Të hënat janë tmerr sidomos nëse jeton në pallat, ku zakonisht zgjohesh duke të dëgjuar të bërtiturat e fqinjeve,të cilët i dëgjon kur kalojnë nëpër shkallë duke bërtitur fjalën “nxito, nxito“, dmth nxito për të shkuar në kafe, se në 7 të mëngjesit mund të shkosh në kafe, në plazh ose vaki, dhe ora akoma ka shkuar a nuk ka shkuar 7; por të flesh deri në 7 është privilegj se ndodh të zgjohesh nga kërcitjet e hapave nëpër shtëpi të katit të sipërm, ose nga ulërimat e seksit të të sapomartuarve të katit të poshtëm! Kjo është një e hënë normale e një shqiptari mesatar që jeton në Shqipëri në pallat, jo domosdoshmërisht në kryeqytet.
Më lejoni , t’ju tregoj për të hënën time, jo se ju intereson apo ju kërcet juve për të hënën time por sepse unë s’kam asgjë më interesante për të bërë sesa të bezdis të panjohur e të njohur duke i rrëfyer për të hënën time!
Tani, nuk di nga t’ja nis, me siguri ju do të thonit nisja nga fillimi, sikur ta dija unë ku nis fillimi po, do ia nisja dhe do ishte mirë, madje perfekt por po ia nis nga diku… U zgjova shumë vonë, domethënë qëndrova zgjuar deri në 5 e 30 dhe në 7 u ngrita si një zombie që nuk qëndron dot në këmbë (si 70% e adoleshentëve dhe beqarëve)!
Shkova në tualet, dhe pasi mbarova punët kryesore doja të laja dhëmbët, ishin ngatërruar furçat e dhëmbëve, dhe isha kaq i zgjuar, syhapur saqë as ngjyrat nuk i dalloja dot, mu ngritën nervat, i ngrita të gjithë në këmbë dhe asgjë nuk nxorra në dritë, dhëmbët e mi ngelën pa larë. Nejse bëra dush, dola nga shtëpia dhe akoma pa dalë isha shumë vonë!
Pas një rruge të tmerrshme, nisur nga cilësia e udhëtimit dhe pastaj e gjërave që i ke në paketë dhuratë ku dëgjon gjithfarë bisedash, nga të moshuar që flasin për politikë, nga vjehrra që shajnë nuse deri te ata që shajnë e zbrazen me kë ti dalë para!
Arrita në destinacion, sot duhet të ndihmoja një mike për të bërë një inventar. Ppasi mbaruam atë, pas shumë grindjeve, me “komplimente“ të tipit “Ku merr vesh ti, ti je mësuar të flesh gjumë, derdimen, ti je mësuar vetëm të rrish në kafe(nuk po iu them ato me pullë të kuqe, jo se nuk i mbaj mend por mbase do i vijë koha ti shihni me zë e figurë)“ , dolëm për kafe dhe në tavolinën ngjitur ishte kolegia e saj, e cila po i pohonte një tjetre që shqiptarët e mbushin kohën e tyre duke pirë kafe e duke përfolur të tjerët!
Dhe menjeherë truri im i hyri një retrospektieë, në mengjës shkarazi dëgjova se prindërit e mi diçka po flisnin për krushqit e tyre, pastaj mu kujtua koha në urban ku dëgjova gjithfarë lloj thashethemesh, dhe pastaj gjatë kohës që po bënim inventarin, pas çdo komplimenti që më jepte mikja ime e shoqëronte me një krahasim, je derdimen si filani, je sylesh si burri i asaj e të tjera të këtij tipi!
Pra ajo kishte të drejtë, po nuk u bë qameti, se fundja edhe shkenca e ka provuar se thashathemet janë të shëndetshme dhe vetëm mirë i bëjnë shëndetit!
Pra kjo e hënë nisi tmerr dhe ashtu përfundoi, nisi si zombie e u mbyll si sylesh! Ama si një sylesh i cili bleu furçe të re dhëmbë , dhe tani do flejë e do zgjohet me dhëmbët e larë….