Dy vite më parë, Hollywood-i u trondit nga humbja e Leandro Anthony De Niro-Rodriguez, djalit 19-vjeçar të Drena De Niro dhe nipit të ikonës së kinemasë, Robert De Niro. Sot, çështja ka marrë një kthesë dramatike: autoritetet amerikane kanë shoqëruar me pranga pesë persona të dyshuar për përfshirje në një linjë të fshehtë shpërndarjeje droge që targetonte të rinj në New York.
Leandro u gjet i pajetë më 2 korrik 2023 në apartamentin e tij, pas një mbidoze që më vonë u konfirmua se përfshinte fentanil – substanca vdekjeprurëse që ka marrë mijëra jetë në SHBA.
Hetuesit kanë zbuluar se grupi i arrestuar operonte me pilula të rreme të përziera me opioide të rrezikshme. Sipas dokumenteve të prokurorisë, medikamentet e falsifikuara u lidhën me vdekjen e tre të rinjve 19-vjeçarë, përfshirë Leandro-n.
Arrestimet e fundit vijnë pas ndalimit të Sofia Marks, e cila dyshohet se i ka shitur pilulat fatale të riut vetëm pak ditë para vdekjes së tij. Dosja hetimore tregon se ajo kishte lidhje direkte me këtë grup kriminal që dyshohet se shpërndante mijëra pilula nëpër lagjet e qytetit, duke përdorur kontakte në rrjete sociale dhe të rinj lokalë.
Miku që nuk mundi të lidhej me Leandro-n ngriti alarmin, dhe policia kur hyri në apartament gjeti substanca të dyshimta pranë trupit.
Dhimbja e familjes ishte e pamasë. Drena De Niro publikoi një mesazh që preku publikun, duke e përshkruar të birin si “dritën e jetës sime”. Ndërsa Robert De Niro, i tronditur nga humbja, kërkoi qetësi për familjen dhe e quajti ngjarjen “humbjen e parakohshme të një jete të re të mbushur me premtime”.
Fentanili, një opioid sintetik shumë më i fuqishëm se heroina dhe morfina, përdoret ligjërisht në mjekësi, por ilegalisht po shndërrohet në një makth në SHBA, ku mbi 70% e vdekjeve nga mbidoza lidhen me këtë substancë.
Kjo ngjarje mbetet një kujtesë e zymtë e krizës së drogës që po shkatërron mijëra familje — edhe ato më të famshmet.








