Intervista nga Manjola Markola/Photoshooting: Geljant Kaleci/ Make-up: Henri Gjata (MUA)/ Hairstyle: Flori_Hairstyle/ Location: Arte Hotel Boutique
“Arroje-arroje-arroje”! Po, këtë herë me ne është Loredana Brati. U shfaq si një vajzë e panjohur për publikun dhe doli me një dashuri të madhe prej tij. Mes emocioneve, pengjeve, miqësive, intrigave dhe dashurisë, Loredana rrëfen gjithçka që përjetoi dhe atë pret të jetojë në Tiranën e zemrës. Pa maskë, pa filtra, vetëm nën buzëqeshjen dhe dritëhijet e asaj që përfaqëson Loredana.
Si ka qenë kjo periudhë për ty?
Ju përshëndes edhe urime për punën tuaj, kur kam qenë e vogël shpesh lexoja shumë revista e më pëlqen që kjo traditë e modernizuar vazhdon. Kjo periudhë për mua ka qenë sfiduese, jam munduar të studioj ambientin përreth meje e të përshtatem me jetesën e re. Por, në fund të ditës kam dashur t’i marr më të mirën çdo gjeje e të eci para plot pozitivitet.
Ka ndryshuar përditshmëria jote nga para dhe pas Big Brother?
Më ka ndryshuar jeta, jo përditshmëria. Pra ti thjesht zgjohesh në mëngjes edhe ke një rutinë krejtësisht ndryshe. Një ëndërr e imja që po vazhdon dhe që tani e jetoj çdo ditë.
Çfarë përvoje qe për ty “Big Brother VIP”? Vendimin për t’u bërë pjesë e tij e kishe të mirëmenduar apo në moment të fundi the: -Ok, po e provoj?
“Big Brother” për mua ka qenë një eksperiencë për të cilën do t’i jem përherë mirënjohëse produksionit të “Top Channel”. Vendimi erdhi shumë papritur, rastësisht një mikeshë e imja që tashmë e konsideroj shoqe të ngushtë, duke parë tipin tim, karakterin, mënyrën sesi i bëja njerëzit rreth meje për të qeshur, e shpërndaja pozitivitet me tha që isha fiks personazh për “Big
Brother”. Më pas, pas disa etapave, nuk iu besoja dot syve që më pranuan e besuan tek unë. Por besoj që as unë nuk kam zhgënjyer me atë që kam dhënë në atë format.

Big Brother është një arenë ku praktikisht ekspozohet e gjithë jeta jote në pak javë. Sa i thjeshtë dhe i vështirë ishte ky proces për ty? Ka diçka që do kishe dashur ta pasqyroje më shumë dhe diçka tjetër që do kishe dashur ta “fshihje”?
Për mua që nuk kam qenë person publik ka qenë e vështirë e në disa raste vazhdon të jetë ende e vështirë. Ndoshta do doja shumë ta shprehja e ta tregoja ende më shumë veten për atë që jam pasi aty duke menduar se po interpretohem keq jashtë apo si e merr publiku. Mendoja se batutat e mia po më bënin të dukesha keq në sy të publikut. Po ta dija që kam bërë namin për mirë do kisha vazhduar akoma më shumë e do kisha dhënë më shumë, pas Lori kur bëhet fjalë për tek e qeshura nuk ndalet. Këtë mënyrën e batutës e kam marrë nga babai, edhe ai kështu është si tip, kështu që nëse do ta kisha parë reagimin e publikut, “arroje” se do ndaloja.
Çfarë mësoi Loredana për Loredanën aty brenda?
Mësova që jam më e fortë ngase e mendoja. Mësova të buzëqesh kur shpirti të plas nga
brenda! Mësova shumë në një kohë të shkurtër. Presioni se je e vëzhguar 24/24 nga kamerat sigurisht që është i madh dhe të duhet në njëfarë mënyre të kamuflosh veten, ndjesitë, që mos të shprehësh atë anën e dobët, që hera-herës, për të mos thënë në shumicën e rasteve, të merret për dobësi.

Një nga marrëdhëniet që është komentuar më së shumti brenda në “Big Brother VIP 4” ka qenë ajo e jotja me Jozin. Po jashtë çfarë ndodhi?
Ajo është një histori që ndodhi, të gjithë e gjithë e panë çfarë ndodhi, si ndodhi. Është një e shkuar së cilës nuk dua t’i rikthehem. Megjithatë, i uroj gjithë të mirat.
Njohje, histori, dashuri, pengje, intriga, përfshirje, zhgënjim, procese që të rritën apo të bënë të ndiheshe keq, në një kohë kur kishe gjithë vëmendjen?
Sa shumë gjëra kanë ndodhur ëëë? Në një kohë që pranova të jem pjesë e një formati si “Big Brother”, sigurisht që disa fatura janë të prera që në fillim. Kështu që unë mund të them se i kam kaluar të gjitha këto procese që më kanë rritur, më kanë bërë më të fortë, më mësuan të mos pres më shumë seç duhet dhe të mos jap më shumë seç më japin.

Kur e kthen kokën pas, a të ka mbetur ndonjë peng nga përvoja jote në “Big Brother”?
Nuk më ka mbetur asnjë peng. Unë, një vajzë e rritur jashtë dhe që këtu nuk njihej. Kështu çdo gjë që kam ndërtuar përgjatë kohës që isha në “Big Brother”, e kam ndërtuar duke qenë 100% unë, puro Loredana. Hyra e vetme, me një “frikë” ndaj të panjohurës dhe dola me mbështetje të pafundme. A ka më fitore se kjo? E kam zemrën plot.
Tirana le të themi që rrotullohet rreth vetes dhe të gjithë janë kudo, ndaj është e lehtë të jesh koshiente me kë do të mbash miqësi, ti me cilët nga personazhet e “Big Brother VIP 4”, ke mbajtur miqësi?
Kam mbajtur miqësi me ata që kanë mbajtur miqësi me mua, me ata që më kanë vlerësuar, që më kanë shkruar kur kam qenë keq, me ata që më kanë ofruar mbështetje, me ata që nuk kthejnë rrugën kur shihemi nëpër Tiranë. Unë e kam nisur nga zero këtu. Nëse të tjerët e dinin se ku do shkonin kur të dilnin nga shtëpia e “Big Brother”, unë nuk ia kisha idenë. Kam gjetur shtëpinë, kam mësuar rrugët e çdo gjë tjetër. Pra, disi ka qenë e vështirë kjo pjesë për mua. Por falë zotit kam pasur pranë njerëzit e duhur.

Krijohen miqësi të vërteta në një aventurë të tillë?
Është ende disi herët për të testuar miqësitë e vërteta, pasi nuk ka kaluar shumë kohë, por mendoj që krijohen, pasi miqësia do investim nga të dyja palët. Me aq sa kam pasur mundësinë dua të ruaj raporte të mira me personazhet që më keni parë.
Është zhgënjyer Loredana nga ndonjë prej tyre, pasi ka parë, lexuar e dëgjuar lajmet
jashtë?
Kur kam parë lajmet, apo videot në TikTok, jam mërzitur pak me thënë të drejtën. Pastaj u mësova t’i marr me sportivitet dhe kam bërë madje edhe vetë disa video me videot e mia.

Pas Big Brother në “Goca dhe Gra”, si ishte për ty kjo përvojë? E sheh ekranin si habitat
në të cilin do të qëndrosh gjatë?
Ndihem shumë falënderuese që isha pjesë e këtij projekti kaq të bukur, ndoshta do doja të shprehesha më shumë, por premtoj që do përpiqem të jap më të mirën e të shpreh si duhet gjithçka kam brenda. Unë bluaj shumë, kam shumë informacione të vlefshme brenda vetes, por ndonjëherë nuk shprehem sa duhet. Po punoj për këtë edhe do jem gjithmonë e hapur për
projekte televizive.
Meqë jemi këtu, do qëndrosh në Tiranë, apo do ndryshosh destinacion?
Për aq kohë sa Tirana më trajton mirë, do qëndroj këtu. Pastaj, nëse s’do ndihem rehat, mjafton një biletë dhe kthehem atje ku kam jetuar përgjatë gjithë jetës sime. Por tani për tani, jam këtu.
Sa mbëshetje ka qenë familja jote në gjithë këtë rrugëtim tëndin?
Familja ka qenë mbështetja kryesore, dua që të ndihen krenarë e dua t’i bëj të lumtur. Natyrisht që edhe ata kanë rezervat e tyre, kush është ai prind që nuk i ka? Por në jetë, gjithmonë, ata kanë qenë mbështetja ime më e madhe.

Kohët e fundit ka qarkulluar një lajm për ty dhe Don Xhoni. Çfarë ka aty, ndonjë
bashkëpunim, apo diçka më shumë se aq?
Keni parë, ç’keni parë, mendoj që koha i tregon të gjitha. Hëhë 😉…
Dhe në fund, ku do të të shohim në shtator, a ke një projekt në furrë?
Tani po kujtoj atë shprehjen që është bërë virale në rrjet: Brumin po nuk e fute në furrë nuk ka si të dalë keku, hahahhaha… Po merrem me brumin, por premtoj që dhe keku do të jetë shumë i mirë…/revistawho









