“Kurrë mos thuaj kurrë”! Nëse këto fjalë do të personifikoheshin, do të quheshin padyshim “Keisi & Stresi”. Historia e tyre i ngjan filmave, skenareve romantike derdhur disi në aksion, në ëndrra, në realitetin që të bën bashkë e të çon mijëra kilometra larg. Miq, partnerë, bashkëshortë, ish-bashkëshortë dhe tani sërish miq që i shohim në një videoklip, bashkë. Një rrëfim që i tejkalon dimensionet e dashurisë, shpërngulet në trenin e respektit, besimit, ndjeshmërisë, ëndrrave, kujtimeve që jetojnë përjetësisht. “Sa t’kam dasht'”, vjen si një himn dashurie, një këngë që plotëson rrugët e komunikimit mes Keisit dhe Stresit. Nëse po bëni atë pyetjen 1 milion dollarëshe, Stresi e shkurt, qartë dhe shqip: Never say never”. Ata të dy rrëfehen gjithmonë në “WHO”.
Intervista nga Manjola Markola
-Rikthehemi në një intervistë pas shumë vitesh, me Keisin dhe Stresin. Të gjithë ata që po lexojnë intervistën tuaj janë të surprizuar. Si keni qenë? Si ka qenë kjo periudhë për ju?
Stresi: Që nga muaji shkurt, kam qenë i angazhuar me albumin tim, të cilin tashmë e kam lançuar në treg. Ai përmban 12 këngë dhe është një punë e shkëlqyer që ka pasur një sukses jashtëzakonisht të madh në të gjitha platformat digjitale. Ka qenë një periudhë intensive, me shumë punë, videoklipe, koncerte, etj. Mund të them me bindje se ka qenë periudha ime më e mirë ndër vite. Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur dy gjëra shumë të mira si në karrierën time, ashtu edhe në jetën personale. Në aspektin profesional, padyshim që albumi me suksesin e tij ka qenë kulmi dhe më ka dhënë një ndjesi të thellë mirënjohjeje dhe përmbushjeje. Por ajo që e bën këtë periudhë edhe më të veçantë është një tjetër moment. Unë i kërkova Keisit të më ndihmonte në këtë projekt. I kërkova të jetë pjesë e një kënge që ia kisha kushtuar dhe ajo pranoi. Pse e quaj një periudhë të mirë edhe këtë të dytën? Sepse kemi dhënë një shembull të bukur dhe demokratik: dy njerëz që kanë qenë në një lidhje dashurie mund të arrijnë të bashkëpunojnë në këtë mënyrë. Këtë nuk e kisha menduar kurrë . Por, kot nuk thonë kurrë mos thuaj kurrë.
Keisi: Unë, mirë fare! Shpëtova pak nga monotonia që mund të përjetoja në Kanada. Kedi e ka thënë edhe në një këngë tjetër: “Me mu s’ke me gjet monoton.” Puna e klipit doli papritur, por shpeshherë gjërat që ndodhin pa plan dalin më bukur.
-Keisi dhe Stresi, që prej fillimit të historisë suaj, keni bërë “boom”, ndaj dhe ky rrëfim që iu sjell sërish së bashku, vjen me një frymë që mbahet, teksa priten përgjigjet tuaja. Kejsi, çfarë të riktheu nga Kanadaja?
Keisi: U riktheva në Shqipëri për të takuar të afërmit e mi, mes tyre sigurisht edhe Arkimedin me familjen e tij. Por, për shkak të angazhimeve të shumta në Kanada, koha për pushime ishte e kufizuar.
Hera ime e dytë ishte posaçërisht për të. Ai më kërkoi të isha pjesë e videoklipit të këngës që më kishte dedikuar. Unë kam qenë dhe do të mbetem gjithmonë fansja dhe mbështetësja e tij më e madhe, ndaj, sigurisht që pranova të bëhesha pjesë e projektit të tij më të bukur (haha).
-Stresi, si ka qenë për ty ritakimi me Keisin?
Stesi: Herën e parë jemi takuar shumë shpejt se unë nuk e kisha kuptuar fare që ajo kishte ardhur. Postonte nga Shqipëria, por mendova se ishin postime të vjetra. E mora në telefon dhe i thashë: “A mos ke ardhur gjë?” dhe ajo m’u përgjigj: “Po.” Në momentin që e takova, isha i hutuar. E kisha imagjinuar krejt ndryshe, sikur do të kishim një përballje dramatike se kishim vite pa u parë, por ajo thjesht më erdhi vetë në derë.
-Keni qenë miq, më pas partnerë, bashkëshortë dhe në fund u ndatë, duke lënë pas 1001 pyetje. Si ka qenë periudha kur shkruhej vetëm për ju të dy, sidomos për ty Keisi që je përpjekur të rrish larg vëmendjes së mediave? Stresi, çfarë të bezdiste më shumë nga lajmet?
Stresi: Mua nuk më ka bezdisur asgjë nga lajmet, sepse kam qenë unë ai që e bëri lidhjen tonë publike – pa qenë kjo dëshirë e Keisit. Në fillim, çdo gjë që bëja apo çdo gjë që dëgjoja për ne të dy, më bënte të ndihesha mirë. Mendoja me vete: “Kujt po ja nin për skandalet, kur për ne flasin portalet.”Unë çdo gjë e marr si benefit, qoftë kur flasin mirë, qoftë kur flasin keq.
Keisi: Ajo ishte një nga periudhat më të vështira që kam kaluar. Në fillimet tona, isha shumë e re, jo vetëm në moshë, por edhe në botën e showbiz-it. Duke qenë se kisha jetuar jashtë, nuk e konceptoja dot gjithë këtë ekspozim. Ishte një botë e re për mua dhe për t’u treguar e sinqertë, isha totalisht e papërgatitur. Unë si natyrë nuk kam qejf të jap shpjegime, të jap llogari, ndërsa të qenit person publik kërkon pikërisht këtë. Është komplet e kundërta e asaj që jam unë.
Më dukej sikur gjithmonë kishte kritika, kureshtje, e në shumicën e rasteve as vetë nuk e kuptoja çfarë po ndieja, jo më të jepja shpjegime për të tjerët. Shpeshherë, gjërat që fliteshin ishin shumë larg realitetit, dhe ndonjëherë të vinte natyrshëm dëshira për të sqaruar apo mbrojtur, por për fat të mirë kuptova herët që çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë. Heshtja, në fakt, më ka ndihmuar për të ruajtur qetësinë time dhe të familjes sime.
Normalisht, të qenit në qendër të vëmendjes ndikoi edhe në marrëdhënien tonë sepse unë gjithmonë kam pasur një lloj revolte ndaj famës. Ndoshta po ta kisha pranuar më herët si pjesë të jetës sime, do ta kisha përjetuar ndryshe. Në fund të fundit, ka edhe anën e vet të bukur, si për shembull, ata njerëz që të mbështesin dhe të japin shumë pozitivitet. Por unë, në çdo rast, ndihesha në luftë me gjithë këtë gjë, dhe emocionalisht më rëndonte shumë. Nuk merrja pjeset pozitive por vetëm ato negative dhe ky ka qenë një gabim i imi.
-Nga marrëdhënia juaj, shohim se ndarja nuk pati një “sherr” për të thënë :“unë me atë kurrë më” duke dhënë mesazh qytetarie. Ajo që duam të dimë është: si është marrëdhënia juaj sot?
Keisi: Mendoj se në momentin që ke një lidhje apo marrëdhënie me dikë, është diçka e shtrenjtë, të paktën për mua! Nga ajo marrëdhënie do krijohen momente që do mbeten kujtime, mësime që do të të pjekin, edhe ndjenja që do të të shoqërojnë gjithë jetën. Mendoj se gjëja më e shëmtuar është nëse sot duhesh dhe nesër shahesh. Mos të shtirem tani sikur jam perfekte, aspak! Unë atij kushedi sa herë i kam bërë namin, haha, por kam çfarë kam, e kam me të.
Të dal në temë, marrëdhënia jonë sot mendoj se është shumë më e pjekur. Është e bazuar në respekt, mirënjohje dhe mbështetje. Dashuria mes nesh ka qenë e flaktë, të paktën nga ana ime. Unë kam qenë e marrosur, ahaha! Stresi im vinte nga Stresi vetë domethënë, por edhe lumturia ime vinte nga ajo e tij. Nëse dikur kishim një dashuri posesive dhe prisnim reciprocitet, sot mendoj se është një dashuri pa kushte dhe e paimponuar.
-Keisi, si e sheh Stresin pas disa vitesh, çfarë ka ndryshuar tek ai?
Keisi: E shoh që është pjekur, është bërë shumë më i duruar. Deri dje nuk më linte as të krihja flokët, ndërsa sot më pret me qetësi, sikur të isha duke u bërë nuse, haha. E dalloj që ka reflektuar. I pranon gabimet dhe di të kërkojë falje, dhe kjo, për mua, është një cilësi që e vlerësoj pafund.
Gjatë kësaj periudhe, ai ka reflektuar mbi veten, mbi jetën, dhe është kthyer në versionin më të mirë të vetes, në versionin më të mirë të Stresit. Dhe në mes të gjithë këtyre ndryshimeve, ka diçka që ka mbetur e njëjtë, zemra e tij e madhe. Sepse, pavarësisht gjithçkaje, Arkimedi ka qenë dhe mbetet një njeri me shpirt të madh.
-Stresi, po te Keisi, ndien se ka ndryshuar, si e ke parë këto kohë?
Stresi: Realisht po, shoh një Keisi tjetër në sjellje. Ajo ka qenë gjithmonë perfekte në sjelljen e saj, por tani është rritur dhe është pjekur shumë, e matur, e vendosur, më surprizon çdo ditë e më shumë. Jam shumë kurioz. Gjithmonë i kam shprehur respektin dhe mirënjohjen publikisht. Keisi është një vajzë shumë shumë e mirë. Është pak e rezervuar normalisht, vitet bëjnë të vetën, dhe e kuptoj plotësisht, s’ka faj, haha!
-Stresi, Keisin e shohim në videoklipin tënd, çka rrjedhimisht i shpjegon të gjitha. A ishte pikërisht ajo, qershia mbi tortë që po mungonte në këtë këngë kaq të ndjerë, kaq romantike?
Stresi: Pak para përfundimit të albumit, më duheshin edhe dy këngë për ta mbyllur. Në një bisedë në WhatsApp mes meje dhe Keisit, iu shpreha asaj: “A e sheh të kemi prapë një të ardhme bashkë?” dhe përgjigja e saj ishte: “eh, ka ikur koha jonë”. Të nesërmen do udhëtoja për në Itali dhe në atë moment, më erdhi ideja. Kjo këngë është bazuar pikërisht në tekstet tona në WhatsApp. Sapo mbërrita, hyra direkt në studio për të realizuar “Sa t’kam dasht”. Duke qenë se teksti është bazuar në fjalët e saj, prezenca e saj në klip ishte vërtet qershia mbi tortë. Nuk do të kishte pasur të njëjtin impakt një aktore, sa vetë personi në fjalë.
-Kur kamera nisi të xhirojë, a ishit dy persona që po luanin një rol, apo dy njerëz me kujtime të vjetra përballë njëri-tjetrit?
Keisi: Nëse unë dhe Arkimedi kemi një gjë të përbashkët, është që nuk dimë të shtiremi apo të aktrojmë. Jemi dy tipa pa filtra, ndaj çdo gjë që do të shihet në ekran do të jetë realitet.
Stresi: Që nga dita e parë që jemi njohur, asnjëherë s’kemi qenë në rol, në asnjë aspekt. Isha shumë i stresuar, unë personalisht nuk e kisha të lehtë. Kam xhiruar me qindra videoklipe, por ky ishte i vetmi që e kisha me shumë merak dhe ankth. Pjesa më e vështirë ishte që kishte staf përreth, dhe unë nuk jam mësuar të dal me Keisin haptazi. Kur shihja që afroheshin kamerat tek ajo, bëhesha pak xheloz, të them të drejtën.
-Të shfaqesh në një videoklip me dikë që ke ndarë jetë personale, ke qenë në një marrëdhënie dhe më pas secili ka vazhduar jetën e tij respektive, nuk është e zakonshme. Si e përjetove këtë përvojë ti Keisi?
Keisi: Siç nuk është e zakonshme të vazhdosh të mbash marrëdhënie të mira apo kontakt me ish-burrin, ne që s’kemi as fëmijë, haha. Fjala “e zakonshme” s’ka qenë kurrë një epitet që na ka përshkruar. Pavarësisht se jemi shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, në të njëjtën kohë edhe ngjasojmë shumë. Të dy kemi qejf t’i thyejmë normat, ose më saktë, mund të them që jemi të mbrapshtë, hahaha. Kjo përvojë ishte pak sfiduese, duke qenë se ishte hera ime e parë në një videoklip, por njëkohësisht ishte edhe shumë e bukur.
-A ishte ky një moment që kërkoi guxim emocional apo ndodhi natyrshëm, pa shumë mendime?
Keisi: Besoj që kishim të dy pak emocione. Më tepër për faktin që, kur kalon shumë kohë, njerëzit ndryshojnë dhe ne të dy s’jemi më ata që kemi qenë para shumë vitesh. Është një ndjesi e çuditshme, sepse në një moment ndihesha sikur kisha përballë Kedin, me të cilin kam kaluar një pjesë jete, dhe në një moment tjetër sikur kisha përballë Stresin, që po e takoja për herë të parë.
Sa ia morëm dorën, pastaj dëgjoje Kedin nga mbrapa duke thënë: “Po ti moj, ku mësove kaq shpejt?”
Çdo gjë erdhi shumë natyrshëm. Kisha suportin e Arkimedit në çdo moment. U ndieva shumë mirë.
-Çfarë doni të komunikoni përmes këtij vizualizimi dhe pjesëmarrjes suaj së bashku në videoklip?
Keisi: Për mua, qëllimi kryesor ishte t’i jepja suport Arkimedit në projektin e tij. Me atë rast, duke qenë se unë nuk kam folur shumë në publik, doja që, nëse do të nxirrja diçka për ne nga ana ime, të ishte një gjë e bukur dhe reale. Në shumicën e rasteve kanë folur portalet, publiku ose vetë Arkimedi për ne. Unë jam shmangur gjithmonë, siç e thamë edhe më parë. Doja të isha pjesë e këtij projekti që nëse dikush hyn të kërkojë për Stresin dhe Keisin, të shohë vetëm një gjë nga kjo: ne gjithmonë jemi aty për njëri-tjetrin – bashkë apo të ndarë.
Stresi: Doja të tregoja që e kam dashur shumë, ashtu siç është edhe titulli i këngës. Në të gjitha klipet e mëparshme, Keisi ka qenë e acaruar; m’u dha rasti t’i tregoja si është një klip dhe ta ndaja artin tim me të.
-A pati momente “funny” gjatë xhirimeve? Keisi, si ishte Stresi, të lodhi? Po Keisi, besoj ta bëri më të lehtë punën, apo jo Stresi?
Keisi: Në këtë eksperiencë e kuptova se sa shumë punë kanë klipet. Kishte një skenë ku pata shumë ftohtë. Një ditë kemi qëndruar në xhirime deri në 4 të mëngjesit. Nuk është se u lodha, sepse e kisha marrë me sportivitet përderisa isha aty për të suportuar, por më bëri ta vlerësoj edhe më shumë punën që bëjnë personazhet e showbiz-it. Qoftë një reper apo një modele, s’qenka kollaj të rrish me orë para kamerës.
Për pjesën “funny”, Kedi ka të forta gjithmonë, por e preferuara ime ishte kur i thoshte stafit: “Prijeni këtë pjesë, se ka dalë më mirë se unë.”
Stresi: Në fakt, jam acaruar shumë se po e shihnin shumë meshkujt, haha. E lashë xhirimin për një moment, u qetësova dhe u ktheva. U përmbajta, duke qenë se isha në moment pune dhe më duhej të dilja në profesionin tim. Përtej kësaj ma bëri më të lehtë, sepse i dha klipit një frymë tjetër. Ajo edhe më njeh dhe e dinte që isha i stresuar, sepse një nga ditët që po xhironim unë po e nxirrja albumin, plus kisha edhe koncertin në mbrëmje. Mundohej të bënte shaka apo të përshtatej. Shkoi deri në atë pikë sa për të realizuar një skenë, u desh që Keisi të dilte më e gjatë, dhe vetëm kur kthej kokën, e shoh me tullë në dorë. E kishte gjetur dhe e solli. I thashë: “Po ka njerëz të tjerë për këtë punë,” por ajo donte në çdo rast të më lehtësonte dhe të ishte një ndihmë.
-A ka reflektime ky “rikthim” i ju të dyve, ishte një proces i domosdoshëm për historinë tuaj?
Stresi: Ishte shumë e domosdoshme t’i tregoja Keisit një këndvështrim se si funksionojmë ne si ortakë, dhe jo që ajo të rrijë nën hijen time. Mos të gënjej, e përdora edhe si pretekst për ta rikthyer në Shqipëri. Unë Keisin e kam edhe si shoqe. Duke e ditur që ajo gjithmonë e do të mirën time, e dija që ajo do të ishte aty për mua, sidomos kur bëhet fjalë për të më suportuar.
-Çfarë është për ju “Sa t’kam dasht”, kënga që në njëfarë mënyre ju bëri bashkë?
Keisi: Epo Stresi për mua ka bërë plot këngë, haha, por kjo ishte e veçantë, sepse të gjithë dinë të “këndojnë” kur janë bashkë dhe të lumtur, ama Arkimedi e ka bërë edhe pas ndarjes, qoftë si nëpër intervista, ose literalish në këngë. Për më tepër, më pëlqeu ta shihja talentin e tij, teksa ai transferonte fjalë për fjalë bisedat tona në këngë. Unë inspirim për tekstet e tij, dhe ai padiskutim është një talent i vërtetë.
Stresi: Një rrëfim dashurie.
-Keisi, verën do ta kalosh në Shqipëri, apo i rikthehesh jetës në Kanada?
Keisi: Unë ndodhem në Kanada. Nuk është se kam ndonjë plan konkret për momentin, sepse udhëtimet gjithmonë i kam spontane.
Stresi, si janë planet e verës tënde?
Stresi: Verë e nxehte, me plot koncerte, jam i angazhuar maksimalisht. Duhet të jem i saktë dhe i përqendruar. Kam vite karrierë dhe dua që këto vitet e fundit t’i mbyll duke dhënë hite të paharrueshme.
-Nëse do kishit një mesazh për të gjithë ata që po na lexojnë, cili do të ishte?
Keisi: “We dont see things as they are, we see them as we are” Është një nga shprehjet e mia të preferuara. Për mua, gjithçka në jetë lidhet me perspektivën, me këndvështrimin, mënyra si e sheh jetën apo një situatë të caktuar tregon shumë për ty. Mesazhi im është ky: përpiquni të merrni të mirën nga çdo situatë, edhe nga ato më të vështirat… qoftë edhe vetëm një mësim. Jo çdo ndarje sjell urrejtje. Një ndarje nuk do të thotë se dashuria ka marrë fund, ajo thjesht merr forma të tjera. Nëse e keni dashur dikë vërtet, dashurojeni ende, në mënyrën tuaj.
Stresi: Gjithmonë kam menduar se nuk ka më shpresë kur dy njerëz që kanë qenë shumë të dashuruar ndahen dhe kalojnë vite pa u parë, por ndonjëherë mjafton një moment dhe gjithçka ndryshon. Respektojeni partnerin tuaj, duajeni me sinqeritet dhe mos e ulni kurrë, as gjatë lidhjes e as pas ndarjes. Lini gjithmonë një derë hapur… sepse kurrë nuk i dihet. Never say never!