Kjo puntatë e ‘Pop Culture’ ishte mjaft e veçantë për Dojna Memën. Moderatorja e njohur kishte si të ftuar speciale në rubrikën “Një ditë me Dojnën”, gjyshen e saj, që është bërë mjaft e njohur nga videot komike në ‘Instagram’. Gjyshja e Dojnës ka treguar detaje të shumta nga fëmijëria e moderatores dhe ka ndarë me teleshikuesit historinë e dhimbshme të jetës së saj.
Ajo ka treguar se është rritur pa nënë e pa babë, sepse i ati kishte ndërruar jetë gjatë luftës, ndërsa të ëmën e kishin detyruar të hiqte dorë nga fëmijët e të martohej sërish. “Nëna ime ishte shumë e re, 22 vjeçe kur u vra burri i saj dhe babi im, kështu që pjestarët e familjes nuk mund ta linin me ne. Nënën kur e morën e kanë lidhur në kafshë pelë ose mushkë çfarë ka qenë, e hipën aty dhe e lidhën me litarë sepse nëna ime nuk qëndronte dot, nuk donte të largohej nga fëmijët. Këtu u nda nëna me ne. Ne na rritën nëna me gjyshin. Mamanë time nuk e takova për 22 vite dhe gjyshja më fuste dashuri të madhe për babain tim, duke më treguar çfarë vlerash kishte ai. Për nënën më thoshte shkurtimisht, ka qenë një nuse e mirë, ka qenë një vajzë e mirë. Më vonë pas 10 vitesh nëna kërkoi që të na takonte dhe gjyshi vendosi që të çonte vetëm motrën time atje. Nëna ishte martuar në një fshat dhe rrinte atje”, ka rrëfyer gjyshja e Dojnës.
Më pas ajo ka treguar se nënën e saj e njohu kur ishte martuar dhe në momentin e takimit të ëmës i kishte rënë të fiktë. Gjyshja e Dojnës ka shtuar se pas atij momenti shkoi e vizitoi sërish nënën në shtëpi dhe për të kishte qenë gjë shumë e rëndë të takonte burrin e mamasë së saj. E emocionuar nga historia, Dojna është përlotur dhe i ka dhuruar gjyshes së saj një përqafim.
Kujtojmë se gjyshja e Dojnës u bë shumë e njohur përmes videove në ‘Instagram’, me të cilat i bëri të gjithë njerëzit për vete. /revistawho.com