Nga: Iva Tiço Fotograf: Orsola Mema
Bëhuni gati! Kaq thotë Elhaida dhe i ka thënë të gjitha, edhe pse ne këtej për një kohë të gjatë nuk do ta shohim vërdallë. Nuk do dëgjojmë për të dhe sigurisht nuk do ta hasim portaleve, sepse kur ajo zhduket, zhduket tërësisht nga vëmendja. Veç mos mendoni se ikën me pushime. Përkundrazi. Punon e punon pa pushim. Shton në CV-në e asaj artistike suskese të njëpasnjëshme, prej skenat më të mëdha të botës, siç po ndodh së fundmi me Notre Dame de Paris siç ka bërë që në fillimet e rrugës së saj teksa udhëtonte me babin me makinë për orë e orë të tëra nga njëri vend i Evropës në tjetrin. Por Elhaida nuk është e prerë për të bërë bujë. Duket, krijon një projekt, e shijon siç shijoi albumin “ZanIN” dhe pastaj vazhdon e qetë rrugën e saj duke ngjitur shkallë, sepse: “Si mund të mos këmbëngul dhe të punoj fort kur në venat e mia rrjedh ai pasion dhe ai talent që më ndryshoi jetën?”. Pra, për Elhaidën do dëgjojmë së shpejti, në dukjen e radhës. Deri atëherë, shijoni një intervistë me një artiste vërtet të mençur.
A je e lumtur me albumin? Si e shijove dhe a shkoi gjithçka siç e doje?
Jam shumë e lumtur me gjithë feedback-un që po marr nga “ZanIN”. Kanë qenë muaj intensiv krjimi, i kam dedikuar këtij projekti çdo emocion dhe sekondë të kësaj vere. E kam bërë për ndjesitë e akumuluara ndër vite mungese në Shqipëri. Kisha nevojë t’i dhuroja këto ndjesi nëpërmjet asaj që më përfaqëson në çdo qelizë: muzikës, dhe publiku shqiptar me dashurinë që po më jep po më tregon sërish që puna dhe pritja ia kanë vlejtur.
Për herë të parë qëndrove kaq gjatë në Shqipëri, gati katër muaj. Si kaloi vera për ty?
Është e vërtetë, kishte vite që nuk rikthehesha në Shqipëri për të qëndruar më gjatë sesa 10 ditë… Të them të vërtetën, kur mora fluturimin, në fillim të qershorit, mendoja se do ishte një proces më i shkurtër, mendoja se do qëndroja disa ditë, sa për të vënë punët në vijë e pastaj do bëja vajtje-ardhje nga shtëpia ime në Itali, por kujt ia kishte marrë mendja që kjo verë do më jepte aq shumë sa të më bënte të ndryshoja mendim. Mjaftuan vetëm pak ditë në studio me Kledin, Albanin dhe Elgitin, që të më bënin të kuptoja se nuk doja të humbisja asnjë moment të krijimit me ata, jo vetëm sepse do mësoja shumë nga ana artistike, por edhe për miqësitë që po krijonim. M’u desh pak kohë të mësohesha me atë trafikun kaotik, ama më duket sikur Tirana ka këtë energjinë që kur je aty ankohesh, ama kur largohesh të mungon.
Kur ishte hera e fundit që ke qëndruar kaq këtu?
Para 9 vitesh, nëse nuk gaboj… Para se të lija atë që njihja si jetën time, për të marrë pjesë në “The Voice of Italy’.
Si shkove tek “The Voice” në Itali?
Kur fitova talent show” Star Akademi” në Shqipëri isha vetëm 16 vjeç. Pas kësaj eksperience e kuptova që ajo që doja të bëja në jetën time ishte të këndoja, prandaj në 3 vitet në vazhdim, ndërkohë që vazhdoja studimet, e shoqëruar gjithmonë në makinë me babin, udhëtoja në Ballkan dhe Evropë duke marr pjesë në festivale muzikore. Në këtë periudhë kam shtuar dhjetëra çmime të para në CV-në time. Ishte pikërisht në një nga këto festivale, në Rumani, ku pata fatin të dëgjohesha dhe kontestohesha nga këto dy producentë muzikorë italianë që më ftuan të merrja pjesë në ’TVOI’. Shumë e lumtur sigurisht, pranova dhe të nesërmen u nisa për 14 orë udhëtim me makinë për Shqipëri, sepse në ato ditë do mbahej finalja e TOP Fest dhe unë isha finaliste :).
Thua shpesh jam me fat. Ndoshta je dhe sa mirë… Por gjithsesi të nisesh e të udhëtosh në Rumani, ndërsa po përgatit dhe pjesëmarrjen në Top Fest (ku fitove) mua më duket punë më shumë sesa fat. Punë me thonj, madje… Sa herë të është dashur të dalësh nga zona jote e komfortit për të kërkuar “fatin” si në Bullgari (Zana Çela gjithashtu përmendi këmbënguljen tënde për t’u pranuar te Star Akademy).
Më pëlqen ta them me zë të lartë që jam me fat, më pëlqen ta besoj fort, është një lloj ushtrimi mental që e bëj për veten time: ‘Beso, Beso, Beso!’ Mënyra se si i flet vetes do të bëhet e vetmja mënyrë që ti u lejon të tjerëve të të flasin, do të bëhet i vetmi version jete që ti njeh. Zona e komfortit është armiku më i madh, nëse je një person me qëllime dhe ëndrra në sirtar dhe falë Zotit këtë e kam kuptuar shpejt. Sigurisht e vuaja në fillim, ndoshta akoma sot më mungon pak ajo rutina, por si mund të mos këmbëngul dhe të punoj fort kur në venat e mia rrjedh ai pasion dhe ai talent që më ndryshoi jetën?
Kthimi i karriges së Cocciantes në Voice mund të quhet si pika e kthesës në jetën tënde apo jo?
Ndonjëherë ndaloj e mendoj ku mund të isha unë sot nëse në vend të Riccardos do kisha zgjedhur një tjetër Coach në TVOI. Është kaq interesant fakti që një zgjedhje e vogël e jotja mund të ndryshojë krejt rrjedhën e jetës tënde. Jam mëse e lumtur që realiteti është ky ama, sepse falë Cocciantes jam rritur artistikisht dhe personalisht shumë. Më ka dhënë shumë, dhe po, mund të them që ka qenë pika e kthesës në jetën time.
Këngëtari i njohur italian, jo vetëm që na beri një surprizë të bukur duke qenë i pranishem në promovimin e albumit tënd, por dhe këndoi aty live “Margherita”. Na bëri të këndojmë dhe ne… Duhet të të ketë vërtetë shumë xhan, apo jo?
Meë pëlqen që nuk është nevoja ta them me fjale këtë të fundit, ai e tregon me vepra që në ditën e parë që më ka bërë pjesë së jetës së tij. Përtej emocioneve që kisha natën e promovimit për publikimin e ‘ZanIN’, Riccardo arriti të më emociononte dyfish me performancën e tij dhe thjesht me praninë e tij në këtë natë kaq të rëndësishme për mua. Jam e lumtur që një figurë aq e rëndësishme e muzikës botërore siç është Cocciante, duke më mbështetur mua mbështet njëkohësisht dhe artin shqiptarë. Fakti që kam fatin të bëj rolin e një ambasadoreje që nga fillimet e karrierës sime, më bën krenare.
Tani je pjesë e trupës së Notre Dame? Na trego pak për turneun që do zhvillohet në Azi.
Tashmë prej disa vitesh i dedikoj jetën time kësaj vepre madhështore siç është Notre Dame de Paris. Më ka bërë të jetoj në skenat më të rëndësishme të botës, siç është Kremlin Palace në Moskë, Teatri i Mbretëreshës në Londër, Pallati i Kongreseve në Paris dhe shumë shumë vende dhe kontinente të ndryshme të botës. Së shpejti do rikthehemi në Azi, më sakte në Seoul, për të performuar në 2 muaj shfaqje SOLD OUT.
Ndërkohë gjithë këto lëvizje, pak vështirë për jetën private apo jo?
I ke rënë pikës (qesh). Kur më lart përmenda që duhet këmbëngulje dhe shumë punë, harrova të them që duhen edhe shumë sakrifica. Është e vështirë të krijosh diçka të rëndësishme në jetën private kur në 12 muaj në vit, ti 6 nga këto i kalon në turne nga një cep i botës në tjetrin. Por kam shumë besim në ndjesitë e mia, nëse deri tani në jetën time kam zgjedhur gjithmonë muzikën dhe karrierën domethënë që përpara meje nuk kam pasur diçka për të cilën ia vlente të sakrifikoja gjithçka që unë kam sot. Në momentin që do të ndodhë, do të jem shumë e lumtur ta jetoj.
Cilin qytet quan tani shtëpinë tënde? Atë ku ke shumicën e sendeve dhe macen?
Nooriiiiii 😀 Në periudhën e karantinimit gjithsecili nga ne bëri një çmenduri, besoj. Çmenduria ime quhet Noori dhe është macja ime bukur që mora gjatë kësaj periudhe, por që nuk pendohem aspak sepse më ka zbukuar ditën dhe momentet kur kthehem në shtëpinë time në Itali. Përsa i përket shtëpisë sime, dhe këtu besoj do më japin të drejtë shumë bashkatdhetarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, në momentin që vendosa të largohesha nga Shqipëria jam kthyer në një person pa shtëpi. Në Itali do jesh gjithmonë vajza shqiptare, ndërsa në Shqipëri do të të shohin gjithmonë si ajo që jeton jashtë Shqipërie. Është sikur nuk i përket asnjë vendi 100%, por nuk e shoh më si diçka negative. Unë jam Elhaida, kam lindur në Shqipëri dhe kam gjak shqiptar, jetoj në Itali por dhuroj veten time gjithë botës sa herë që ngjitem në skenë për të kënduar, ku ka më bukur se kaq!
E kishe menduar këtë lloj jete kur more pjesë fillimisht tek Star Akademy? Je aty ku duhet? Apo ka më lart?
E dija që jeta ime nuk do ishte ajo që kisha parë rreth meje duke u rritur në Shkodër, diçka më e madhe më priste, por nuk e dija si dhe nuk e dija kur. Ka gjithmonë më lart, por mua më mjafton të vazhdoj të ushqehem me dashurinë që më jep muzika dhe kur fokusohesh tek gjërat e duhura dhe ke besim gjithçka mund të ndodhë.
Më ka bërë përshtypje diçka në karrierën tënde, duke e parë kështu nga larg si gazetare: fiton diçka, arrin në majë, të gjithë flasin për ty, pastaj sikur zhdukesh. Ndërkohë je duke bërë gjërat e tua, duke kënduar sigurisht, por je e shkëputur nga media… pastaj del prapë dhe bën prapë një “boom”. Është kjo një strategji e menduar apo kështu të shkon më shumë për shtat?
Nuk ka qenë kjo asnjëherë një strategji e imja, thjesht është pjese e karakterit tim. Për të dhënë maksimumin tim dhe për të shijuar çdo proces të punës sime kam nevojë të ‘mbledh forcat’. Kam nevojë të largohem pak dhe të jetoj larg reflektorëve, për të jetuar, sepse vetëm duke jetuar mund të akumulosh ndjenja dhe histori që pastaj i derdh tek një këngë që jeton përgjithmonë tek njerëzit.
Thënë këto, a mos po planifikon që të të mos shohim dhe për nja dy vjet në Tiranë? Apo tani që kalove verën me ne dhe sapo ke nxjerrë pesë hite të reja do e mbash prapë një këmbë këtu?
‘ZanIN’ nuk ka qenë qëllimi final i gjithë kësaj pritjeje, më besoni. Le të themi që në këtë periudhë pritjeje ka mbi akumuluar më shumë se sa thjesht për një EP, dhe koha po afrohet për gjëra shumë shumë të bukura. Bëhuni gati!/revistawho.com