Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci / Video: Henri Koçi
Sapo dera hapet, një vajzë e vogël bionde, me fustan jeshil e me flokë të mbledhura i afrohet të atit krejt natyrshëm. Vrapon nëpër sallon dhe duket sikur vallëzon duke e gëzuar çdo çast. I ngjan imazheve të reklamave që të bëjnë të ëndërrosh për gëzimin e lirinë e një fëmije, i ngjan reklamave që na bëjnë të besojmë se jeta është e bukur. Ajo që buzëqesh, ajo që vrapon, ajo që kërcen tejendanë një salloni të arreduar me shumë shije…
Babai i saj, është gazetari më i njohur në vend dhe ndonëse nuk i pëlqen ta pranojë një prej njerëzve me më shumë influencë në Shqipëri. Blendi Fevziu i lë mënjanë të gjitha kur hap shtëpinë për këtë kopertinë të fundvitit në ‘revistawho.com’. Biseda shkon gjatë dhe temat që diskutohen janë disa. E vogla është sot gjithnjë në qendër të vëmendjes, dhe kur vëren që i ati nuk e ka mendjen i afrohet dhe i kap faqet. Fevziu ka projektuar te ajo gjithë ëndrrat e tij. Sheh që i shkëlqejnë sytë kur merret me Alis. Nuk është marrë kaq shumë me vajzën e madhe, Mishelin. Mbase ndihet në faj, nuk di ta thotë as ai vetë. Inesi, bashkëshortja e tij rri gjatë gjithë setit fotografik me mua, duke u kujdesur veçanërisht që më e vogla të qeshë, por vetë nuk do që të bëhet pjesë e kopertinës. U bënë vite që e ka marrë këtë vendim. Ajo shfaqet krah tij në çdo dalje të rëndësishme publike, por kjo puna e fotosesioneve thotë se nuk është punë për të.
https://www.instagram.com/p/BsC1cEelkmU/
“”Është çështje pjekurie pa dyshim”, – thotë Fevziu kur e pyes për kujdesin ndaj vajzës së dytë. Dikur ishte ndryshe. Dhe ai kujton disa ‘dikur’, si kohën kur si zbukurim i vitit të ri shërbente ngjitja e pambukut në xham; dikur – si kohën kur protesta e studentëve të dhjetorit ndërroi një sistem e tani ndërron një qeveri – sepse sipas tij studentët na mësuan se të drejtat fitohen. Në këtë intervistë ai ndalet te familja, puna, udhëtimet e ëndrrat. Nga Emiratet e Bashkuara te Siria si destinacion i ardhshëm, Fevziu që gjithnjë kujdeset të pyesë pa dhënë një “Opinion” personal për politikën në vend – këtë herë gjykon qeverinë e re – ata që erdhën nga anonimati për t’u katapultuar pranë ‘perandorit’ – paqartësinë e një kriteri përzgjedhës dhe mungesën e përballjes me elektoratin si mangësi të emrave që do na qeverisin. Fevziu ka tashmë zërin e studentëve me vete kur flet për atë që prodhoi protesta dhe ëndrrat që ai pat dikur në moshën e tyre.
Ndjen pezmatim, pengje dhe zhgënjim, por dhe shpresë kur flet për situatën ku jemi. Fevziu studenti i dikurshëm ëndërron ende duke thyer një nga rregullat e tij: të flasë për punën në shtëpi. (PS: Kjo intervistë është realizuar me email, në kohë festash dhe për pasojë përgjigjet e Fevziut nuk janë edhe aq të gjata, por mes tyre do të gjeni shumë përgjigje).
Një baba i lumtur i dy vajzave. Më duket mua apo me vajzën e dytë po rikuperon kohën që ‘i ke vjedhur’ të madhes?
B.F: Po, shumë më tepër se sa me vajzën e madhe. Është çështje moshe dhe pjekurie padyshim. Tani jam shumë më i zënë, por organizohem më mirë që të kaloj kohë me të.
Kur ke vajza ke botën, thotë një këngë popullore. Ama mentaliteti (jo vetëm) shqiptar, do djem. A ke qenë ndonjëherë burri që dëshironte të kishte një djalë?
B.F: Jo asnjëherë. S’ka qenë kurrë shqetësim i imi.
Blend, sa e rëndësishme është një familje e lumtur për një burrë të suksesshëm? Ç’mendim ke për atë shprehjen “pas një burri të suksesshëm qëndron gjithmonë një grua e fortë”?
B.F: Të jesh i qetë në familje eshtë një kusht shumë i rëndësishëm nëse do të kesh sukses në karrierë ose në punë. Pastaj bota është e mbushur me shprehje që jo rrallë kundërshtojnë edhe njëra-tjetrën.
Sa janë këshilltare të tuat, bashkëshortja dhe vajza e madhe? Sa e ndan ngarkesën e punës me to?
B.F: Zakonisht nuk flas për punën në shtëpi. Shumë rrallë dhe nuk i përfshi pjesëtarët e tjerë të familjes në këtë histori.
Duke të ndjekur nga rrjetet sociale mendoj se je vërtet një qytetar i botës. E shijon në maksimum udhëtimin. Ku është destinacioni i radhës?
B.F: Tani që po i përgjigjem kësaj interviste jam në Emiratet Arabe. Besoj se destinacione të afërta do jenë, gjithnjë nëse gjërat shkojnë sipas planifikimit, Siria dhe Filipinet.
Udhëton vetëm më shumë, me miqtë apo me familjen?
B.F: Në të gjitha versionet. Me familjen destinacione më të lehta, me miq destinacione pak më të vështira, por edhe vetëm.
Jo shumë kohë më parë të pashë diku larg në foto, por kur erdhi dita e “Opinion”, jo vetëm që nuk kishte ritransmetim, por studio ishte e mbushur me studentë. Dua të them, nuk humbet asgjë nga aktualiteti dhe vazhdon t’i ndjekësh vetë temat deri në terren. Diçka që për fat të keq nuk e shohim edhe aq shpesh…
B.F: Për arsye te kohës së ngushtë, mundohem që udhëtimet t’i planifikoj sa më mirë. Qëllon që në mëngjes jam diku larg dhe në mbrëmjen e herët kthehem, zakonisht me udhëtimin që mbërrin në 20:30 dhe jam në studio në 22:00. Por kjo ndodh rrallë.
Meqë jemi në këtë temë, ç’mendim ke për protestat e studentëve, mënyrën si u organizua, si vazhdoi dhe si u mbyll (përkohësisht)?
B.F: Mendoj se kanë qenë eventi më i rëndësishëm politik i thuajse një dekade. Një leksion për të gjithë. Mua, gazetarët, politikën, qeverinë, por mbi të gjitha për prindërit e atyre studentëve. Ju mësuan të gjithëve që të drejtat fitohen dhe për to duhet të jesh i vendosur dhe të sakrifikosh. Pak ka rëndësi sa dhe si do vazhdojë; pak ka rëndësi nëse ishte kaotik dhe pa përfaqësi. Ajo e transformoi një herë e mirë skenën politike shqiptare dhe de fakto i rrëzoi Ramës një qeveri që e kishte ndërtuar vetëm një vit më parë.
Dhe e fundit, protestat e studentëve treguan që në vend ka një krizë të fortë përfaqësimi!
Pati shumë që hoqën paralele me protestat e dhjetoristëve të ’90. Si një prej tyre, a mendon se ka vend për krahasime të tilla?
B.F: Janë të ndryshme në produktin e tyre. Dhe në peshën që zenë në histori. Shumë gjëra të tjera ishin të ngjashme.
A është Shqipëria aty ku ju e ëndërronit në vitin 1990?
B.F: Jo, është shumë larg. Por mendoj se nuk mund të ishte. Ëndrrat në fund të fundit janë ëndrra.
Si prind i dy vajzave që po rriten në Shqipëri, si ua shpjegon fëmijëve të tu fenomenet e çuditshme shqiptare që ndeshim herë pas here?
B.F: Mundohem me vajzën e madhe, por nuk ia arrij dot. Janë një brez tjetër, që krahasimin nuk e bëjmë me atë kohë dhe gjendje ku ishim, por me atë ku janë sot, moshatarët dhe bashkëkohësit e tyre në botë. Kjo i komplikon gjërat.
A beson se “Opinion”, si emisioni më i suksesshëm politik në vend ka ndikuar në krijimin apo ndryshimin e opinionit publik?
B.F: S’di ta them këtë gjë.
Qëndrojmë tek aktualiteti, si e sheh ti ndryshimin e qeverisë?
B.F: Siç e thashë më sipër. Të nevojshëm , por të bërë keq. Nuk paragjykoj asnjë nga emrat e rinj, por pyes cili ka qenë kriteri që i solli aty. Si mund të katapultohet dikush nga anonimati në një post të rëndësishëm qeveritar? A janë votuar këta njerëz? A janë përballur me elektoratin? A i kanë bërë premtime atij? Përgjigjja është e thjeshtë: jo. Për këtë ju thashë më lart që ka një krizë përfaqësimi që mund ta thellojë krizën e përgjithshme në vend.
Për çfarë feston Blendi në fundvit?
B.F: Për gjithçka të bukur, por edhe të trishtë, që njeriu përballet gjatë një viti në jetën e tij.
Ke ti nostalgji për të shkuarën, për vitet kur edhe ti i gëzoheshe bredhit?
B.F: Kur unë kam qenë i vogel nuk kishte as bredh dhe as zbukurime. Zakonisht në klasë ngjisnim disa pambuqe ne xham. Kaq.
Je natyra e dhuratave?
B.F: Zakonisht jo.
Po bilance bën? Si është ai i 2018-tës?
B.F: Nuk e kam bërë ende. Por nuk besoj se ka qenë ndonjë vend i veçantë.
Të pëlqejnë festat, angazhohesh në atmosferën e tyre?
B.F: Zakonisht nuk është pjesa ime e fortë.
A ke një ‘to do list’ për 2019-tën?
B.F: Pa asnjë dyshim. Kam në plan të mbaroj një nga librat më të rëndësishëm që do shkruaj. Dhe besoj do ta bëj shpejt. Plus disa udhetime shumë interesante, por të vështira.
Beson në Zot? I lutesh atij? Për çfarë më shumë?
B.F: Nuk kam qenë ndonjëherë besimtar praktikant. Por më tundon shumë vizita e vendeve të shenjta të besimeve të ndryshme. Kam qenë pothuajse në të gjitha vendet simbolike të besimeve kryesore.
Seti i kopertinës u shkrep në shtëpinë tënde, ku ti më duket se vetëm fle gjumë… E shijon shtëpinë?
B.F: Padyshim që e shijoj. Sidomos në ditët e pushimit.
Një vilë në periferi, një lagje ku i njeh thuajse të gjithë fqinjët… Ndodh edhe tek ju si në Hollywood, shkoni për festa në shtëpitë e njëri-tjetrit?
B.F: E para nuk di që të ketë kaq festa, ose unë s’jam tipi i festave mbase. Shkoj për kafe ose darka në shtëpitë e të njohurve, pranë apo larg qofshin.
Fton shumë miq në shtëpi?
B.F: Padyshim. Gjithnjë. Pothuaj çdo darkë të premteje dhe të shtune. Dhe jo vetëm miq, por edhe njerëz me të cilët më lidh puna, që mbase edhe nuk i fus në llogarinë e miqve. Padyshim që me miqtë je më shpenguar.
Vijon me vrapin çdo mëngjes, a nuk të shkëput paksa shpërngulja këtu nga jeta e qytetit, nga ato takimet rastësore me njerëz që i njeh por që ke kohë pa i parë?
B.F: Vrapoj ose notoj sipas rastit. Dhe këtë e bëj çdo ditë. Ndërkohë kontaktet i kam njësoj si më parë. Pak më të rralla për shkak të punës, por jo për ndonjë shkak tjetër.
Ndodh ndonjëherë që të zgjohesh një fundjavë dhe të përgatisësh mëngjesin për familjen, ose të bësh barbeque në oborr për ta dhe miq të tjerë?
B.F: Jo, s’para më ka ndodhur kjo. / revistawho.com