Le ta themi troç: njerëzve u pëlqen seksi. Në mos të vetmit, ne jemi nga të paktët anëtarë të mbretërisë shtazore që e bëjmë seksin më shumë për kënaqësi sesa për riprodhim. Kënaqësia seksuale, kjo veçori e jona seksuale, na ka bërë të sillemi më nazelinj në marrëdhëniet seksuale. Në vend që t’ia kërcejmë një femre, thjesht sepse ajo është në ashk (oestrus), siç bëjnë të gjitha kafshët, ne zgjedhim shumë kur vjen puna për partnerin e shtratit. Vetëm kur kemi pirë alkool e kemi marrë drogë dhe mendja e ka humbur kontrollin, ne nuk jemi aq zgjedhës.
Për ne është e qartë: përpara se të bëhemi intimë me seksin tjetër, duam që partneri të jetë tërheqës fizikisht dhe emocionalisht. Deri këtu nuk thashë gjë të re. Por, qëllimi i këtij shkrimi është të tregoj, shkurtimisht, për të gjithë ata elementë të fuqishëm që ndikojnë në tërheqjen seksuale të njerëzve. T’ju tregoj për ata elementë, që nuk duan t’ia dinë as për vetëkontrollin e personave më të arsyeshëm e të përmbajtur. Kujtoni gjithë ato hormone, të cilat i kam përmendur shpesh. Janë ato që e bëjnë të papërmbajtur dëshirën tonë seksuale.
Hormonet janë përgjegjëse për ndjenjat tona epshore, që zgjohen kur kryqëzohemi rrugëve me vajzat gjysmë lakuriqe, kur shkojmë pub-eve dhe kafeneve, madje edhe atëherë kur vjen të na kontrollojë punën bosja “seksi”. Mos më thoni se nuk i keni provuar këto lloj epshesh! Ato i provojmë të gjithë, por nuk turremi mbi personin “seksi” si të “tërbuar”. Pse? Sepse është truri ynë që na dallon prej kafshëve; në mos të gjithëve, shumicën prej nesh.
Rregullat e shoqërisë, mjedisi në të cilin jemi rritur, frika që kemi prej sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si dhe shumë sfida të tjera jetësore, na kanë aftësuar ta mposhtim kërkesën natyrale për marrëdhënie seksuale, në ato raste kur nuk duhet ta bëjmë, madje edhe kur ajo është shumë urgjente. Tamam në këtë pikë, ne dallojmë nga kafshët e tjera. Ne kemi rituale njerëzore për takimet dhe bashkimet. Janë këto rituale, që u japin marrëdhënieve tona seksuale, atë që do ta quaja aspektin e tyre human.
Epshi është dëshira kimike, hormonale dhe emocionale për të bërë seks. Në zemër të gjithë këtij procesi kompleks qëndron hormoni testosteron. Siç e dini, testosteroni është hormoni kryesor mashkullor. Ai nxit dëshirën për seks (libidon) tek burri dhe e shëtit atë drejt orgazmës. Diku kam shkruar se “testosteroni është Marlon Brando – seksual, sensual, tërheqës, ezmer dhe i rrezikshëm”. Është testosteroni që na nxit ta ndjekim, ta fillojmë dhe ta dominojmë seksin. Burrat, siç e dini, kanë 20 deri në 40 herë më shumë testosterone nga sa kanë gratë. Kjo është arsyeja që instinkti seksual i burrave ndryshon nga instinkti seksual i grave.
Si bëhet një djalë ose një burrë epshor? Fillimisht, duhet një fantazi seksuale që të zgjojë dëshirën për seks dhe të nxitë hormonet të shpërthejnë. Djali dëshiron të arrijë një orgazëm dhe kërkon të gjejë një partnere, që të bashkëpunojë me të për të arritur orgazmën. Kjo do të thotë se ai, në fund të fundit, kujdeset vetëm për veten. Epshi është egoist.
Dashuria, ashtu si edhe epshi, drejtohet, gjithashtu, nga hormonet. Përzierja e serotoninës, testosteronit, dopaminës, endorfinave dhe e lëndëve të tjera kimike që qarkullojnë në trup e në tru në një kohë të dhënë, përcaktojnë përgjigjet tona fizike dhe emocionale. Disa hormone janë nxitëse, të tjera janë frenuese. Ato ndikojnë në ndijimet, mendimet dhe sjelljet tona. Hormonet, secili me kontributin e tij, vijnë në shtrat bashkë me ne. Çdo kimikat që futet në lojë shton diçka të re në marrëdhënie. Mënyra si veprojnë hormonet në dashuri, pavarësisht punimeve shumë të kujdesshme të Helen Fisherit e të të tjerëve, është akoma një mister.
Gjithkush ia ka bërë ndonjëherë vetes këto dy pyetje: Pse ndodh që një person special na bën vetëm një gjest dhe ne shkrihemi në një shpërthim përvëlues emocionesh dhe eksitimi të përgjithshëm? Pse logjika dhe arsyeja davariten si mjegulla dhe nuk mendojmë dot asgjë tjetër? Dashuria na bëhet si atmosfera. Ne e thithim atë kudo ku jemi. Përpiqemi ta shpjegojmë këtë gjendje duke kërkuar fakte, por më kot! Me sa duket, mendja jonë përpiqet t’i japë kuptim asaj që nuk kuptohet.
Niveli i lartë i testosteronit tek burrat, bën që epshi të jetë forca e tyre drejtuese. Ndërsa tek gratë, të cilat kanë sasi shumë më të vogla testosteroni, ndodh ndryshe. Ato priren të kërkojnë të parën dashurinë, jo epshin. “Gratë janë rritur të mendojnë për dashurinë dhe seksin, pa e ndarë njërën nga tjetra. Burrat janë ndërtuar të ndjekin instinktet e tyre.” Natyra, siç e shihni, luan mirë me forcat e saj! Në marrëdhëniet burrë-grua, përgjithësisht, ekziston një dikotomi e qartë. Burrat identifikohen me epshin, thjesht me dëshirën e tyre seksuale, që nuk varet nga identiteti i personit. Motoja e tyre është: “Unë dua të bëj seks tani”. Është krejt ndryshe me gratë. Gratë identifikohen me dashurinë. Ato, përgjithësisht, kanë ndjenja të forta për lidhje më të thella me një person tjetër.
Shumica e burrave thonë: “Është seksi i mirë, që na shpie drejt marrëdhënieve të mira të dashurisë”. Shumica e grave thonë: “Janë marrëdhëniet e mira dhe dashuria, që na çojnë tek seksi i mirë”. Shikoni! Ka një ndryshim të madh midis burrave dhe grave. Seksologët, këtë të vërtetë e përmbledhin në këtë mënyrë: “Gratë fillimisht dashurojnë, pastaj shkojnë tek seksi, ndërsa burrat, seksi i çon tek dashuria”. Një medalje me dy anë të ndryshme, por, që të mbahen të ngjitura, kërkojnë përpjekje të përbashkëta e të mundimshme, të burrave dhe të grave.
Burrat shpesh ndihen fajtorë për preokupimin e madh që kanë për seksin, ndërkohë që gratë e rëndojnë edhe më shumë këtë faj të burrave. Ato thonë: “Burri është shok i qenit” dhe “Burrat vetëm një gjë kanë në mendje”. Mendoj se këtu gratë nuk kanë të drejtë. Burrat, në të vërtetë, nuk kanë vetëm një gjë në mendje, ata kanë dy gjëra në mendjen e tyre, njëra prej tyre është futbolli! Kjo ishte një shaka. Por ju duhet të dini, se është krejt normale që burrat të mendojnë gjatë gjithë kohës për seksin. Sipas një raporti të institutit “Kinsey” mbi seksualitetin, burrat midis moshës 15 dhe 50 vjeç mendojnë për seksin çdo ditë 5 ose 10 minuta. Kjo mund të mos jetë e pëlqyeshme, por është normale dhe aspak patologjike.
Duke fituar më shumë eksperiencë jetësore, ne mësojmë t’i kontrollojmë ose t’i civilizojmë ndjenjat tona të epshit. Ne nuk mund të rendim pas gjithkujt që na tërheq. Zgjedhjet seksuale ne i bëjmë me zemër dhe me mendje, madje edhe atëherë kur vetja na bërtet me zë të lartë.
Për shkencëtarët është akoma mister arsyeja pse ne tërhiqemi nga epshi dhe nga njerëz që nuk i njohim. Sociologia Alman e përfytyron në këtë mënyrë këtë situatë: “Është një panteon plot me zota dhe perëndesha, ku secili luan me një tjetër dhe observon çfarë do të ndodhë”. Por, pavarësisht çfarë thonë shkencëtarët, e vërteta është se kur godet epshi, ai godet aq fort dhe në mënyrë aq të beftë, saqë gjithmonë mbetet një gjë e çuditshme.
Nga Dr. Adem Harxhi
[email protected]
New York
Discussion about this post