Një incident shqetësues ka vënë në qendër të vëmendjes figurën e njohur të rrjeteve sociale dhe ish-banoren e Big Brother Albania, Genta Gjalpi. 35-vjeçarja, e njohur për praninë e saj në TikTok, është përfshirë në një situatë të papritur që ka ngjallur reagime të shumta në rrjet.
Një video që po qarkullon gjerësisht tregon Gjalpin në një konflikt fizik me vajzën e mitur të partnerit të saj. Ngjarja ka ndodhur pranë një dyqani, ku shihet se vajza përpiqet të largohet, ndërsa Genta e tërheq me forcë. Në përpjekje për ta ndaluar, Gjalpi rrëzohet, por më pas e ndjek dhe e shtyn jashtë ambienteve të dyqanit, duke e kapur nga bluza. Ky moment ka tronditur publikun dhe ka sjellë reagime të forta në rrjetet sociale.
Policia e Tiranës ka konfirmuar se ndaj Genta Gjalpit është regjistruar një procedim penal në gjendje të lirë, me akuzën “Dhuna në familje”. “Hetimet për rastin vijojnë për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Pas publikimit të videos, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë shpërndarë me shpejtësi pamjet dhe kanë shprehur indinjatën e tyre. Sidoqoftë, ka patur dhe shumë prej tyre të cilët i kanë ardhur asaj në mbrojtje duke thënë se dhe vetë atyre iu është dashur të përdorin një lloj force me fëmijët që nuk binden dhe se sipas tyre, ajo thjesht po mundohej ta mbante fëmijën që ajo të mos largohej e vetme nga supermarketi.








