Nga Dr. Adem Harxhi
Për të shkruar lidhur me këtë temë, më nguci pyetja që më ka dërguar një vajzë në e-mail. Pyetja e saj është:
Doktor,
Më ka takuar që të bëj seks me partnerë që nuk i njoh. Unë e di që kjo është e rrezikshme, por ka ndodhur dhe nuk them dot se nuk do të ndodhë përsëri.
Të lutem, më trego, çfarë duhet të bëj që të jem më e sigurt?
Faleminderit.
Sjellja seksuale e kësaj vajze është shumë e rrezikshme, ndaj, çdo vajzë dhe grua që vepron në këtë mënyrë, duhet të përpiqet të respektojë disa rregulla, që do ta bëjnë seksin rastësor më pak të rrezikshëm.
Që në fillim dua ta them prerë dhe shkoqur: Gjëja më e mirë që duhet të bëni për veten dhe për partnerin tuaj seksual, është të përdorni: Kondomet! Kondomet! Kondomet!
Për të parandaluar sa më mirë sëmundjet që transmetohen seksualisht, ju duhet të dini dhe të zbatoni disa rregulla kur bëni seks rastësor.
Ju duhet të përdorni në mënyrë korrekte kondomin mashkullor prej lateksi ose poliuretani, në çdo akt interkursi vaginal, anal dhe oral. Ndonëse kondomi mashkullor prej lateksi nuk është 100 për qind efektiv, ai e pakëson dukshëm rrezikun e transmetimit të sëmundjeve. (Kondomi femëror krijon një lloj mbrojtjeje nga SST-të, por nuk është aq efektiv sa kondomi mashkullor.) Kondomi nuk ju mbron prej plagëve që mund të jenë në zonat e pambuluara nga kondomi. Përdorimi i lubrifikantit me bazë ujore bën që kondomet të çahen më rrallë.
- Refuzoni kategorikisht seksin me një person që nuk bindet për të përdorur kondomin.
- Lani organet gjenitale me ujë e sapun pas çdo akti seksual. Kjo eliminon parazitët dhe bakteret që mund të kenë mbetur në gjenitale.
- Urinoni pas aktit seksual. Kjo ndihmon të eliminohen bakteret që mund të kenë hyrë në uretrën e vajzës.
- Vetekzaminoni rregullisht gjenitalet. Njerëzit duhet të familjarizohen me dukjen normale të organeve të tyre gjenitale. Kjo do të ndihmojë të dallohen simptomat, të cilat zhvillohen kur personi është infektuar me SST.
- Kufizoni marrëdhëniet seksuale kur jeni me menstruacione. Gjatë menstruacioneve, gratë që kanë HIV/AIDS janë më infektuese për burrat, ndërkohë që, gratë e shëndetshme, kur janë me menstruacione janë më të rrezikuara për t’u infektuar prej partnerëve të infektuar. Përdorimi i kondomit gjatë menstruacioneve është domosdoshmëri, sepse e pakëson shumë rrezikun e infektimit.
- Bëni vaksinimin për human papilloma virus (HPV) dhe për virusin e hepatitit B. Vaksinimi me Gardasil për parandalimin e kancerit cervikal, duhet të bëhet përpara se vajza të fillojë jetën seksuale aktive, pra në moshën 12-13 vjeçe.
- Evitoni interkursin anal. Rektumi dhe anusi përmbajnë sasi të mëdha bakteresh. Kontakti me këto baktere mund të shkaktojë SST, si tek gratë, ashtu edhe tek burrat. Kur preferohet interkursi anal, duhet të përdoret patjetër një kondom lateksi.
- Bëni kujdes kur shkëmbeni lojërat seksuale. Për arsye se SST-të mund të transmetohen nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve trupore, ata që përdorin lojërat seksuale, bashkë me to duhet të përdorin edhe kondomin.
- Është mirë që partnerët të tregojnë historitë e tyre seksuale me njëri-tjetrin. Këto tregime janë me rëndësi për të dy, sepse njerëzit që angazhohen në aktivitet seksual, i çdo lloji qoftë ai, janë të gjithë në rrezik për t’u infektuar me SST. Partnerët duhet t’i tregojnë njëri-tjetrit lidhur me përdorimin e drogave dhe të kuptojnë domosdoshmërinë e bërjes së analizave për SST. Analizat janë veçanërisht me rëndësi kur fillohet një marrëdhënie e re seksuale. Analizat për SST duhet të kryen gjatë kontrolleve mjekësore rutinë. Ka shumë raste kur partneri nuk tregohet i ndershëm dhe nuk i tregon tjetrit se përdor droga, nuk i tregon historitë e tij seksuale, ose nuk tregon se është testuar ose jo për SST. Për të evituar çdo të papritur, njerëzit duhet të kërkojnë e të shikojnë për shenjat e SST-ve tek partnerët e tyre. Edhe pse shumë SST nuk kanë gjithmonë shenja të dallueshme, kurrë mos u angazhoni në aktivitet seksual me një partner tek i cili keni dalluar qartë simptomat e një SST-je. Mos merrni pjesë në aktivitete seksuale me partnerë që janë duke u kuruar për një SST, qoftë ajo edhe e shërueshme. Sëmundja mund të jetë ngjitëse, gjatë gjithë kohës që vazhdon mjekimi dhe kur mjekimi nuk është kryer komplet.
- Merrni masa serioze sigurie kur bëni seks me një person, burrë apo grua, të cilit nuk ia dini historinë seksuale. Kur ke vendosur të bësh seks me një person të panjohur, tregoji dikujt që i beson se ku do të shkosh. Në çdo rast, dikush duhet ta dijë se ku jeni. Përpiqu të mësosh sa më shumë gjëra lidhur me personin me të cilin do të shkosh; më së paku të jesh e sigurt se nuk po shkon në shtëpinë e një keqbërësi, një përdhunuesi, një trafikanti apo një vrasësi.
- Vajzat dhe gratë nuk duhet të bëjnë kujdes vetëm për tualetin kur shkojnë në takim, por më shumë duhet të kujdesen për higjienën e tyre dhe të partnerëve. Është mirë të bëni një dush para se të bëni seks.
- Dhe në fund, gratë dhe burrat që bëjnë seks me partnerë të panjohur provojnë disa fantazi që i bëjnë të shqetësohen. Ata, më shumë shqetësohen dhe kanë ankthin se si do të performojnë gjatë lojës seksuale. Merrni masat e duhura dhe ndihmoni veten që të jeni në lartësinë e momentit. Eliminoni shqetësimet e performancës dhe të pamjes suaj, relaksohuni dhe gëzoni.
Para se ta mbyll këtë shkrim, dëshiroj t’i kthehem edhe njëherë kondomit, me të cilin e fillova këtë shkrim. Diku gjetkë, kondomin, e kam quajtur si shpikja më e madhe e mendjes njerëzore në gjithë këta shekuj të njerëzimit. Në qoftë se dikush nuk është dakord me mua, le të më tregojë një shpikje tjetër që është kaq e lirë dhe që mbron nga më shumë se tridhjetë sëmundje seksualisht të transmetueshme; midis tyre, shumë sëmundje të rrezikshme për jetën, siç janë: AIDS, sifilizi e shumë të tjera.
Ja pse kondomi duhet të përdoret domosdoshmërisht në të gjitha marrëdhëniet seksuale, veçanërisht, në marrëdhëniet seksuale të rastësishme. Këtë mos e harroni kurrë! Në marrëdhëniet rastësore, ju nuk e njihni partnerin dhe ai nuk ju njeh juve. Ju nuk dini historinë seksuale të tjetrit. Edhe pse kondomi nuk është 100% efektiv kundër çdonjërës nga sëmundjet që transmetohet seksualisht, ai është shumë më i sigurt nga çdo formë tjetër e mbrojtjes.
Mos harroni! Pilulat dhe format e tjera të kontrollit të lindjes që përdorni për t’u mbrojtur nga shtatzënia e padëshiruar, nuk ju mbrojnë nga sëmundjet infektive seksuale. E vetmja mbrojtje nga këto sëmundje është kondomi i përdorur në mënyrë korrekte dhe rregullisht. Kjo do të thotë që kondomi të përdoret sa herë bëni seks dhe të përdoret ashtu si duhet.
Çdo grua duhet të praktikohet që ta vendosë kondomin tek penisi i partnerit. Mos e konsideroni këtë, detyrë vetëm të burrave. Për ta mësuar dhe për t’u shkathtësuar në vendosjen e kondomit, përdorni për provë një banane. (Burrat e kanë “bananen” e tyre ku duhet të stërviten.) Bëni çdo përpjekje që të ndiheni sa më komforte me procesin dhe të jeni të sigurta se e vendosni atë në momentin e duhur. Kondomi duhet të vendoset para se të fillojë penetrimi. Mos lejoni penetrimin pa kondom.
Kondomet! Kondomet! Kondomet! Nuk do t’i përsëris të gjitha ato që ju thashë më sipër, por dëshiroj t’ju rikujtoj: Ju nuk duhet ta rrezikoni jetën tuaj! Sigurohuni t’i keni kondomet gjithmonë me vete dhe t’i përdorni ato vazhdimisht.