Në një intervistë të ndjerë me gazetaren Mirela Milori, aktivistja dhe figura publike Edlira Çepani ndau emocionet e saj pas ndarjes nga jeta të partnerit të saj të zemrës, Gerti Bogdani.
E përlotur, Edlira foli me sinqeritet për boshllëkun që ka lënë pas Gerti, duke theksuar se mungesa fizike ndihet thellë, por praninë shpirtërore e përjeton çdo ditë.
“Mua patjetër që më mungon Gerti, por ai ka lënë pas një dashuri aq të madhe sa për tre jetë, për mua dhe fëmijët. Sado i shkurtër apo i gjatë do jetë ky rrugëtimi pa Gertin, ai nuk do të jetë kurrë pa Gertin, sepse ai është aty me ne,” tha ajo.
Edlira kujtoi me mall ndihmën dhe përkrahjen që Gerti i jepte në çdo hap të jetës, qoftë përmes këshillave të sakta apo edhe në momentet e vogla të gëzimit që ndanin së bashku.
“Na mungojnë këshillat që i kishte gjithmonë të sakta, ato parashikimet politike që i kishte gjithmonë të sakta. Më mungon pjesa që dhe kur arrinim suksese të vogla, gëzimin e ndanim gjithmonë bashkë. Sot i ndaj me të, por jo si përpara. Ishte mbështetësi im më i madh,” u shpreh Çepani me emocione.