Gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Në Kurthin e Piter Pan”, gazetarja Aulona Musta ndau një rrëfim të ndjerë nga fëmijëria e saj, që preku zemrat e publikut. Në një atmosferë mes batutave dhe kujtimeve, ajo foli për një sëmundje të rëndë që e detyroi të qëndronte në spital për më shumë se një muaj, dhe për rolin e jashtëzakonshëm të gjyshes së saj në atë kohë të vështirë.
“Kur kam qenë e vogël kam kaluar një sëmundje të rëndë, goxha të rëndë, ku mjekët i kanë thënë mamit tim që është mrekulli që Aulona është në jetë dhe për një muaj, një muaj e pak kam ndenjur në spital. Çdo darkë nëna vinte atje që rrinte me mua që të mos isha vetëm.”
Ajo kujtoi me emocione të mëdha imazhin e gjyshes që hynte në dhomën e spitalit, për ta mbajtur pranë në çdo mbrëmje.
“Sot e kësaj dite kam atë imazhin e saj që e shikoja kur isha e shtrirë dhe ajo futej tej dera dhe sot ajo që nuk jeton më, u bënë shumë vite, ia ndiej mungesën në mënyrë të jashtëzakonshme.”
Gazetarja përmendi edhe gjyshen tjetër, e cila ende është gjallë, duke dhënë një mesazh për rëndësinë e gjyshërve në jetën e fëmijëve:
“Kam fatin e madh që kam ende në jetë nënën tjetër, gjyshen nga ana e babit të cilën e dua dhe e përshëndes shumë. Ajo ka jetuar larg, ka qenë në Vlorë prandaj nuk kemi qenë gjatë gjithë kohës bashkë. Por, dua t’u them fëmijëve që jeni me fat që keni gjyshërit në jetën tuaj dhe është dhurata më e bukur.”








