Intervista nga Klaudeta Skënderasi/ Photoshooting:Armand Abazaj/ Fustanet: Geraldina Sposa/ Kostumi: Joni Peci Store/ Hair and make up: Ujvara Hajdari/ Lulet: eart_flowers-gift.al
Një dasmë vërtet shumë e vockël. Me një grusht miqsh e të afërmish, të ftuar nga Iva dhe Soren, të cilët pas disa vitesh së bashku (aspak mes Gjermanisë dhe Shqipërisë) celebruan lidhjen në martesë dhe përfundimisht u vendos, ky është çifti më i ri në qytet: Soren e Iva Unruh. Pasi ajo dasma e vockël u bë vërtet shumë e madhe pas zhurmës që shkaktoi në media, Iva rrëfen me detaje për “Who” ato që s’kemi ditur për lidhjen dhe jetën e saj me gjermanin, që tashmë jeton lumturisht dhe përfundimisht i martuar në Tiranë.
Nga Klaudeta Skënderasi
Në 17 vite punë si gazetare, ky është shkrimi i parë që po bëj në vetën e parë dhe ndër të paktat intervista ku pyetjet dërgohen me email (ose më saktë në Whatsapp). Këto dy rregulla shumë strikte u thyen pikërisht atëherë kur mendova se bashkë me largimin nga Shqipëria kish marrë fund përgjithmonë edhe koha e shkrimeve (dhe e këndimeve, do thoshte personi për të cilin po bëhet kjo intervistë). Por nuk është se po i kthej borxhin, meqë ajo shkroi për martesën time në revistën “Madame”, këtu e 13 vite më parë. Aq më pak u ula t’i bëj një kopertinë meqë jemi shoqe prej gati 20 vitesh (nuk është shumë e thjeshtë të bësh pyetje, përgjigjet e të cilave jo vetëm i di me rrenjë e me degë, por ke qenë e pranishme në çdo etapë, edhe pse jo fizikisht. Nuk është e thjeshtë as t’i bësh një interviste shoqes, që për ty është thjesht shoqe, edhe pse për të tjerët është Vip e shkuar Vip-it). Arsyeja ishte as më shumë e as më pak Eraldo Rexho, i cili mendoi se duhet të isha pikërisht unë autorja e shkrimit të kopertinës së radhës së revistës “Who”, që është rezervuar për dasmën e Iva Tiços, e cila edhe pse një festë e vogël e me një grusht njerëz, u kthye në ngjarjen më të komentuar këtë fund prilli dhe që më ktheu në kohën kur dëgjova nga ana tjetër e telefonit: “Po flas me dikë”! Një fjali që të lë në dyshime deri ditën kur “dikë”-ja të shfaqet në derën e shtëpisë në kulmin e pandemisë dhe ndërsa mundohesh të rregullosh me mend një fjali në hollandisht, e bindur që do ta kuptojë meqë është aq e ngjashme me gjermanishten, ai të zgjat dorën dhe të thotë shqip: “Si je? Unë jam Soren”. Nga ajo ditë, Soren dhe Iva, që ndalojnë te ne sa herë që kanë një rrugë për në Gjermani, edhe një njeri si unë, që nuk merret me energji pozitive, universe, çaste të duhura, sekrete e më the të thashë, e bënë të besojë (pak fare) në rastësitë jo dhe aq të rastësishme që të ndryshojnë jetën përgjithmonë vetëm me një takim, nga hiçi.
Na trego pak si u takuat ju të dy?
Po pyet për vete më duket? Se të paska mbetur peng që nuk ta kam thënë që në fillim. Të kam treguar nja dy muaj më pas, kur të thashë “po flas me dikë”… Sepse as vetë nuk e dija që kisha takuar dikë kaq të rëndësishëm, kur e takova. Ah, domethënë e kuptove pas dy muajsh. Domethënë na ekzistokan vërtet historitë e takimeve rastësore si në filma që pastaj përfundojnë në altar… Ok, tani do dal nga biseda me shoqen dhe do bëj si personazh intervistash (ëndërr e kam pasur të më intervistoje njëherë. Kaq herë ta kam thënë me shaka dhe kam marrë ca përgjigje që s’është nevoja t’i rrëfej këtu). Unë gjithmonë kam besuar në këto historitë e filmave limonadë, por ja që të gjitha shoqet më kanë tallur, ti cazë më shumë më duket. Madje një tjetër (t’ia them dhe asaj emrin?) më ka rrëfyer së fundmi që e kishte pak me merak se mos zhgënjehesha kur të kuptoja që filmat nuk ekzistojnë. U zhgënjye ajo për mirë dhe ka nisur të besojë në filma. Gjithsesi, më duhet të jem e sinqertë: nuk e kuptova që në fillim që ai moment ishte një skenë filmi dhe se atë ditë kisha parë njeriun më të rëndësishëm të jetës sime.
Po mirë çfarë po ndodhte në jetën tënde në kohën kur rastësia të takoi me Soren dhe ti të kuptoje që ishte i duhuri?
Kisha mbaruar pushimet e verës, isha shumë e qetë, më dukej jeta shumë e bukur ato ditë, kishte ca muaj që mendoja që Gjermania ishte vendi më i mirë në botë (për shkak të disa udhëtimeve atje kohët e fundit, ku madje më 1 qershor në vend të qiriut të tortës së ditëlindjes që po e kaloja me shoqet në Gjermani për shkak të një koncerti, kisha fryrë një nga ato lulet me push dhe shpreha dëshirën të isha në paqe dhe e sigurt, si ai vend). Ndërsa ditën që u takuam, në Tiranë, isha e lodhur dhe e rraskapitur, më dhimbte gjithë trupi se kisha lyer shtëpinë dhe po laja e pastroja çdo gjë vetë.
Po pasi kaloi ky momenti që u takuat e u njohët e vendosët të flisnit, kur u kuptua se po pëlqeheshit?
Në fillim ne nisëm të shkruanim. Nga pak ditët e para dhe pastaj gjithë kohës. Pra, në njëfarë mënyre po luaja në fushën time: gjithmonë kam qenë më e mirë me shkrim sesa me gojë, apo jo? Ishte kaq natyrshëm të shkruanim nga mëngjesi në darkë, ndërsa bënim gjërat e ditës, punët, pa humbur asnjëherë, pa pasur ankth, stres. Nuk di të them kur nisëm të pëlqeheshim se nuk diskutuam kurrë se çfarë jemi, a pëlqehemi, pse shkruajmë. Deri në ditën e atij tërmetit të nëntorit 2019, kur unë për të parë herë kisha frikë të rrija vetëm në shtëpi dhe ia thashë. Dhe ai preu biletën për fundjavën e radhës dhe erdhi vetëm për të qëndruar me mua. Pra, këtu u vulos njëherë e mirë.
Si janë lidhjet kur ndodhin në moshë të pjekur? I mendon gjërat më shumë, e lë veten më të lirë, frenohesh më shumë, më pak? Janë lidhje më të matura dhe çfarë i bën të tilla? Apo më të shpenguara?
Besoj se varet nga të dy njerëzit. Do doja të thoja më të matura, më të mençura etj., etj, se kështu do më dukej se dhe unë jam bërë më e mençur me kalimin e kohës. Por s’e them dot. Ama, në moshë të pjekur di të them që kur është i duhuri, kur je e duhura, gjërat shkojnë vetë në vendin e tyre, si pjesët e një pazëlli. Këtë ma përforcoi dhe Dom Marjani, kur në takimet paraprake që zhvillohen në Kishën Katolike para dasmës, më foli për martesën dhe për shpirtrat binjakë… Kështu e mendoj që ne të dy bëmë veç e veç një copë rrugë, derisa të gjenim njëri-tjetrin dhe në një mënyrë a një tjetër do e gjenim atëherë kur duhej, kur ishim gati (të grivaaa po u talle dhe me këtë).
Jooo, nuk tallem unë me shoqet që besojnë në kometat që desh bënë qametin! Thuhet (unë s’e kam me provë) se për ca gjëra burrat e huaj janë më të mirë se burrat shqiptarë. Na e pohon ti këtë? Dhe nëse po, çfarë bëjnë ndryshe konkretisht? Duam ca shembuj që ti e di që vijnë nga fakti që ai i përket një kulture tjetër.
Dhe këtë ma the ëëë??? Më ke dhe shoqe pale, pret të them të huajt dhe të më masakrojnë të vendit ëëëë… Përtej kësaj frikës së linçimit në rrjet, nuk di nëse janë më të mirë, por gjëra ndryshe gjermanët kanë shumë. Dhe jo, nuk lidhet me patatet, se ato të shkreta nuk i hanë të ziera por me çfarë s’i bëjnë dhe dalin shumë, shumë të mira. Lidhet, besoj, me një qetësi të të rriturit në një vend të sigurt si Gjermania, ku jeta rrjedh pa të papritura e kthesa dramatike si tek ne. Por dhe më të qenit pjesë e një populli, i cili ka reflektuar shumë nga e shkuara e që i edukon fëmijët duke i mësuar fjalën “përulësi”, që ndryshe nga ne që e kemi ofendim, ata e kanë vlerë. Apo me të qenit pjesë e një populli të disiplinuar, shumë punëtor, nga këto që ne më së shumti na mungojnë e që unë i admiroj. Poooor, ka dhe një por, ka dhe ca gjëra të këqija. Patatet që s’i hanë me bukë si ne, dhe pse kanë bukët më të mira në botë, i hanë vetëm në mëngjes. Dhe janë kokëfortë, kokëgur: nuk dinë të improvizojnë, të dalin nga situata, të bëjnë një gjë pa plan.
S’e kupoj pse ti pret që një inxhinier, i prirur të bëjë kryesisht të llogari, të bëjë gjëra pa plan. Dhe meqë jemi këtu. Ai një inxhinier IT gjerman, ti një gazetare e njohur shqiptare. Pra, atij i duhej të jetonte me një njeri me dy jetë, një publike e një private. Kur filloi ta kuptonte këtë jetë, le të themi të dyfishtë, që prek edhe atë? Si e përjeton? Si e menaxhon faktin që ty të njohin e të flasin në rrugë, në market, ke çdo ditë ftesa për evente, dalje në ekran…
Që herën e parë që erdhi në Tiranë që të rrinim bashkë, unë e mora me vete në Pallatin e Kongreseve, te Kënga Magjike. Jo se isha aq e mençur sa ta programoja që ai të njihte “botën” time dhe të kuptoja a i rezistonte apo jo, por ashtu qëlloi që shkuam të dy dhe takuam gjithë dynjanë, takuam dhe Kelin, pastaj Mandin e Turin, dolëm për darkë. Ata kuptohet e morën mirë e mirë në pyetje siç dinë vetëm ata, çfarë s’i thanë dhe Soren rezistoi. As u tremb, as tha gjë, qeshi gjithë kohës. Pastaj, kur do kthehej tha vetëm që ‘nëse do rrimë bashkë përgjithmonë, duhet të shohim mundësinë të rrimë në Tiranë, se ti në Gjermani do ndjeheshe e mjeruar. “Miserable” në anglisht, këtë fjalë përdori’. Dhe tashmë e menaxhon këtë mënyrën time të jetesës në mënyrën më normale të mundshme, pa i bërë asnjë përshtypje, veç fillimit, kur vajzat te një supermarket afër shtëpisë i thoshin njëra-tjetrës “burri i Iva Tiços” dhe ai vinte në shtëpi duke qeshur ‘Jam i huaj, jo shurdh!’.
Po nga ta dinë shitëset që ai i huaji kupton dhe flet shqip shumë mirë? Kush ia ka mësuar? Çfarë gjuhe flisni ju të dy? Në cilën gjuhë thoni fjalët e ëmbla dhe në cilën gjuhë ziheni? Në cilën i bëni bisedat e rëndësishme dhe i merrni vendimet?
Ka ditur ca, por është perfeksionist. Dhe anglishten e di perfekte, pa aksent, pa gabime gramatikore. Frëngjishten e shqipton perfekt. Shqipen jo dhe aq, me gramatikën ka shumë probleme (kam dhe unë faj që me diplomë jam mësuese gjuhë – leximi). Ne flasim zakonisht anglisht, nakatosur me ca shqip dhe nëpër të shtojmë dhe ato 5 llafet që unë di në gjermanisht.
Nga një vajze single që jeton vetem, në apartamentin e saj, që ka jetën që ka dashur dhe ka zgjedhur (oraret, zakonet, privatësinë, shijet, pragun që pakkush e ka kaluar), e gjendur çift duke bashkëjetuar në po atë çati që e kishe krijuar veç për veten tende. Ia vlen të ndalemi pak këtu ë?
Ndalu-ndalu, se dhe unë u ndala gjatë në fillim. Tre muaj vetëm me njëri-tjetrin, pa takuar asnjë frymë të gjallë, derisa mbaroi karantina. Se ne nisëm të bashkëjetonim në karantinë dhe kështu ajo goca single, e pavarur, e mësuar të jetojë veç vetëm, të mos i prekë kush hapësirën e saj, jo vetëm që nisi të jetonte me dikë tjetër, por as nuk dilte dot nga apartamenti. Dhe ti që më njeh mirë, ishe një nga ato të habiturat dhe të frikësuarat dhe në fund ke marrë frymë dhe ke thënë “ia doli”. Tani kur shoh fotot e atyre ditëve më duken ditët më të lumtura të jetës sime. Madje edhe ato ditë, për fat, ndryshe nga ç‘ndodh me lumturinë që e perceptojmë kur na ikën, isha e ndërgjegjshme që ishin ditët më të lumtura. Pa u acaruar e shqetësuar nga ndryshimi i orareve, privatësisë, zakoneve dhe kapërcimin e pragut dhe ndarjen e hapësirave.
Dhe vazhdojmë me pyetjet dhe kureshtjen që na sjell “një gjerman në Tiranë”. Përveç marrëdhënies tuaj, si është jeta e këtij 100% gjermani në Shqipëri. Çfarë i pëlqen e çfarë nuk honeps?
Këtij gjermanit tim i pëlqen shumë të jetojë në Tiranë. Ta nis nga ato që e bezdisin dhe ku tregohet gjerman: ka inat shoferët shqiptarë, që sillen sikur ajo që po bëjnë ata është gjëja më e rëndësishme në botë dhe ndalojnë, futen, ecin e sillen sipas dëshirës së tyre dhe jo rregullave. Dhe sigurisht dhe zhurmat, njerëzit që i bien borive, thërrasin nga ballkonet, flasin në telefon me zë të lartë, apo shkallëve të pallatit apo poshtë ballkonit tonë e gjithë zhurmat e tjera, me të cilat ne jemi mësuar e që ai s’do mësohet kurrë. Të tjerat i do shumë, do klimën, do njerëzit, do njerëzit që ka njohur nëpërmjet meje dhe sidomos do atë zakonin tonë që me një telefon mblidhemi me njëri-tjetrin në të mirë e të keq dhe ndajmë gjithçka. Këtë në fillim mezi e kuptonte, si të dalësh pa program, të shkosh në ditë pushimi e të bësh një punë që dikush ta kërkon. Tani jo vetëm e kupton, por dhe e bën si të jetë njëri nga ne.
Ama dasmën nuk e bëtë si shumë nga ne. Një martesë pas të dyzetave. Mund të jetë nga ato të paktat raste kur çifti fton në dasmë prindërit dhe çdo vendim i takon vetëm çiftit, pa lista të afërmish që do t’i ftojmë se na kanë ftuar, pa “një dasmë me shoqërinë e një me familjen”, pa përpjekje për t’i kënaqur të gjithë. Si dhe kur u vendos të kishte një dasmë dhe për më tepër një dasmë të këtij lloji?
Uuuu sa herë kam thënë do bëj, s’do bëj… Kemi nja tre vjet që e diskutojmë. Sa herë thosha “nuk do bëj” arsyeja ishte: kisha shumë njerëz, do bëheshin nja 200, ndërsa ai vetëm 15. Pastaj mendoja shpenzimet. Pastaj ishte Marçela që më thoshte mos e lër pa bërë, 50 maksimumi, do e bësh “kukull” – shprehje tipike prej Marçele. Pastaj mora propozimin dhe unazën vitin e shkuar, e meqë shoh shumë filma, bleva direkt revista dhe një organizues. E di ti që kjo jam unë, sa nis një plan, blej revistat për atë gjë. Do e bënim në tetor, nisa dhe përgatitjet në kishë. Pastaj e shtymë për disa arsye familjare. Mua më erdhi mbarë, nuk jam nuse vjeshte, jam nuse prilli ose maji, jam nuse me lulebora dhe peoni. Kështu që u la për lulebora dhe peoni, në stinën e tyre. Dhe u bë fiks ashtu.
Sa kohë u desh të përgatitej që të bëhej fiks ashtu?
Mirë do ishte t’i kisha qëndruar asaj axhendës që bleva dhe ta organizoja me nge për një vit. Por unë nuk jam kjo. Nuk ka gjerman që më disiplinon mua. E mban mend kur e mbyllnim shkrimin e kopertinës? Po revistën? Sekondën e fundit! Ja kështu e bëmë dhe me dasmën. Datën e menduam si më të përshtatshme me axhendën time, pasi të mbaroja disa projekte pune, axhendën gjermane të babit të Soren dhe të Mandit e Marçelës, që fiks në atë periudhë kanë punën më intensive me furnitorët e Geraldinës. E ndamë mendjen dhe datën në dhjetor, pastaj unë isha akoma njëherë do e bëj, një herë jo se s’kam nerva, jo se kam vënë ca kile e s’do më rrijë mirë fustani, pastaj ti më bëje “push” që të ndaja mendjen se do bëje biletat, pastaj të thashë “ok”, u vendos për 27, ti bëre biletat dhe s’kishte më kthim pas. Për vendin nuk kishim asnjë mëdyshje: celebrimi në kishën e Durrësit, që e kishim menduar që gati një vit më parë dhe darka te Hotel Flower, sepse donim të ishim me njerëzit tanë në restoration tonë të preferuar dhe sepse po aty kisha marrë edhe propozimin. Pastaj u nisëm një “save the date” asaj listës së famshme me 50 vetë, pastaj bëmë ftesat tek Ollga në Gjirokastër, me lulebora blu e peoni rozë, me të njëjtat ngjyra pastaj porosita lulet te Evisi; nja tre javë para më doli gjumi natën se u kujtova për kostumin e dhëndrit dhe të nesërmen e zgjidhëm këtë çështje te Joni Peçi për gjysmë ore, kurse fustanet e mia ishin gjëja më e thjeshtë. U bënë gati për punë ditësh, javën e fundit u bënë ato fustanet rozë të gocave të vogla, menuja e dasmës që u pritua ditën e fundit. Vetëm një ditë përpara arrita të lyeja flokët dhe nuk bëra asnjë bisedë paraprake me Ujvarën. Asnjë plan. Prova apo gjëra të ngjashme siç këshillojnë gjithë revistat që kemi bërë, jo e jo. Poooor, fakti që të gjithë njerëzit rreth e rrotull ishin miq që më njihnin mirë, mendoj që ndihmoi që gjithçka të dilte perfekt, pa stres dhe mundime. Dhe ajo energjia pozitive, që unë e besoj dhe ti më tall: po s’e vrave mendjen dhe të mendosh pozitivisht, gjithçka shkon për bukuri në vendin e vet.
Se s’më rrihet pa e bërë një pyetje nga koha kur s’të kam njohur. Si e mendoje ti këtë moment kur ishe te të njëzetat?
Te të njëzetat, të them të drejtën, nuk fantazoja të ardhme me skenare dasme. Isha në shkollë, shumë gjëra kishin ndryshuar nga fëmijëria e viteve ’80 kur isha rritur unë dhe kur ne si goca të vogla mendonim që do vinte dita e do martoheshim në një çadër në oborrin e shtëpisë… As më vonë nuk është se kam pasur ëndrra dasme. Besoj se në radhë të parë ngaqë nuk kisha njohur askënd që të më bënte të ëndërroja ta shihja veten me të bardha krah tij. Pastaj për gati 20 vjetët e fundit kisha qenë aq afër Mandit, Marçelës dhe Geraldinës, kisha parë me qindra fustane, shumë dhe i kisha provuar e veshur, aq sa të mos më linin vend për fantazi dhe ëndrra. Dhe në fund fare, që kur im atë u nda nga jeta, 20 vjet më parë, e kisha fshirë idenë e dasmës, si një nga ato gjëra që nuk do doja të bëja pa atë pranë.
Por kishe Rezin pranë… Momenti kur Soren të pa nuse… Na i trego me detaje, meqë as unë nuk arrita ta shihja dot se arrita në kishë me vonesë…
Pse nuk pyet atë? Mbase të tregon ty… Mua m’u duk i prekur. Unë vetëm i thoja vetes “mos qaj, mos mendo asgjë që të bën për të qarë”. Ndoshta dhe për këtë shkak nuk mbaj mend asnjë detaj. Ecja dhe nuk shquaja asnjë fytyrë (Nuk e mora vesh as që ti nuk arrite në kohë para meje). Vetëm kur pashë fotot kuptova ku kishin qenë të ulur njerëzit. Fustani i frymëzuar nga gjyshja doli te ishte një sukses i vërtetë.
Në rrjet, një det fjalësh të bukura për klasin dhe elegancën e fustanit pa lule, pa gurë, pa fryrje, pa dekolte të hapur. E megjithatë, shumë nuse tundohen nga fustanet e princeshave. A ka nusëria moshë?
Ta citoj pak “Sex and the city” këtu?
Ta citosh posi. S’di si paske ndenjur kaq gjatë pa e bërë.
“Stili nuk ka moshë, fustani i nuses po”, – cit Inid, kryeredaktorja e Vogue në film. Gjithsesi, që të isha brenda e të mos u bindesha citateve të filmave, provova dhe fustane me lule dantellash e ndonjë shkëlqim, madje dhe të fryrë. I dhashë të drejtë Inidit dhe vendosëm për fustanin e ngushtë për festën, kurse fustanin e frymëzuar nga gjyshja e kishim të përcaktuar nga Mandi, vetëm se e thjeshtuam dhe atë, pa tylin e gjyshes. Nuk di si do ndodhte nëse do të zgjidhja të fryrë po të kisha qenë më e re, sepse dhe kjo e klasit dhe elegancës që thua ti, mendoj se kultivohet me kalimin e moshës. Por përtej moshës dhe frymëzimit të gjyshes, më pëlqejnë shumë zgjedhjet që bëra, sepse do kem gjithmonë fotografitë e nusërisë që nuk do duken kurrë démodé, sepse fustanet nuk janë as të modës dhe as tendenca kalimtare. Dhe nusja për mua kështu duhet të jetë, e pakohë.
Ishte dasma jote “ti”?
Këmbë e kokë unë. Deri te dantellat si nënpjatë, gjergjefët e qëndisur për numrat e tryezave dhe vazot e vogla me gliko arre dhe lule me ngjyra si të buqetës sime e të dekorit.
Ishte dasma juaj “ju? Ashtu siç e donit, siç e kishit ëndërruar dhe me gjithë faktin që nuk pati asgjë tradicionale, kur e gjitha mbaroi, si ishte pjesa e dytë? Mesazhe të hatërmbetura, çudi për ftesën e munguar, habi për lajmin që nuk qarkulloi?
Ishte këmbë e kokë “ne”. Sidomos për këtë pjesën e fundit, që unë ia faturova Soren, por që dhe mua më erdhi për mbarë, sepse më pëlqeu ideja e një dasme të vogël, më shumë si filmat që shohim bashkë sesa si tradita shqiptare, pa aheng por si një party ku kënaqen të gjithë, duke ruajtur privatësinë e shpalljes para kohe për të mos mbushur portalet me tituj klishe dhe rrethuar vetëm me njerëz që i frekuentojmë të dy, e keqardhur që mund të kisha dhe ca më shumë njerëz dhe e mirëkuptuar prej tyre, sepse ata që na duan na kanë uruar, edhe pse nuk mundën të ishin aty. I vetmi peng mbetet që nuk arrita të bëja një festë vetëm me vajza nja dy javë përpara, kështu do mund të festoja dhe me shumë mikesha që kanë qenë e mbeten të rëndësishme në jetën time, por që nuk mund të ishin në atë listë të limituar.
Muaji i mjaltit, të paktën nga sa pamë në Instagramin tënd (dhe nga sa pashë unë në fotot që më nisje në Whatsapp, bashkë me planet që të shkojmë aty edhe për qejfin tonë) ishte mjaltë i vërtetë. Po përtej fotove, i duam dhe ca detaje.
Ishte mjaltë, kripë dhe verë e kuqe, e bardhe e rosé. Mirë do ishte të postoja dhe ca nga ato fotot që kam bërë apo të shkrepja dhe ca më shumë, por ja që ky burri im ka shumë inat kur unë rri me celular në dorë, a thua se kur më njohu isha ndonjë vajzë diskrete dhe pastaj u bëra me Instagram… Gjithsesi, meqë ishim në muaj mjalti u binda, nuk ndenja fare në celular e të postoja (veç atyre momenteve kur ai ishte në banjo). Nga këto detaje doje, apo jo?! Ëëëëë kisha marrë dhe ca fustane të tjera për të bërë foto, po kush më la?!
Kjo nuk ishte nga ato dasma që pritet të bëhet që pastaj të fillojë jeta e re e çiftit. Ishte një dasmë për të kurorëzuar dashurinë, për qejfin tuaj, familjes dhe miqve. Ku ishit me planet, jetën, shtëpinë para dasmës dhe si po vazhdoni?
Ca sipas planit, disa me improvizime. Herë me të pritura e herë të papritura, herë me gjëra fantastike e herë jo shumë të bukura, me të gjitha të mirat, gëzimet e dhimbjet që jeta të servir, fatmirësisht e fatkeqësisht. Por muajt e ardhshëm do jenë të mbushura me punë të tilla: sapo zgjodhëm pllakat e kuzhinës, jemi vetëm në fillim dhe besoj se do gëzohemi e do zihemi për shumë e shumë zgjedhje të tilla.
Dhe që ta mbyllim siç na ka hije: çfarë të bën të mendosh “dhe jetuan përgjithmonë, në të mirë e në të keq”?
Kemi jetuar në të mirë e në të keq edhe deri tani. Si detajiste, nuk mund ta lija dasmën time pa një temë, pa një titull. Zgjodhëm të dy “By your side”, titulli i këngës së Sade, që e pëlqejmë të dy dhe e dëgjojmë shpesh në shtëpi e që do e zgjidhnim dhe për kërcimin e parë. Na tingëlloi si një premtim, ndaj dhe e shkruam titullin në ftesë, në hyrje të festës, ma qëndisën në vello, e kemi gdhendur brenda unazave. Kështu e mendoj që do e kemi jetën me njëri-tjetrin, do i qëndrojmë njëri-tjetrit në krah, by your side, përgjithmonë. Kur shkuam në takimet që përgatisin martesën në Kishën Katolike, mësuam që ajo ‘përgjithmonë’ ka një kuptim edhe më të gjerë sesa jeta në tokë. Aty mora frymë thellë, thashë “faleminderit” atje lart dhe isha më e qetë se kurrë, sepse gjithçka kishte kuptim!