78 vjet më parë, Tirana u kthye në një vend takimi për familjet e larta mbretërore të Evropës, përfaqësuesit e të cilave kishin ardhur për të marrë pjesë në dasmën e Mbretit Zog me Trëndafilin e Bardhë të Budapestit, Konteshën Geraldine Appony. Do të organizohej atëherë, mes traditës shqiptare dhe modës së lartë perëndimore, një event aq glamour sa Shqipëria nuk e kishte parë dhe nuk e pa më që atëherë. Nesër, më 8 tetor, siç është shpallur që në mars nga Familja Mbretërore, është dita kur një dasmë tjetër do të organizohet në Tiranë, me synimin për të risjellë në Tiranë glamour-in e dasmave royal-e dhe për të shpalosur me elegancë para të ftuarëve të rëndësishëm të familjeve fisnike dhe të pranishmëve, bukurinë e traditës dhe mikpritjes shqiptare. Lartësia e Tij Princi Leka II, nipi i Mbretit Zog dhe e fejuara e tij, Elia Zaharia do ta organizojnë dasmën e tyre në mjediset e Rezidencës ku jetojnë aktualisht dhe në Pallatin e Brigadave, Pallatin e dikurshëm Mbretëror. Celebrimi do të zhvillohet në orën 11.00 në mjediset e Pallatit të Brigadave, në praninë e rreth 800 të ftuarëve, Lartësive të tyre, përfaqësues të familjeve të njohura rojale të Evropës, Iranit dhe Marokut, krerëve të shtetit shqiptar dhe krerëve të klerit në Shqipëri të cilët do të përshëndesin këtë martesë, pas celebrimit civil. Më pas, gjithë të ftuarit do të zhvendosen për në mjediset e Rezidencës pranë Galerisë së Arteve ku do të mbahet një koktej që do të zgjasë rreth dy orë. Në qendër të vëmendjes së organizatorëve të këtij eventi dhe dëshirë parësore e Familjes Mbretërore dhe çiftit, është promovimi i traditës, artit, kulturës, veshjeve, kulinarisë, pijeve, muzikës dhe valleve shqiptare të cilat do të shoqërojnë etapat e kësaj dasme. Pas një pushimi disaorësh, pas koktejit, dasma do të vazhdojë me darkën që do të mbahet në Pallatin e Brigadave me rreth 300 të ftuar, 150 përfaqësues të familjeve të rëndësishme mbretërore, Lartësitë e tyre, të ftuar të huaj dhe 150 të afërm dhe miq të ngushtë të çiftit. Dekori i të gjitha mjediseve ku zhvillohen ngjarjet e kësaj dite është realizuar nga kompania e eventeve Class AV, zgjedhur nga ekspertët e eventeve pranë familjeve mbretërore evropiane. Siç kemi mësuar, darka do të shtrohet në një mjedis të thjeshtë dhe elegant, ku do të mbizotërojnë ngjyrat e lehta, si dhe fildishi dhe e florinjta. Në tavolina, të cilat do të mbajnë emrin e trojeve të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë kufijëve aktualë të Shqipërisë, do të ketë kompozime lulesh natyrale të ulëta dhe të larta. I gjithë mjedisi do të jetë i dekoruar me lule natyrale, nën një koncept mbretëror dhe fisnik ku do të mbizotërojnë orkidea, trëndafili i bardhë dhe lulet simbolike mbretërore. E megjithatë vula kombëtare nuk do të humbasë në asnjë çast. Ajo do të mbizotërojë në atmosferë dhe do të shfaqet edhe në detaje të vogla si te veshja kombëtare e fëmijës që do të mbajë unazat gjatë celebrimit, apo te gotat e shampanjës dhe pecetat mbi pjatë që do të kenë logon e shqiponjës. Në koktej dhe në darkë do të shërbehen pije shqiptare dhe gatime tradicionale të përgatitura nga Mrizi i Zanave. Darka do të mbyllet me çastin e tortës dhe kërcimin e çiftit. Shumë media ndërkombëtare janë akredituar për të ndjekur këtë event, ashtu si edhe mediat shqiptare, disa prej të cilave do e mbulojnë live aktivitetin, përfshirë edhe revistën Class që do ju sjellë vazhdimisht informacion të detajuar për dasmën më të rëndësishme në Shqipëri, që nga viti 1938./revistaclass