoritetet përgjegjëse nuk marrin masa, Dafina u përgjigj me një deklaratë po aq të prerë:
“Po më duket kot flasim kur kryesorët e shtetit nuk marrin masa. Besoj që i shohin reagimet e të gjithëve, po?”
Debati mbetet i hapur, ndërsa publiku pret nëse do të ketë ndonjë reagim zyrtar pas kësaj vale kritikash.









