Banorja e “Big Brother VIP 4”, Egli Tako, ka ndarë sërish mendimet e saj për marrëdhënien pesëvjeçare me aktorin e humorit, Olsi Bylyku, një lidhje që ka përfunduar dy vite më parë.
Gjatë një bisede në shtëpinë e famshme, ajo theksoi se kjo histori është një kapitull i mbyllur dhe se nuk dëshiron që dikush t’ia rikthejë si temë diskutimi.
“Nuk do të më vinte mirë nëse dikush do të ulej dhe do të fliste, do hynte në anë sentimentale, kujtime, ta përmendte atë me të cilin jam aktualisht. Me gjithë respektin e botës, jam shumë mirënjohëse për kohën që kemi kaluar, ama kjo mbyllet këtu, sepse ka dy vite që kjo gjë është mbyllur,” tha Egli, duke shtuar se ka kaluar një periudhë reflektimi dhe shërimi emocional.
Ajo nënvizoi se kupton interesin publik për këtë temë për shkak të natyrës së marrëdhënies së tyre, por mendon se shpjegimet e duhura janë dhënë tashmë.
“E kuptoj që ka qenë diçka publike dhe ti ke detyrim për të dhënë një shpjegim, shpjegimet janë dhënë deri aty ku duhet të jepen dhe këtu mbyllet ky kapitull. Kaq është e gjitha, nuk ndjej asnjë lloj tensioni, jam shëruar, jam e ftohtë për këtë gjë. Kam emocion por pa u përfshirë në të,” përfundoi këngëtarja.
Egli tregoi se është e fokusuar në të tashmen dhe se lidhjet e së kaluarës nuk janë më pjesë e jetës së saj aktive.