Turjan Hysko është rikthyer së fundmi në një intervistë për “The Dalina Show”, në Andale Media, ku ka ndarë me Dalina Buzin momente nga karriera dhe përvojat e tij në televizion.
Në këtë bisedë, producenti dhe aktori i njohur foli për periudhën pesëvjeçare në TV Klan dhe për emisionin e humorit “Klanifornia”, një projekt që, për habinë e publikut, ai pranoi se nuk e ka shijuar kurrë plotësisht.
“‘Klanifornian’ unë e kam bërë pa dëshirë. Është hera e parë që po e them. Është hera e parë që kam bërë kompromis. Pavarësisht se kishim shikueshmëri shumë të fortë, sepse ‘Klani’ është një logo shumë e madhe sidomos gjatë vitit të pandemisë, derisa erdhi ‘Big Brother’-i,” rrëfeu Turjani.
Ai sqaroi se mungesa e dëshirës vinte nga vetë natyra e formatit, i cili, sipas tij, nuk i jepte hapësirë të mjaftueshme për të qenë krijues në kuptimin e plotë të fjalës.
“Për mua si krijues, nuk ishte krijim. Ishte një përzierje që kishte humor, muzikë, balet… për të prodhuar diçka të freskët, por jo diçka që më përfaqësonte vërtet. Nuk ka gjë më të lodhshme. Nuk do t’i kthehem më kurrë. Nëse do të prodhoj diçka, nuk dua më shumë se shtatë veta, sepse aktorin duhet ta lësh të lirë në gjithë ngjyrat e tij. Ndërsa ne merreshim me hallet e përditshme të njerëzve, kredi, stres, shkollat e fëmijëve dhe unë i kuptoja të gjitha.”








