Nga revistawho.com / Fotot: Pirro Beati / Grimi & Flokët: Eva Dibra / Vendndodhja: Brunes
EKSKLUZIVE – Kjo është kopertina e parë e Noah, djalit bukurosh të Fatmës dhe Alfios, çiftit që kanë mbledhur pas vetes të tjerë fansa me historinë e tyre të dashurisë. Një histori, ku nuk do të mungojë as dasma – sapo Noah të rritet pak – e as një motër ose vëlla për të.
Intervista ekskluzive e revistawho.com me prindërit e rinj, zbulon detaje të panjohura nga jeta e familjes, si dilemat e tyre dhe momentet gazmore në shtëpi… Po kujt i ngjan Noah dhe çfarë do të bëhet ai kur të rritet? Për këto pyetje nuk kemi ende një përgjigje të prerë, e vetmja gjë për të cilën Fatma dhe Alfio janë shumë të vendosur është se Noah do të rritet me të gjithë dashurinë e botës, pasi vetëm kështu ai do të dijë ta vlerësojë atë…
Fatma & Alfio, na tregoni cili ka qenë mendimi i parë sapo morët Noah-n në krahë?
ALFIO: Të dy menduam që doli më i madh nga çfarë kishim parashikuar (qeshin).
FATMA: Unë nuk dija ç’të mendoja, thjesht po përjetoja një mori emocionesh, nga më të bukurat që as nuk i kisha imagjinuar. Mamatë më kuptojnë në këtë pikë (buzëqesh).
ALFIO: E kam mbajtur gjithë natën në krahë ditën kur lindi Noah, që nuk ishte fare një bebush i qetë. Mendoja se si është e mundur që një krijesë kaq e vogël më tregoi një dashuri kaq të madhe.
E kishit menduar ndonjëherë se do të bëheshit prindër në këtë fazë të jetës suaj?
FATMA: Të them të drejtën jo. As menduar e as parashikuar. Unë kam kuptuar që gjërat më të bukura në jetë më kanë ardhur krejt natyrshëm e pa plan.
ALFIO: Unë kam dashur gjithmonë një bebush, madje jam fans i familjes së madhe. Tani që e kemi Noah-n kemi filluar të mendojmë që duhet ta kishim bërë më parë (qesh).
Sa kohë ju desh të ambientoheshit me idenë që tashmë jeni prindër?
FATMA: Ishte lajmi më i bukur i jetës sonë, sa herë Noah shkelmonte ne e ndjenim veten prindër. Nuk besoj që na u desh kohë, çdo gjë zëvendësohet me një lumturi të pashpjegueshme dhe gjithçka rrjedh natyrshëm. Pastaj me mungesën e gjumit nuk jemi ambientuar ende (qesh).
Kur kanë nisur përgatitjet e para për dhomën, krevatin apo veshjet e Noah?
FATMA: Qëkur bëmë ekon e parë (qesh), është sëmundje prindërore të blesh pafund gjëra madje edhe të panevojshme për bebushin…
Cili ka qenë momenti më i sikletshëm që pas lindjes? Çasti kur mund të themi që keni ndjerë “dyshimet”, apo kur lindën pikëpyetjet e para të prindërimit?
ALFIO: Për mua ndërrimi i pampersave (qesh).
FATMA: Janë të shpeshta momentet e tilla, kështu besoj ndodh me çdo gjë që e do shumë, është e thjeshtë të krijosh panik. Por i kemi menaxhuar fatmirësisht, mund të jemi zënë pak më shumë me njëri-tjetrin, por asgjë serioze (qesh).
Mendoni se Noah do të jetë djali i mamit apo i babit?
FATMA: Është temë diskutimi e çdo mbrëmjeje (qesh), unë jam e lumtur që për gjatësi na duket sikur i ka ngjarë Alfios… Në fund të ditës përtej çdo shakaje duam thjesht që Noah të rritet me shumë dashuri dhe ta vlerësojë atë.
Si keni menduar të kujdeseni për Noah-n gjatë kohës që do ju duhet të merreni edhe me angazhimet dhe punët tuaja?
ALFIO: Ne jemi rikthyer të dy në punë dhe sigurisht që rrimë gjithë kohës duke parë fotot e Noah-s kur nuk jemi në shtëpi (qesh). Aktualisht Noah është në kujdesin e dados, por dhe gjyshet i gjenden shpesh pranë!
Cili është mendimi më i shpeshtë kur Noah-n nuk e zë gjumi natën?
FATMA: Pasi telefonojmë gjysmën e mjekëve dhe miqve, Noah lodhet dhe e zë gjumi (qesh). Ka pasur shumë raste kur unë nuk ia kam dalë dot dhe ka qenë Alfio ai që na ka vënë në gjumë të dyve (buzëqesh).
Cili është njeriu më i besuar ku mund ta lini Noah-n pa pasur asnjë merak apo frikë?
FATMA: Ne besojmë që nuk klasifkohemi tek prindërit shumë të fiksuar. Noah fatmirësisht është një fëmijë i mbarë dhe që i pëlqen të rrijë me njerëz e sigurisht ta shëtisësh, por me gjyshërit rri pa problem.
Në intervistat e mëparshme Fatma, ke pohuar se mami i Alfios ka qenë mbështetja më e madhe gjatë kësaj periudhe. Jemi kuriozë të dimë si e ka pritur mamaja jote këtë moment?!
FATMA: (Qesh) Mami im është njeriu më diellor në botë dhe shumë emotive si natyrë… E para që mund të them është që sigurisht ka qarë kur më ka dëgjuar se është emocionuar sigurisht. Por është një gjyshe e lumtur për të gjitha.
Çfarë rruge do donit të ndiqte Noah kur të rritet dhe cila është këshilla me të cilën do e rrisni?
FATMA: Nuk i kemi hyrë këtyre halleve akoma (qesh). Është pak shpejt. Njëri do t’i mësojë motorrat, tjetra librat, nuk dimë dmth, ne po bëjmë maksimumin për t’i dhënë më të mirat, siç kanë bërë prindërit tanë me ne, apo siç bëjnë të gjithë prindërit për fëmijët e tyre. Pjesa tjetër do vijë rrugës.
Më mirë një motër apo një vëlla për Noah-n? Apo të dy bashkë?
FATMA: Është shumë shpeeejt. Do presim të rritet Noah dhe të na e kërkojë vetë motrën ose vëllain.
Nëse do ta kthenit kohën pas, do e kishit sjellë më parë Noah-n në jetë?
ALFIO: E mendojmë shpesh dhe duke parë lumturinë dhe gëzimin që ka sjellë në shtëpi të dy themi çfarë paskemi humbur.
Cili është mësimi më i vlefshëm që keni marrë prej tij?
FATMA: Është e habitshme se si një krijesë kaq e vogël mund të të mësojë çdo ditë shumë gjëra. Na mëson një dimension dashurie tjetër, na mëson durimin, përkujdesjen, na mëson korrektesën, si të rrish pa gjumë dhe të nesërmen ta mbash në krahë a thua ke fjetur dhe je relaksuar gjithë natën, na mëson si të lëvizim në majë të gishtërinjve nëpër shtëpi (buzëqesh). Të gjitha gjërat e bukura na i ka mësuar teksa ne përpiqemi t’ia japim atij.
Po me televizionin çfarë do të ndodhë?
Fatma: Kemi shumë plane, por do t’i zbulojmë së shpejti.
Ardhja në jetë e Noah, do të thotë që s’do të ketë dasmë?
ALFIO: Sapo ai të hedhë hapat e parë do t’ju vijë ftesa (qesh). / revistawho.com
Fotot u realizuan ne showroom-in e Brunes, ku u përzgjodhën koleksionet e fundit të markave më të njohura internacionale si: Desiree, Stosa, San Giacomo, Poliform. Për më shumë detaje vizitoni rrjetet sociale të Brunes.