Pak ditë para finales së madhe të “Big Brother VIP Albania”, tensionet mes banorëve vazhdojnë të rriten. Në një emision radiofonik live në Top Albania Radio, një moment i papritur ka marrë vëmendjen e publikut – Egli Tako është larguar nga intervista pas një përplasjeje me Gjestin.
Në programin e moderuar nga Gjesti dhe Loredana Brati, të ftuarit ishin Egli dhe Gerta Gixhari. Fillimi i bisedës ishte i qetë, me komplimente mes moderatorëve dhe një atmosfere miqësore. Gjesti vlerësoi buzëqeshjen e Loredanës dhe tha se e donte shumë.
Më pas, vëmendja u përqendrua te Gerta, e cila është në nominim kokë më kokë me Rozana Radin. Ajo u pyet nëse e shihte veten si finalisten e parë të edicionit, dhe u përgjigj:
“Këtë nuk e them dot… unë e shikoj veten përpara Rozanës. Për të gjithë atë çka kam dhënë në shtëpi. Si një lojtare pak ngacmuese, por kam qenë e drejtë, nuk kam bërë skema. E mirë e keqe, me gjithë situatat e mia, ku jam sulmuar shumë dhe nga banorët e shtëpisë… Më kanë sulmuar për profesionin, ka qenë Rozana. Më kanë sulmuar tek familja, sërish Rozana kjo… më bënte presion.”
Biseda vijoi me Eglin, e cila u pyet nëse kishte ndjekur një strategji në lojën e saj. Ajo u shpreh:
“Biseda ime e parë, ka qenë nga frika për të hyrë… Se e kam marrë ftesën dhe në vite të tjera. Këtë vit kisha një thirrje, thashë pse jo, hapja derën një mundësie të re. Autoren e pyeta çfarë të bëj unë aty?!”
Sipas Eglit, ajo ka vepruar natyrshëm, pa ndjekur ndonjë strategji të caktuar:
“Nuk kam qenë personi që ndiqte ‘Big Brother’ 24h.”
Por në këtë pikë, ndërhyri Gjesti, duke i kujtuar se pyetja ishte e thjeshtë dhe duke nënkuptuar se ajo po zgjatej shumë me përgjigjen e saj. Kjo ndërhyrje nuk u prit mirë nga Egli, e cila e quajti sjelljen e tij të pasjellshme dhe u ndje e ofenduar, duke vendosur të largohej nga intervista. Ajo deklaroi:
“Kjo është hera e dytë që me ke ofenduar në një intervistë, me gjithë respektin për Top Albania Radio dua të largohem, sepse një herë e kam bërë gabimin… Ishte përgjigja e parë që dhashë që kur jam ulur dhe më ndërpreve pa respekt, nuk ta lejoj.”
.