Në një ditë ku rrjeti dhe showbizi shqiptar janë mbuluar nga lajmi i rëndë, familja e Shpat Kasapit ka dhënë dëshminë e parë pas ndarjes së tij të papritur nga jeta. Mes dhimbjes dhe hutimit, vëllai i këngëtarit ka rrëfyer çfarë dinë deri tani… dhe çfarë dyshojnë.
Shpati ndodhej në Itali bashkë me bashkëshorten dhe djalin 4-vjeçar, për një kontroll rutinë mjekësor. Ajo që pritej të ishte një udhëtim i qetë familjar, u kthye në tragjedi në orët e vona të së martës, kur këngëtari është ndjerë papritur keq dhe më pas ka ndërruar jetë.
Në një intervistë për Top Channel, vëllai i tij, Albini, ka pohuar se: “Ka patur disa probleme të vogla…”, duke sqaruar se ndihma e parë u dha menjëherë në banesë, por fatkeqësisht Shpati nuk arriti të mbijetonte. Ai shtoi se mjekët po dyshojnë për një arrest kardiak, ndërsa familja pret ende konfirmimin zyrtar.
Me zërin e dridhur nga tronditja, ai ka rrëfyer se kur morën lajmin e parë nga Italia, shpresuan me gjithë zemër të ishte një keqkuptim: “e priste me qef, por nuk mundi…” – një fjali që ka thyer zemrat e publikut.
Teksa u pyet për historinë shëndetësore të këngëtarit, Albini u shpreh se Shpati kishte patur ndonjëherë shqetësime të vogla me zemrën, por asgjë serioze, duke e bërë humbjen edhe më të pakuptueshme.
Trupi i tij ndodhet ende në Itali dhe pritet të kryhen të gjitha procedurat për sjelljen e tij në Shqipëri.
Ndërkohë, rrjeti është mbushur me mesazhe homazhesh nga kolegët, miqtë dhe fansat – të gjithë të tronditur nga ndarja nga jeta e një prej zërave më të dashur të muzikës shqiptare.
Dhe mes gjithë kësaj trishtimi, një detaj që ka shtuar edhe më shumë dhimbje është fakti se Shpat Kasapi ishte konfirmuar si banor i “Big Brother Albania VIP 5”, një rikthim në skenën e madhe që, siç thotë familja, “e priste me qef”, por nuk mundi ta jetonte.







