Intervista nga Manjola Markola/ Fotot: Pirro Beati/ Hair: Sezer Hair Style / Make Up: Henri Gjata (MUA)
Bukuria është dimension unik i qenies njerëzore. Përmes saj krijojmë hapësira kudo. Qëndrojmë në horizonte të afërta, e shkojmë edhe përtej tyre, sigurisht për të njohur atë, të panjohurën. Historia e ka ka skalitur të bukurën në çdo skaj. Ashtu siç janë krijuar pasaralet e kompeticioneve më të mëdha, për të bekuar të bukurën, në histori, në botë, në natyrë, kudo. Një vajzë e bukur, bionde, me sytë e shndritshëm e shikimin e mprehtë, ka ngjitur shkallët për të shkuar drejt e në një prej kompeticioneve më të rëndësishme në botë, “Miss International 2023”. Brigite Pitarka, farmacistja e suksesshme do të udhëtojë tanimë drejt Tokyo-s, për një përvojë të paharrueshme. Ajo, vajza me ëndrra të mëdha, që i ngjiti shkallët një e nga një, drejt ëndrrës më të madhe që bën bashkë jetën, për një jetë. Se Brigite është ashtu, e brishtë në shikim, e bukur në shpirt dhe luftarake në trup. Ajo është vetëm ajo, vajza që i sfidoi të gjithë për ëndrrën e saj.
Brigite, sot një vajzë e suksesshme në të gjitha dimensionet, po si ka qenë fëmijëria jote?
Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, e kujtoj si një etapë tepër të lumtur të jetës time. Kam lindur në një familje të mrekullueshme, me dy prindër që kanë sakrifikuar gjithçka që mos të më mungonte asgjë. Kam edhe një vëlla më të madh që më ka rritur me shumë dashuri, pasi i duhej të kujdesej për mua teksa prindërit ishin në punë. Në fakt kam lindur në Gjermani, fëmijërinë e kam kaluar në Greqi. Ajo kohë ka qenë goxha impjenjative për mua, përveç shkollës shkoja në balet,në kurs pikture. Në shkollë isha gjithmonë në tabelën e nderit, për prindërit e mi ka qenë primare shkolla dhe edukimi.
Në adoleshencë, cilat kanë qenë ëndrrat e tua, cilat janë realizuar sot?
Si çdo adoleshente, edhe unë kam pasur shumë ëndrra, megjithatë ajo më e madhja që kisha është realizuar. Të isha pjesë e botës së mjekësisë. Kam përfunduar studimet për degën “Farmaci” dhe sot ushtroj profesionin si farmaciste dhe drejtuese teknike në farmaceutikë. Në vitin 2021 jam nderuar me çmimin “Lider ekselent në menaxhimin e shërbimit të pacientëve”, në “Albanian Excellence 2021” duke vendosur edhe kulmin e realizimit tim professional në një moshë relativisht të re dhe duke u ndjerë krenare për veten.
Nëse do të riktheheshe pas në kohë dhe të mbeteshe në një vit të caktuar, cilin vit do të zgjidhje?
Do të isha e lumtur po të zgjidhja çdo vit para vitit 2020 kur edhe nisi pandemia. Por sërish, falënderoj zotin për çdo ditë që na jep për të jetuar mua dhe familjes time.
Pak pasi të mendojmë farmaciste, prej kohësh menaxhere në një prej firmave më të mëdha farmaceutike në Shqipëri, por me një pasion për pasarelën, një dashuri që shndërrohet hera-herës dhe tani shkon drejt e në “Miss International 2023”, çfarë mund të na thuash për këtë, si ka ecur rrugëtimi yt në këtë panorama, le ta themi kështu?
Primare në jetën time ka qenë gjithmonë profesioni si farmaciste dhe zhvillimi në këtë fushë, teksa sot kam arritur të kem ndër pozicionet më të suksesshme në farmaceutikë. Por ky impenjim sigurisht që më ka bërë të lë pas dore pasionin tim në konkurset e bukurisë. Më është ofruar në vitin e diplomimit tim të merrja pjesë në konkursin e bukurisë në Shqipëri, por për shkak të studimeve të mia dhe të diplomës, nuk e pranova. Më është ofruar përsëri gjatë kohës kur kam qenë në rrugën më të suksesshme të punës dhe për shkak të impenjimit të madh, nuk pranova prapë e tani kur më në fund ndihem e realizuar nga ana profesionale, gjeta pak kohë për të pranuar e për të marrë pjesë në këtë kompeticion bukurie. Ndihem e lumtur dhe krenare që do të përfaqësoj vendin tim, Shqipërinë. Është një emocion i papërshkrueshëm e tanimë kjo gjë më bën të ndihem më e realizuar në objektivat dhe pasionet e mia njëkohësisht.
Kur ka qenë hera e parë që ti e ke menduar si pjesë të jetës tënde një përvojë të tillë, e ke menduar veten në ato pasarelat e mëdha ku je vetëm ti, dritat vezulluese dhe më pas shumë duartrokitje?
Veten po, e kam menduar që kur isha fëmijë kur organizonim “Miss Lagjja” me vajzat e pallatit. Gjithmonë ka qenë një ëndërr e bukur, deri në momentin kur rritesh dhe i jep prioritet profesionit. Më pas për disa vite nuk e kisha menduar, duke qenë se më mori edhe rrjedha e punës. Në një bisedë rastësore, ky pasion është rizgjuar, dhe është ëndërr e madhe pjesëmarrja në një kompeticon shumë prestigjoz bukurie.
Çfarë përplotësimi është për ty, realizimi i një ëndrre të tillë që të çon deri në Tokyo?
Të shpallesh “Miss International Albania” është vërtet një emocion tepër i madh. Jam shumë e lumtur që bëhen kompeticione të tilla serioze për bukurinë e vajzave shqiptare, e për mos të folur pastaj për të përfaqësuar vendin tënd në Tokyo, si një nga kompeticonet më të rëndësishme të bukurisë. Është një përvojë e veçantë dhe ka energji pozitive. Këtë fitore ia dedikoj plotësisht nënës time, jam e bindur që do të ishte shumë krenare. Ajo gjithmonë ka dashur të shihte pasionet e mia të realizuara.
I ke qëllimet e qarta kur ndërmerr nisma në jetën tënde?
Patjetër që po. Eci gjithmonë me një plan dhe me qëllime të qarta mbi atë që dua të realizoj në jetë.
Cili është personi me të cilin je ulur dhe ke folur me të për këtë pasion dhe këtë ëndërr tënde, dhe të ka dëgjuar e mbështetur e natyrisht do të të mbështesë deri në fund?
Personi që më ka mbëshetur gjithmonë e më ka mësuar që mos të heq kurrë dorë nga pasionet e mia, është vëllai im. Ai jo vetëm më ka mbështetur, por edhe më ka shtyrë të marrë pjesë në kompeticione bukurie. Dhe jam e bindur që do të jetë mbështetja ime më e fortë në rrugëtimin drejt së bukurës edhe në vazhdim.
A e ke ëndërruar ndonjëherë një miksim ideal të farmacisë dhe ecejakeve në pasarela përshembull, si do të ishte dualiteti perfekt?
E kam menduar së fundmi dhe mendoj se një person që arrin ta menaxhojë kohën siç duhet, mund të jetë i realizuar dhe në karrierë, por edhe të ndjekë pasionet e veta. Këto të fundit të bëjnë të ndihesh i plotësuar në të gjitha drejtimet.
Si e projekton të ardhmen në kornizën e profesionit dhe pasionit, e ndan në 5-vjeçarë, në 10-të, apo e lë hapësirën më të lirë dhe mirëpret çfarë vjen?
Në fakt në pikën ku jam, e projektoj deri në 5 vitet e ardhshme veten time. Më pas e mirëpres atë çfarë mund të vijë duke i dhënë rëndësinë e çdo mundësie që jeta sjell.
Ndërkohë të kemi parë edhe në spote televizive. Do vazhdojmë të të shohim pjesë të tyre?
Spotet publicitare të cilat unë kam bërë lidhen me profilin tim, farmacinë. Pra në çdo gjë që bëj ka lidhje të ngushtë profesion-pasion. Do të më shihni edhe në spote të tjera televizive.
Cilat janë pasionet e Gitit, a ka diçka së cilës ti i kushton kohën tënde të lirë?
Pasioni im më i madh është piktura. Kam 14 vjet që pikturoj dhe aty gjej prehjen time të shpirtit. Aty shprehem. Një tjetër pasion janë udhëtimet. Më pëlqen të eksploroj e të shijoj vendet e reja, bukuri natyrore, muzetë, veprat e artit, të njoh kulturën e një vendi, moda, gastronomia.
A është e rëndësishme t’i atashohemi pasioneve, në një kohë si kjo kur na rrëmben furia e punës dhe e teknologjisë që është në kulmin e saj?
Pasionet janë të rëndësishme, pasi realizimi i tyre të përmbush me lumturi. Realisht deri në këtë pike, duke qenë se unë jam person që më rrëmben puna gjithë ditën, ka qenë arsyeja pse unë kam lënë pas pasionet e mia. Tanimë i kam dhënë rëndësinë që kanë pasioneve të mia dhe duke qenë se unë jam menaxhere, kjo më bën të dalloj dhe të menaxhoj kohën mes profesionit dhe pasionit. Për pjesën e teknologjisë, të them të drejtën nuk më pengon shumë, sepse kam aftësinë të bëj një balancë.
A do të jetoje 3 muaj pa telefon dhe internet në një vend diku në mal?
Nëse do të isha me njerëzit e zemrës në mal, sigurisht që do të jetoja me kënaqësinë më të madhe. Por kur mendojmë realitetin, ndryshon situata. Me punën që bëj unë, nuk do të jetoja as 3 minuta pa telefon, e jo më 3 muaj.
Po marrëdhënien me miqtë si e ke? Ke shumë miq të ngushtë, sa gishtat e njërës dorë, apo më shumë?
Jam një person shumë social dhe kam miq të mirë përreth. Edhe për shkak të punës që bëj, më duhet të takoj shumë persona, e kësisoj krijoj edhe miqësi. Sigurisht që kam edhe miqtë e mi të zemrës, që janë saktësisht sa gishtat e njërës dorë.
Çfarë vlerëson më së shumti te miqtë e tu? Nëse do numëroje 5 virtyte që duhet t’i ketë patjetër dikush që të jetë miku apo mikesha jote?
Dy elemente për mua janë shumë të rëndësishme në një marrëdhënie mes miqsh të vërtetë, dashuria e vërtetë dhe respekti. 5 virtyte?
- Sinqeriteti
- Çiltërsia
- Besnikëria
- Inteligjenca
- Mirënjohja
Kur themi “familje”, sigurisht që i kemi thënë të gjitha, ajo është qeliza, bërthama, gjithçka. Ç’rol ka pasur në formësimin tënd, ka qenë një mbështetje lineare, që do të thotë ke qenë gjithë kohës aty për ty, apo ke pasur shkëputje herë pas here, si për të marrë ato vendimet e tua?
Familja është e shenjtë dhe gjithmonë duhen prindërit. Unë jam rritur me një frymë tepër pozitive me familjen time dhe ata kanë qenë mbështetja ime më e madhe e jetës time dhe në vendimet e mia më të mëdha. Ata kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe unë nuk kam bërë asnjë hap pa pyetur dhe pa u konsultuar me ta. Mami im ka qenë forcë dhe mbështetja ime më e madhe. Çdo vendim i imi është marrë bashkë me familjen time dhe asnjëherë i shkëputur prej tyre. Janë padyshim forcë dhe kurajo.
Në situatat kur lumturia arrin kulmin, apo kur trishtimi të kaplon, kush është i pari ose e para në listë që merr telefonatën tënde?
Është mikesha ime ngushtë, Lorela, ajo me të cili ndaj çdo moment timin. Ka qenë pranë meje prej vitesh, në çdo çast të lumtur, në çastet jo fort të lumtura. Lumturia është një ndjesi që njeriu duhet të ndajë me njerëzit e zemrës. Ndërsa trishtimin përpiqem ta mbaj për vete, nuk dua të trishtoj njerëzit që dua.
Po me dashurinë, si i ka punët Giti?
Shumë mirë.
I beson dashurisë me shikim të parë, apo asaj që ndërtohet dita-ditës?
Dashuria është një reaksion kimik që krijohet ndryshe te çdo njeri. Ndoshta disa dashurohen me shikim të parë dhe e besoj që mund të ndodhë, pasi komandon zemra. Nga ana tjetër, jam dakord edhe me teorinë që dashuria krijohet dita-ditës duke u konsoliduar dhe rritur çdo ditë e më shumë.
A ndryshon koncepti që kemi për dashurinë me kalimin e viteve, si e ke parë këtë evolim te vetja jote?
Unë mendoj që njeriu dashuron gjithë jetës dhe nuk ka të bëjë me vitet. Sigurisht që mund të ndryshojnë karakteristikat që mund të të pëlqejnë te një person dhe ti kërkon ndër vite atë “idealin”, por forca e dashurisë mbetet e njëjtë. Unë jam një person shumë i dashur ku dashuroj shoqërinë, familjen, partnerin dhe jetën. Mbi të gjitha, çdo moment i jetës duhet shijuar në maksimum, sepse kurrë nuk i dihet çfarë rezervon e nesërmja. Duhet të jemi mirënjohës për çfarë na ofron e sotmja dhe të shijojmë çdo sekond të jetë.
Gitit ia ruajnë sekretet, apo ruan më tepër sekrete?
Në shoqërinë time është reciproke, pasi personat që bëjnë pjesë në të, janë të përzgjedhur dhe të besuar. Ka ndodhur ndoshta në ndonjë rast që ka zbuluar se sekreti im është thënë apo përfolur, por në fakt unë nuk jam person që kam sekrete, jam transparente. Mund të të them praktikisht gjithçka, pa e pasur mendjen që është sekret kjo apo jo. Preferoj të jem transparente.
Përshkruaje Gitin me 4 fjalë!
- E dashur
- E zgjuar
- Besnike
- Me shumë respekt për veten dhe të tjerët
Një mini-intervistë e shkurtër:
Mal apo det?
Mal sigurisht, ndoshta dhe origjina ime veriore ndikon në zgjedhje
Profesionin apo pasionin?
Profesionin (I cili në rastin tim është dhe pasion, 2 në 1)
Mëngjesi apo darka?
Darka
Të të duan më shumë, apo të duash më shumë?
Sigurisht që të më duan më shumë, por nëse më duan, marrin po të njëjtën dashuri nga unë.
Një bilete vajtje për në?
Gjermani, aty ku kam gjysmën time tjetër që është vëllai im dhe shoqet e mia gjithashtu. Por, edhe një biletë kthimi për në Tiranë, aty ku kam tim atë dhe të gjithë njerëzit e mi të zemrës.
Të ëmbla apo të kripura?
Të ëmbla padiskutim, siç jam dhe vetë.
Puthje apo përqafim?
Përqafime të ngrohta.