Thellë thellë nuk është se në Shqipëri ka një koncept të qartë për pushimet. Ato më shumë shihen si nje domosdoshmëri për të kaluar ato 15 ditët e pushimit “duke mos qëndruar në shtëpi”. Pikërisht këtu fillon edhe loja e padrejtë me vehten dhe me të tjerët. Janë në minorancë njerëzit që kuptojnë raportin mes të ardhurave që kanë dhe shpenzimeve që mund të bëjmë për turizëm. Thënë kjo shumë njerëz priren të bëjnë shpenzime për pushimet që nuk ua lejon xhepi dhe rrjedhimisht futen në një fazë “stresi” më shumë se pushimesh. Po aq të shumtë janë ata që pushimet këtë vit, sikurse çdo vit i kanë lidhur me faturat e kripura që qarkullojnë në internet apo me kushtet që në Shqipëri vijojnë të jenë në proporcion të zhdrejtë me atë që paguan.
E parë në këtë këndvështrim do analizoja disa pika.
Po e nis me faktin se ne nuk pushojmë vërtet për t’u relaksuar nga një vit i gjatë plot me punë dhe ngarkesë. Fakt është se një pjesë e vogël mund t’i lejojë pushime vetes më shume se dy herë në vit. Përjashto këtu ndonjë udhëtim që del i paparashikuar apo për shkaqe pune. Kur zgjedh të pushosh ose je një turist besnik që zakonisht bën një lloj turizmi pra atë bregdetar ose malor. Ose je rasti kur do çdo vit të eksplorosh një vend të ri dhe këtë e lidh më shumë me historinë dhe kulturën e udhëtimeve.
Nga eksperienca ime si një turist prej nga gati 20 vjetësh, dhe kjo me paratë qe fitoj vetë dhe jo nga të ardhura të tjera siç mund të jetë familja apo burime të tjera shoh shumë njerëz qe ndihen si në hall në vendet ku kanë shkuar të pushojnë. Ata vetëm ankohen, mërziten që ditët e para të pushimeve, gjejnë probleme kudo dhe janë të prirur ta mbyllin sa më shpejt këtë cikël duke postuar disa foto në ‘Instagram’ apo ‘Facebook’.
Unë personalisht mendoj se rrjetet sociale dhe shoqëria konsumiste kanë patur një ndikim shumë negativ. Kjo sepse njerëzit kane hyrë në një garë “fake” se kush bën pushimet më të bukura dhe se kush ngjan më i relaksuar në rrjetet sociale. Pa pritur të analizojmë se si dikush është gjendur në një lokacion pushimesh janë të shumtë ata që thonë “pse nuk ikim edhe ne aty”. Duke mos kuptuar ose duke mos dashur të pranojnë se jo të gjithë janë njësoj në raport me pushimet që bëjnë për shkak kryesisht të të ardhurave që kanë.
Por po aq në anën tjetër kam takuar dhe takoj njerëz që me shumë kujdes zgjedhin të pushojnë këtu ose jashtë vendit duke bërë ato pak llogari që ju lejon buxheti i tyre. Ky grup i dytë është më fisnik në raport me veten dhe të tjerët. Janë disi më të tërhequr dhe më të vërtetë për mundësitë që kanë. Ankohen më pak dhe pushojnë më shumë.
Shqipëria ka shume probleme që lidhen me turizmin por mendoj se ne si popull nuk po tregohemi shumë bashkëpunëtorë për të zgjidhur atë që është ngërçi më i madh. Raportin mes shpenzimeve që bëjmë si turist dhe cilësisë që marrim në këmbim. Sepse unë mendoj që ne nuk pushojmë për veten tonë, por për të krijuar një status që nuk e kemi dhe që tentojmë ta marrim me çdo kusht. /revistawho.com