Jeta e Kim Kardashian ka marrë një kthesë të frikshme. Në sezonin e ri të “The Kardashians”, ylli i “reality show”-t zbulon se dikush shumë i afërt me të ka tentuar ta vrasë — një ngjarje që, sipas saj, e ka bërë të jetojë “nën mbrojtje të përhershme”.
Në trailer-in e sezonit të shtatë, Kim rrëfen:
“Mora një telefonatë nga hetuesit e mi privatë, të cilët më thanë se dikush shumë pranë meje kishte planifikuar të më vriste.”
Sipas “Radar”, pas këtij zbulimi tronditës, Kim ka rritur në maksimum masat e sigurisë. Ajo tani ruhet 24 orë në ditë nga roje të armatosura, të cilët e shoqërojnë në çdo lëvizje — në shtëpi, në makinë dhe madje edhe kur dërgon fëmijët në shkollë.
Burime të afërta për “Radar” tregojnë se biznesmenja ka marrë masa të rrepta edhe në zyrat e SKIMS dhe SKKN, ku çdo person që hyn kontrollohet në detaje. “Ajo jeton si nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret”, thanë burimet.
Edhe motrat e saj shfaqen të shqetësuara në trailer. Kendall pranon se “të gjithë janë në tension”, ndërsa Kylie tregon:
“Kam dëgjuar hapa në dhomën time dhe mendova se dikush ishte futur brenda.”
Ngjarja ka tronditur ndjekësit e familjes Kardashian, të cilët nuk e kishin imagjinuar se pas luksit dhe famës, Kim po përballej me një kërcënim kaq të errët — nga dikush që, siç duket, i përkiste pikërisht familjes së saj.
Në mesin e këtyre zërave, një postim i vjetët i ish-burrit të Kim, Kanye West doli sërish në dritë. Kanye dikur pretendoi se ish-gruaja e tij, Kim Kardashian, e akuzoi atë se “kishte porositur dikë për ta vrarë” gjatë procedurave të tyre të rrëmujshme të divorcit.
“DJE KIM MË AKUZOI SE KAM POROSITUR DIKË TA VRASË”, shkroi ai në X në shkurt 2022.








