Këtë vit, një ngjarje e pazakontë bashkoi të krishterët në mbarë botën: Pashkët katolike dhe ato ortodokse festohen në të njëjtën ditë, më 20 prill. Një rastësi e rrallë, që vjen si pasojë e përputhjes së kalendarit Gregorian dhe atij Julian — dhe që, sipas Papa Françeskut, nuk duhet të jetë vetëm një rast fatlum, por një thirrje për unitet.
Çfarë janë Pashkët?
Pashkët janë festa më e rëndësishme për të krishterët, që përkujton ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit. Ndërsa katolikët ndjekin kalendarin Gregorian të vendosur në shekullin XVI nga Papa Gregori XIII, ortodoksët i qëndrojnë kalendarit Julian, që daton që nga koha e Jul Cezarit. Ky ndryshim krijon zakonisht një hendek kohor prej 12 ditësh mes dy festimeve.
Por këtë vit, për shkak të përputhjes së rrallë të kalendarëve, të gjithë të krishterët kremtuan së bashku. Kjo përkoi edhe me një vit jubilar ekumenik, të shpallur nga vetë Papa Françesku, i cili inkurajoi besimtarët të bëjnë një pelegrinazh në Romë.
“Është një rastësi e lumtur që Pashkët në këtë vit jubilar ekumenik festohen në të njëjtën ditë si në kalendarin Gregorian ashtu edhe në atë Julian,” tha Papa. “U bëj thirrje të gjithë të krishterëve që ta kuptojnë këtë si një ftesë për të ndërmarrë një hap vendimtar drejt unitetit.”
Papa kujtoi edhe Këshillin e Nikeas, të mbajtur në vitin 325 pas Krishtit, ku u vendos për herë të parë një datë e përbashkët për Pashkët. Sot, 1700 vjet më vonë, kjo rastësi mund të jetë një shans për të ringjallur atë frymë bashkimi nënjë botë që shpesh duket e ndarë.
Në mesazhin e tij, ai theksoi edhe rëndësinë e komunikimit të ndershëm dhe ruajtjes së të drejtës për informim, duke paralajmëruar kundër lajmeve të rreme dhe manipulimit.