Këngëtarja e njohur shqiptare, Gili, dhe djali i saj, Redoni, janë bërë pjesë e shtëpisë së Big Brother VIP 4, duke hyrë mbrëmë si një konkurrent i vetëm.
Gjatë ditës së parë, Redoni ka ngjallur kureshtje te banorët me një nga tatuazhet e tij, të cilin e ka nën sy. Në një bisedë të hapur, ai ndau historinë pas këtij simboli, duke rrëfyer një periudhë të vështirë të jetës së tij.
“Tatuazhin e kam bërë shtatë vite më parë. Shkruan “Notorious” (famëkeq). Asokohe isha në Greqi, ku studioja dhe po përpiqesha të nisja karrierën time në muzikë. Ishte një periudhë shumë e vështirë për mua, sepse vuaja nga ankthi, dhe nuk arrija ta kuptoja shkakun. Madje, për të kuptuar nëse lidhej me dietën time, qëndrova dhjetë ditë pa ngrënë, duke konsumuar vetëm ujë. Por, më vonë zbulova se ankthi im kishte origjinë gjenetike,” rrëfeu ai.
Redoni shtoi se asokohe po përjetonte një fazë të trazuar në jetën e tij. “Kam qenë shumë rebel, i gjaknxehtë dhe i shthurur. Ishte një periudhë ku më dukej se po luftoja me veten time,” tha ai, duke reflektuar mbi ndryshimet që ka kaluar që atëherë.
Hyrja e çiftit të njohur nënë e bir ka sjellë emocione dhe pritshmëri të mëdha te publiku, i cili tashmë është i etur për të parë se si do të zhvillohet kjo eksperiencë unike brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.