Mbrëmja e djeshme në Big Brother VIP Kosova 4 u shndërrua në një nga më të tensionuarat e këtij edicioni, duke sjellë jo vetëm përplasje fizike mes banorëve, por edhe një vendim eliminimi që ka shkaktuar reagime të forta në publik.
Në pamjet që qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale, shihet qartë Dolce, e cila fillimisht e shtyn Albën, duke e goditur në fytyrë, ndërsa kjo e fundit përfundon e rrëzuar mbi divan. Situata përshkallëzohet më tej kur Dolce, nga distanca, gjuan drejt Albës edhe me një shishe, skenë që u komentua gjerësisht si akt dhune brenda shtëpisë.
Nga ana e produksionit, gjatë spektaklit u theksua se Shkurta dhe Alba u konsideruan pjesë e fajit, pasi sipas tyre loja e ngacmimeve me ujë kishte nisur prej tyre. Banorët kishin shprehur hapur se nuk dëshironin të lagen, ndërsa u tha se situata mund të ishte shmangur nëse loja do të ishte ndalur më herët. Por kjo qasje ngriti një pyetje të fortë në publik: a mund të justifikohet dhuna fizike me një lojë provokimesh?
Ndërkohë, surpriza e vërtetë e mbrëmjes erdhi me eliminimin e Shkurta Haxhiut, e cila u largua nga gara pas një televotimi të fortë, ku të nominuar ishin Alba Pollozhani, Labinot Rexha, Benita Zena dhe Dolce. Shkurta u bë kështu e larguara e dytë e mbrëmjes, në një moment kur vëmendja ishte përqendruar te incidenti i rëndë mes Dolces dhe Albës.
Menjëherë pas daljes nga shtëpia, Shkurta reagoi ashpër, duke akuzuar publikisht produksionin, pasi sipas saj nuk iu dha hapësira e nevojshme për të treguar historinë personale dhe për të shpalosur plotësisht veten si artiste dhe aktiviste. Ajo la të kuptohet se rrugëtimi i saj në BBVK ishte i pabarabartë dhe i cunguar.
Ndërkohë, rrjetet sociale janë “zjarr”, me qindra komente kundër vendimit për të mos marrë një masë të menjëhershme ndaj Dolces. Shumë ndjekës e cilësojnë të padrejtë faktin që një akt dhune, që përfshiu goditje me dorë dhe përdorim sendesh ndaj një banoreje tjetër, u trajtua vetëm përmes nominimit dhe jo përjashtimit të menjëhershëm.
Spektakli vazhdon, por kjo mbrëmje ka lënë pas një debat të fortë: ku mbaron loja dhe ku fillon dhuna në formate si Big Brother VIP?







