Pas triumfit të madh dhe shpalljes kampion për herë të 25-të në Superligën turke, Galatasaray kishte në plan të organizonte një festë madhështore, që të mbetej gjatë në kujtesën e tifozëve. Një nga idetë më ambicioze ishte ftesa për të performuar e superyllit të muzikës pop, Dua Lipa.
Sipas mediave turke, klubi u përpoq të siguronte pjesëmarrjen e këngëtares me famë botërore, por ajo “kërkoi 3.5 milionë dollarë për një paraqitje live”, një shumë që u konsiderua e papërballueshme nga drejtuesit e klubit dhe u refuzua.
Megjithëse nuk do të kenë në skenë yllin me origjinë shqiptare, festa për titullin e 25-të nuk do të mungojë. Ky sukses i jep Galatasaray të drejtën të shtojë pesë yje mbi stemën e saj – një simbolikë që në futbollin turk përfaqëson çdo pesë kampionate të fituara.
Themeluar në vitin 1905 nga Aliu, djali i Sami Frashërit, Galatasaray vazhdon të jetë klubi më i dekoruar në historinë e futbollit turk, duke forcuar pozitën si një nga ikonat më të mëdha sportive të vendit.








