Një ditë më parë këngëtari i njohur, Ermal Fejzullahu ka qenë i ftuar në programin “Pop Culture”, në intervistën e parë pas ardhjes në jetë të fëmijës së tyre të katërt. Ermali ka rrëfyer ndjesitë dhe kënaqësinë pas ardhjes në jetë të vogëlushes së tij Anës. “Është super kënaqësi si çdo prind që merr për herë të parë fëmijën. Më tepër janë gëzuar fëmijët që u ka ardhur në jetë edhe një motër. Emrin e ka zgjedhur vajza e vogël, Era. Emrin Ana e ka pëlqyer prej fillimit, e ka parë në filmat vizatimor, i ka pëlqyer një karakter me këtë emër dhe nuk donim t’ja prishnim”, tregon këngëtari. I pyetur nëse ka menduar ndonjëherë për të bërë një koncert recital Ermali përgjigjet kështu: “Unë jam gati por më duket sikur është herët. Duhet me pas një karriere më të madhe. Kur të bëhem 34 po, atëherë ja vlen me pas material të bujshëm. Unë në skenë jam tash 16 vite, kështu që ka kohë”. Ai u shpreh gjithashtu se recitali ndoshta do realizohet për 20 vjetorin e karrierës, pasi e do një eksperiencë të tillë si kujtim të veçantë të punës së tij.