Dua Lipa dhe i fejuari i saj, aktori britanik Callum Turner, sapo kanë hapur një kapitull të ri në jetën e tyre – këtë herë si bashkëthemelues të një kompanie kinematografike. Dyshja ka krijuar TwentyTwo Films Limited, një sipërmarrje që synon të prodhojë filma dhe programe televizive, ku të dy zotërojnë aksione të barabarta.
Një burim pranë çiftit i tha The Sun : “Dua dhe Callum janë njerëz shumë ambiciozë dhe kanë shumë plane për sipërmarrje që duan të bëjnë së bashku.”
Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka flirtuar edhe më parë me botën e filmit, por duket se këtë herë dëshiron të ketë fjalën e saj vendimtare në projekte. “Ajo është përpjekur tashmë të përfshihet në kinema në të kaluarën. Por nëse ajo kalon në projekte të reja, ajo dëshiron të ketë më shumë kontroll krijues,” shtoi i njëjti burim.
Burimi përmendi gjithashtu se planet janë ende në fazë të hershme, por entuziazmi është i madh: “Ajo dhe Callum kanë shumë ide që mendojnë se do të funksionojnë. Është ende shumë herët, por motorët po ecin përpara.”
Ky hap sjell në mend edhe suksesin e Margot Robbie-t dhe bashkëshortit të saj Tom Ackerley, të cilët themeluan LuckyChap Entertainment, që më vonë solli filma të mëdhenj si “I, Tonya”, “Saltburn” dhe “Barbie”, ku vetë Dua pati një rol të vogël.








