Krishtlindjet zakonisht lidhen me drita, festë dhe gëzim familjar, por për Anna Likën kjo datë mbart një peshë të veçantë emocionale. Më 25 dhjetor, dy vite më parë, aktorja humbi nënën e saj, Ilda, një plagë që koha nuk e ka shëruar.
Në këtë përvjetor të ndjeshëm, Anna ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit një kujtim intim dhe shumë personal. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo publikoi një video ku ndërthuren fragmente nga bisedat e tyre gjatë sëmundjes me momente të gëzuara nga jeta e përbashkët, duke rikthyer emocione të forta dhe mall të pashuar.
Aktorja rrëfen se mendimet e saj janë gjithmonë të lidhura me nënën dhe se çdo vendim apo hap i rëndësishëm shoqërohet nga pyetja nëse ajo do të ishte krenare. Sipas Annës, mungesa e Ildës është e pazëvendësueshme dhe boshllëku që ka lënë ndihet çdo ditë.
Postimi i plotë i Annës:
Për mamin tim…
Si sot para dy vitesh në këtë orë, mora një telefonatë që do të doja mos ta kisha marrë kurrë. Lot dhe pastaj një heshtje që më shoqëroj gjithë atë ditë “feste” .
E bukura ime iku dhe një vit tjetër pa ty.
Nuk mendoj se do të ketë ndonjë gjë që do të mbushë boshllëkun që ti ke lënë në jetën time. E di që tani duhet të mendoj për gjëra të tjera në jetën time, por kur mendoj në çdo mendim më vjen dhe ti. Pyes gjithmonë veten “Po mami si do e bënte këtë gjë? Po mami do më kritikonte për këtë? Po mami do më ndihmonte për këtë?” Por vetëm përgjigjen e pyetjes “Po mami do më ndihmonte?” kam të sigurt, sepse ajo përgjigje është gjithmonë PO! E di që ti do e bëje në çdo moment dhe për çdo gjë. Nuk do të mësohem kurrë me mungesën tënde sado gjëra të bukura të më vijnë në jetë. Ti je dhe do të jesh gjithmonë e pazëvendësueshme!
Më mungon një përqafim i joti.
Më mungon era jote.
Më mungon ti….
Të dua shumë!
-miza jote e vogël-
Një dedikim që ka prekur zemrat e shumë ndjekësve, duke e kthyer këtë Krishtlindje në një moment reflektimi, kujtimi dhe dashurie të përjetshme për ata që nuk janë mê.








