Disa ditë para startit të Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa ka shpërthyer në rrjetet sociale me një reagim të ashpër ndaj një fenomeni që, sipas tij, po përsëritet çdo vit: kërkesa për bileta falas dhe akomodime “belesh”.
Përmes disa postimeve në Instagram, ai kritikoi hapur ata që pavarësisht mundësive financiare, nuk ngurrojnë të kërkojnë favore në prag të një eventi kaq të madh muzikor.
“ASNJO prej jush nuk jeni rast social. Çdo të Premte hipni në aeroplan për Evropë, për qejf, eksportoni kesh jashtë Kosovës, e kur vjen puna me ble bileta për festival – ju doket shpenzim,”** shkroi ai, duke vënë në pah kontradiktën midis jetesës së luksit dhe refuzimit për të paguar një biletë.
Sipas Lipës, Prishtina ofron përjetime unike gjatë fundjavës së festivalit, të cilat nuk mund të krahasohen me asnjë qytet tjetër evropian për të njëjtin çmim. Por për disa, prioriteti mbetet “me i marrë gjanat pa pagu”.
Në një tjetër story, ai u shpreh me ironi për mungesën e vlerësimit ndaj vendit të vet:
“Në vend me ftu miqtë evropianë për me përjetu Kosovën, harxhoni energji për bileta ‘belesh’, kurse për çdo gjë tjetër në Evropë paguani plotësisht.”
Mesazhi i tij përmbyllës ishte po aq i prerë sa i sinqertë:
“Krejt Kosovën nuk e nxen n’VIP!!!”
Sunny Hill Festival, që këtë vit pritet të rikthehet me një line-up të fuqishëm dhe energji të re, është kthyer në simbol të kulturës moderne në Kosovë — por, siç duket, Dukagjin Lipa nuk do që ai të shndërrohet në një festë “për miqtë me kërkesa”. Ai kërkon respekt, mbështetje reale dhe vlerësim të asaj që ky festival përfaqëson.








