Hapat e para të mirëqënies së lëkurës tuaj nisin nga një ushqyerje e shëndetshme. Nëse ju i jepni përbërësit e nevojshëm lëkurës, ato për të cilat ajo ka nevojë, do t`ju jetë tepër mirënjohëse. Duke ngrënë në mënyrë korrekte, dhe duke u marrë rregullisht me aktivitet fizik, ju mund të arrini rezultate fantastike si në dukjen e lëkurës tuaj ashtu edhe në peshë. Kur ju keni pamjen e kënaqshme, kjo ju bën të ndiheni akoma më mirë. Bukuria e vërtetë është besimi në vetvete, dhe kjo fillon me lumturi dhe shëndet, kështu që të fillojmë…
Kur ju doni flokë plot shkëlqim, thonj të fortë dhe lëkurë të shëndetshme, ajo çka ju nevojitet është ushqimi i pasur me elemente të rëndësishëm për këto struktura të trupit tuaj.
Sekreti nr. 1 HANI YNDYRNA TË SHËNDETSHME
Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se eleminimi total i yndyrnave nga dieta e tyre është shumë i dobishëm, por trupat e shëndetshëm kanë nevojë për yndyrna të shëndetshme, gjithashtu lëkura ka nevojë për acide yndyrore thelbësore, siç janë omega-3 dhe omega-6.
Yndyrnat thelbësore gjenden në produkte të tilla si: salmoni, arrat, bajamet, vezët e ziera, mishi i pulës, vaji i ullirit.
Sekreti nr. 2 HIDRATIMI ËSHTË ÇELËSI
Organizmi ynë nuk e konsideron lëkurën si një organ vital si zemra, mushkritë apo truri, kështu që kur trupit tonë i mungon hidratimi, pushimi apo vitaminat, lëkura është e para që i vuan pasojat. Ja përse është shumë e rëndësishme për të qëndruar gjithnjë i hidratuar, për arsye se do të keni mundesinë ta mbani lëkurën tuaj gjithnjë të ushqyer dhe plot vitalitet.
Është shumë e rëndësishme të konsumohet një litër e gjysëm deri 2 litër ujë në ditë. Konsumimi i ujit ndihmon në tretje, jep energji për trupin, si dhe ndihmon në eleminimin e toksinave. Këto janë atribute shumë të rëndësishme për lëkurën, kështu që mos harroni të rrini të hidratuar mirë.
Në qoftë se e merrni seriozisht hidratimin e trupit tuaj nëpërmjet ujit, merrni gjithashtu në konsideratë të zëvendësoni disa gota ujë në ditë me ujë kokosi. Uji i kokosit është i pasur me kalium, kalcium, magnez dhe zink. Çka është më e rëndësishmja, uji i kokosit është i pasur me citokina, një hormon që ka efekte anti-karcinogjene, anti-trombotike dhe anti-age.
Sekreti nr.3 SHIJONI VERËN E KUQE
Pini verën e kuqe, pasi një gotë verë në ditë për femrat (2 gota për meshkujt) ka efekte shumë të mira kundër plakjes së lëkurës. Si ka mundesi që një gotë verë të ketë mrekulli anti-age? Vera e kuqe ka një përqëndrim të lartë antioksidantësh që quhen polifenole, përfshirë këtu dhe resveratrolin, të cilat ndihmojnë në frenimin e sëmundjeve të ndryshme dhe plakjen e lëkurës.
Kështu që vazhdoni, shijoni gotën tuaj të verës së kuqe, dhe lëkura do t`ju falenderojë.
Sekreti nr.4 `HANI MË SHUMË SUPERFRUTA`
Ju keni dëgjuar shpesh shprehjen`jemi çfarë hamë`, por ajo çka nuk dëgjoni shpesh është `ushqimi juaj është trajtimi i lëkurës tuaj’. Frutat janë një burim i rëndësishëm i elementeve antioksidues që veprojnë kundrejt plakjes. çdo sekondë trupi ynë ekspozohet ndaj radikaleve të lira të cilat kontribuojnë në plakjen e lëkurës. Superfrutat janë të pasura me fibra, vitamina, minerale dhe nutriente të tjere të cilat ndihmojnë për të jetuar më gjatë, për t’u dukur më bukur madje dhe parandalojnë sëmundje.
Luleshtrydhet, boronicat, manaferrat, kivit, mollët, bananet dhe qershitë janë disa nga këto. Kështu që sigurohuni ta keni kuzhinën plot me to dhe trajtojini sikur të ishin karamele, të cilat nuk ngurroni t’i konsumoni çdo sekondë.
Sekreti nr.5 ÇAJ NË VEND TË KAFES
Kafja është mrekullia e botës moderne. Ju ndihmon të rrini të zgjuar dhe aktiv për orë të tëra, ju jep energji shtesë kur keni nevojë, prandaj është një domosdoshmëri për njeriun modern. Por a e dini që kafja nuk vepron shumë në favor të lëkurës tuaj?
Kafja ndihmon t`u mbajë plot energji për periudha të zgjatura, por këto periudha energjie shtesë nuk janë ato çka i duhet trupit dhe lëkurës tuaj. Pushimi është thelbësor për lëkurë të shëndetshme dhe sa më shumë aktiv dhe pa gjumë që rrini, aq më keq duket lëkura juaj. Kafja është dehidratuese dhe nëse zgjidhni të konsumoni më shumë kafe se ujë, ju jeni absolutisht duke bërë më shumë dëm sesa mirë.
Kështu që do të ishte më e udhës të zëvendesonit kafen me çaj. Për të filluar, çaji jeshil përmban 5-10% të kafeinës që gjendet në një filxhan kafe. Kështu që ju merrni energjinë pa qenë nevoja të rrini për orë të tëra zgjuar. Çaji është plot me polifenole të shëndetshme, të cilat jo vetëm mbrojnë qelizat me efektin antioksidant të tyre, por përmbajnë gjithashtu L-theanine. Kjo substancë sjell një gjendje qetësie duke çliruar dhe trurin nga stresi i përditshëm.
Çaji jeshil është çaji më i njohur për efektet e tij anti-age, por nuk keni pse të ndjeheni të limituar me variantet e tjera të çajit të bardh, çajit të zi, apo çajrave me shije të ndryshme, të cilat mund të zëvendësojnë dëshirën tuaj për kafe.
Sekreti nr.6 LARGONI SHEQERIN NGA DIETA
Sheqeri bëhet i dëmshëm duke vepruar nëpërmjet disa produkteve që vijnë nga degradimi i tij, duke ndikuar kështu në sintezën e kolagjenit dhe elastinës. Kur këto proteina bombardohen nga sheqernat, ato bëhen më të dobëta dhe rezultati pa dyshim është pasoja në lëkurë me shfaqjen e rrudhave, humbjen e elasticitetit dhe shkëlqimit. Por nuk përfundon këtu, sa më shumë produkte të fundit të degradimit të sheqerit të jenë prezente në një individ, aq më e lartë është predispozita për tu bërë më i prekshëm nga faktorët ambjentalë, si rrezet e diellit dhe tymi i cigares.
Sekreti nr.7 PAK BIMË DHE ERËZA
Konsumimi i një sasie erëzash me ushqimin, si rigoni, borziloku, mazhorana, trumza, xhenxhëfili, mund të jenë shumë të vlefshme për luftuar inflamacionin.
Sekreti nr.8 DOMATJA ME EFEKTE TË SHKËLQYERA
Domatja është burim i një elementi të rëndësishëm për lëkurën, likopenit i cili e ndihmon atë nga plakja. Duke konsumuar deri 200g domate në ditë, lekura juaj do të marrë pamjen e lëkurës së bebit duke ruajtur elasticitetin dhe shkëlqimin.
Ju mund të aplikoni dha maskat me domate në kushte shtëpie, të cilat bëhen duke aplikuar lëngun e domates dhe lihet të pushojë për 10 min.
Sekreti nr.9 KOSI PËR NJË LËKURË PLOT JETË
Kosi përmban acid laktik, i cili është alfahidroksi acid, i nevojshëm për të eleminuar qelizat e vdekura.
Disa nga efektet e tij janë: hidratimi i lëkurës, parandalimi i plakjes së parakohshme, efekt anti-inflamator sidomos gjatë trajtimit të akneve si dhe efekt qetësues pas djegies nga dielli në sajë të zinkut që përmban./revistawho.com