Në atë dasmën e beftë, ku Ilir Shaqiri u martua sërish me dashurinë e tij Emanuelën, që vetëm hermetike nuk ishte, që ia pamë të ftuarit e njohur e të panjohur, të cilët me nga një cel në dorë na bënë të gjithëve të pranishëm, që i përjetuam edhe ne momentet më kulminante e u bëmë pjesë e zhurmës që vetëm një artist di të dhurojë, nuk do të thotë që kemi zbuluar gjithë detajet. Por kush tha që s’do t’i zbulojmë? As më shumë e as më pak, vetë Iliri na zbulon si e gatoi gjithë atë festë larg syve të dy yjeve të dasmës, Emily-t dhe vetë Emanuelës, me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve, që ndezën dritat e asaj dasme në kulm të pranverës. Por, e dimë, e dini, edhe ai e di, që kurioziteti për aventurën e tij, për miqësitë e reja e të vjetra, ngjarjet e para e të papara, për familjen, paratë e fituara, planet është ende në majë, prandaj Ilir Shaqiri u ka kthyer përgjigje të gjitha pyetjeve tuaja. Është një rrëfim për të mos u humbur, i një prej protagonstëve më të rëndësishëm të aktualitetit rozë në Shqipëri, i cili sot arriti të mbledhë më shumë se 200 milionë shikime në Tik Tok nën hashtag-un qe mban emrin e tij.
Pse ky vendim për këtë dasmë surprizë?
Ky vendim, kjo dëshirë ka jetuar me mua këtu e 20 vite përpara kur jemi martuar për herë të parë në Romë dhe për shkak të impenjimeve që kishim nuk kemi bërë një dasmë ashtu siç donim dhe ashtu siç ndodhi. Këtë dëshirë unë e kam shprehur edhe në shtëpinë e Big Brother, që do doja gjithmonë ta surprizoja Emanuelën dhe të bëja një dasmë shqiptare në Shqipëri. Sigurisht ideja që dasma të ishte buzë detit ka qenë në kokën time për shumë arsye, sepse deti është gjithësi, është i pafund, ashtu siç është dhe lidhja jonë, me të gjitha momentet e bukura dhe të vështira që kemi pasur, ashtu si dhe deti që nuk është gjithmonë i qetë. Një tjetër arsye është se buzë detit në Durrës, ne kishim Italinë përballë, një tokë që na lidh emocionalisht, shpirtërisht prej shekujsh. Vëllazëria italo-shqiptare ekziston dhe sot e kësaj dite në përmasa shumë të mëdha njerëzore dhe shpirtërore prandaj u poq kjo dëshirë, kjo ide që të krijohej kjo festë. E di që është jo e zakonshme që një burrë të martojë dy herë të njëjtën grua sepse ditët e sotme ka burra që martohen shumë herë, por me gra të ndryshme. Por unë konfirmova atë që mendoja 20 vite më përpara. Mendoj që jeta e një njeriu ngjan me detin, me të gjitha peripecitë, format, ngjyrat që ka. E rëndësishme është që të jesh gjithmonë sipër dhe ta shijosh duke pasur në krah personin që dashuron dhe të vlerëson. Prandaj zgjodha ta bëj buzë detit, që na lidh dhe zemrat tona Italinë dhe Shqipërinë.
Si ia dole ta mbaje të fshehtë nga Emanuela dhe Emily, në një kohë kur mediat nisën të shkruanin?
Nuk ka qenë e lehtë për mua të mbaj një surprizë të tillë për 2 muaj duke organizuar një festë të tillë me “Ami Event”, me ndihmën e Ermalit, me ndihmën e Bleartit që na hapi dyert dhe me ndihmën e shumë personave që na mbështetën për të realizuar këtë ëndërr. Në një moment pata frikë sepse nga fundi prillit nisën disa portale të shkruanin që do ndodhi dasma dhe atë të shtunë unë ndodhesha në Durrës, postova foto duke peshkuar, i kënaqur që surpriza vazhdoi të mbetej surprizë. Përgatitjet e dasmës vazhduan dhe ja dolëm më së miri deri në momentin kur Emanuela doli në altar. Që Emanuela të bindej të vishte fustanet e nusërisë gjetëm pretekst që ne do paguheshim tek një event i disa atelieve dhe unë do shfaqesha me kostumin e Altin Micit, Emanuela me fustanet e “Ami Event”. Emanuelës nuk ia priste mendja fare që mund të ishte një surprizë e tillë. Kur pa nënën, motrën, Emilyn në altar krah kryetarit të bashkisë Erion Veliajt, u shtang. Ishte normale që do shkëputeshin lot nga sytë e saj dhe të them të drejtën dhe unë isha shumë i emocionuar, thashë ‘Ia dola’. Lumturia e saj ishte dyfish lumturia ime. Ky spektakël, sepse më pëlqen ta quaj të tillë, ishte ndërtuar në katër pjesë: 1. Zbulimi i surprizës, pritja nga Erioni dhe Emily në altar buzë detit. 2.Darka me Orgesën me bandin e saj të mrekullueshëm, më pas pata një surprizë nga mikesha e familjes Irma Libohova, së bashku me Valonin dhe Ermalin, pastaj me Genën dhe bandin e tij fantastik, me kërcime, me veshje tradicionale, me Napolonin, me kërcimin me mamin tim, sepse atë natë përsëritëm valsin e lumturisë të kënduar nga diva jonë Inva Mula, njësoj si në natën finale të “Big Brother VIP” dhe emocionet u përsëritën shumëfish më shumë. 3. Prerja e tortës me fishekzjarre dhe urimi i ditëlindjes së Emanuelës, e cila e kishte pikërisht në 28 maj. 4.Dhe pjesa e fundit buzë detit, me zjarre, me kitarë, me Valonin, me Ermalin, me Genën duke kënduar, duke shijuar pijet e fundit kështu që më mirë se kaq unë nuk besoj se mund të bëhej. Çdo gjë erdhi shumë natyrshëm si spektakël i vërtetë.
Kujt ia tregove të parit vendimin?
Vendimin për herë të parë ia thashë vetes sime kur ishim tek Blearti, sepse unë Emanuela, mami, babi, Emily, ndenjëm aty dy netë, kur bëheshin xhirimet e spotit të Digitalbit në Durrës dhe thashë ‘ky është vendi ideal për të realizuar ëndrrën time’. Sigurisht ishte dhe koicidencë që unë, Ami, Ermali shkuam në Kosovë dhe rrugës po i tregoja për vendin e mrekullueshëm, tek Blearti dhe pronarin që tha ‘Merri çelësat dhe bëj çfarë të duash’. Dhe Ami tha ‘po mirë, meqë ke thënë do bësh një dasmë shqiptare pse nuk e organizon aty?’. I thashë Amit: ‘Nëse ti je me mua, e nisim që sot këtë punë’ dhe kështu ishte fillimi i gjithë kësaj surprize.
Kur i ndave ftesat?
Kur nisëm të çonim ftesat, halli më i madh ishte mos këto ftesa bënin xhiron e Shqipërisë dhe surpriza do shkatërrohej. Kështu që të gjithë të ftuarit janë lutur disa herë që të mos ia thonin askujt. Realisht i falenderoj nga zemra për bashkëpunimin, për mbajtjen e sekretit, falenderoj shumë dhe të ftuarit e tjerë që për shumë arsye personale, pune nuk mund të ishin prezent, por që unë e di me shpirt dhe me zemër ishin me ne atë natë. Ftesat janë ndarë që në fund të marsit, të ftuarve nga Italia, Shqipëria, miq shokë, familjarë dhe siç thashë duke iu lutur që të mos e bënin publike.
Cili është emocioni më i bukur i asaj nate?
Emocionin më të bukur të asaj nate është shumë e vështirë ta përcaktosh sepse emocionet kanë qenë të shumta dhe njëri më i veçantë sesa tjetri. Emocioni më i bukur absolutisht është zbulimi i surprizës nga Emanuela dhe lotët e saj. Një emocion i veçantë ishte dhe kur Robert Radoja i binte pianos prej kristali, kur këndoi Inva Mula dhe kërceva me nënën, kur kërcyem Napolonin të veshur tradicional me Emanuelën, babai im që kërcente pafund duke shijuar çdo moment, duartrokitjet e të ftuarve, kanë qenë shumë emocione. Jam akoma në atë lumin e kujtimeve të jashtëzakonshme.
Pas dasmës ka një muaj mjalti dhe pastaj një fëmijë, ti e ke prishur pak radhën po a do kemi ndonjë surprizë?
Ne jemi martuar një herë në Romë, zyrtarisht në Bashki dhe pastaj bëmë një fëmijë, që është Emily. Ndoshta është e çuditshme për njerëzit që shohin një burrë që martohet dy herë me një grua, por kjo ishte ajo që unë doja të realizoja për gruan që dua dhe Emanuela meriton këtë dhe shumë të tjera.
Çfarë po ndodh tani me jetën tënde?
Jeta ime ka qenë gjithmonë një jetë me shumë ngjyra dhe me shumë vlera. Unë di ta mbaj kokën time përpara duke shikuar gjithmonë mbrapa. Kështu që nuk ka gjë më të mirë kur njeriu di ku shkon, pa harruar aty ku ka qenë.
Ç’u bë me paratë e BBVIP?
Me paratë e BBV u bë ajo që duhej të bëhej, ajo që unë kisha dëshirë të bëhej. Gjysmat e parave shkuan për bamirësi dhe kjo bamirësi do bëhet shumë shpejt konkrete. Do dhurohen 2 shtëpi për dy familje që kanë nevojë të kenë një çati mbi kokë. Dëshira ime fillestare ishte të bënim diçka që ka lidhje me artin, talentin, por të krijosh një projekt të tillë do kohë kështu që unë nuk dua që paratë të mbeten në ajër dhe të mos kemi një konkretizim prandaj më mirë vendosa të bënim diçka më konkrete, më të shpejte. Sa i përket talenteve, nga shtatori do kemi surpriza të tjera, kam shumë miq që janë gati të marrin pjesë dhe të konkretizojnë ëndrrën time në zbulim të talenteve. Një pjesë të parave e kanë marrë familjarët e mi, mami, babi, për sakrificën që kanë bërë ndër vite; një pjesë Emanuela për sakrificën për ato muaj të vështirë, që i rezistoi uraganit Big Brother dhe çdo fjale, provokimi; një pjesë vëllait tim Oltit; një pjesë Sabiani për miqësinë dhe respektin që u krijua në shtëpi; një pjesë tjetër u harxhua për dasmën. Mua më ngeli emri i fituesit dhe jam shumë i kënaqur. Nuk erdha në Shqipëri për të bërë lekë. Erdha për të provuar një aventurë, për të treguar kush jam unë, me të mira dhe të këqijat.
Po me miqësitë?
Miqësitë gjithmonë kanë prioritet në jetën time. Kam miq që i dëgjoj shumë pak dhe kur i dëgjoj më duket sikur jam përditë me ta. Miqësitë e reja kanë gjithashtu një vend të rëndësishëm. Rëndësi ka që një miqësi mos të ketë pretendime, mos të ketë ‘po të jap se duhet të më japësh’, dhe të jetë miqësi e sinqertë, e pakushtëzuar. Siç e thashë, edhe ata miq që nuk mundën të vinin, i falenderoj sepse e di që me zemër do të donin të ishin aty.
Për çfarë je i lumtur dhe për çfarë të vjen keq nga historitë e këtyre muajve?
Jam i lumtur për gjithçka ç’kam thënë, ç’kam bërë dhe ç’kam jetuar këto muajt e fundit. Jam shumë njeri i drejtpërdrejtë dhe atë çfarë kam ia them hapur si vetes sime edhe të tjerëve. S’kam asnjë lloj pengu.
Ç’po ndodh me planin për t’u zhvendosur në Tiranë?
Planet për t’u zhvendosur në Tiranë po piqen, po analizohen .Për momentin unë jam në Tiranë dhe nuk po lë pas dore punën dhe jetën time në Itali. Dëshiroj që një ditë ta shijoj Tiranën time si në adoleshencë, moment për moment, sepse jam shumë i lidhur me qytetin tim. Për momentin kam plane pune sa i përket sezonit të verës, do jem prezent në Mik Festival, drejtuar nga Inva Mula, në një natë baleti i kryqëzuar me disa gjini të artit skenik, në datën 29 korrik në Korçë. Sigurisht Digitabli ka një vend të jashtëzakonshëm përsa i përket këtij viti dhe në vazhdim me reklamimin e produkteve të tyre.