Një moment që duhej të ishte një festë për një karrierë të jashtëzakonshme u kthye papritur në një debat viral në rrjetet sociale. Aktori legjendar Jim Carrey u ngjit në tapetin e kuq të edicionit të 51-të të Çmimeve César në Paris, ku u nderua me një çmim për karrierën, por pamja e tij në ceremoni ndezi menjëherë diskutime të pazakonta në internet.
Në rrjete sociale, disa përdorues spekuluan për ndryshime estetike në fytyrën e aktorit 64-vjeçar, ndërsa të tjerë shkuan edhe më larg duke përhapur teori konspirative se Carrey ishte “zëvendësuar nga një klon”. Për të qetësuar zërat, përfaqësuesi i aktorit reagoi për Daily Mail, duke konfirmuar se “aktori ishte vetë i pranishëm në ceremoni”, duke hedhur poshtë kategorikisht çdo pretendim të tillë.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Gregory Caulier, delegati i përgjithshëm i Çmimeve César, i cili e cilësoi praninë e Carrey si “plotësisht autentike “dhe një moment të veçantë për ceremoninë. Ai theksoi se “vizita e aktorit ishte planifikuar prej muajsh” dhe se Carrey kishte kaluar “rreth tetë muaj duke përgatitur fjalimin e tij në frëngjisht për këtë event prestigjioz”.
Me këtë reagim, aktori duket se i ka dhënë fund spekulimeve që qarkulluan online, duke e rikthyer vëmendjen aty ku i takon, te karriera e tij. Por a mjafton kaq për të shuar këtë valë të madhe dyshimesh në rrjet?








