“Ferma VIP” ka qenë shpesh skenë rrëfimesh të forta dhe prekëse, por rrëfimi i Elinarës ka lënë gjurmë të thella, jo vetëm tek publiku, por edhe tek vajza e saj, e cila ka zgjedhur të flasë publikisht për herë të parë.
Në një mesazh dërguar Ferma Club, vajza e Elinarës ndan emocionet e saj pas dëgjimit të historisë tronditëse të nënës, e cila, në moshën 18-vjeçare, përjetoi një përpjekje për sulm seksual dhe arriti të shpëtojë vetëm duke u hedhur nga një makinë në lëvizje.
Letra prekëse që vajza dërgoi është një thirrje për guxim dhe për t’i dhënë fund heshtjes. Ajo përshkruan lidhjen e ngushtë me nënën dhe tregon se historia e Elinarës ka më shumë dhimbje se ç’është treguar në emision.
“Së vërteti, kur pashë që fermerët po ndanin historitë e tyre të dhimbshme, sesi janë abuzuar fizikisht dhe psikologjikisht, u preka shumë, sepse e imagjinoja se çfarë historie do tregonte mami. Por pastaj, kur dëgjova historinë e saj, vura re që ajo e mbante veten të heshtur për të mos treguar një pjesë më të dhimbshme të jetës së saj, më të dhimbshme se ky fragment i rinisë së saj. Ndoshta nuk është ndjerë gati të ndajë atë pjesë, dhe këtë nuk dua ta shtjelloj më shumë, sepse nuk është historia ime për ta folur.”
Në vijim të mesazhit të saj, ajo përforcon një mesazh fuqizimi për të gjitha gratë që kanë kaluar trauma të ngjashme:
“Por njeriu bëhet më i fortë kur kalon beteja të tilla në jetë, dhe dua të inkurajoj të gjitha femrat që të mos dorëzohen në këto lojëra të njerëzve që abuzojnë në çdo formë. Ti je më e fortë se aq dhe mund t’ia dalësh. Duaj veten në radhë të parë, sepse çdo gjë nis nga vetja dhe pastaj nga të tjerët. Nuk je vetëm, mos hesht!”
Letra përfundon me një falënderim për komunitetin e Ferma VIP dhe një përqafim simbolik për të gjitha gratë që kanë nevojë për mbështetje.