Gjatë një koncerti në Meksikë, këngëtari kolumbian Maluma ndërpreu performancën e tij pasi vuri re një nënë në publik që mbante në krahë fëmijën e saj 1-vjeçar, pa asnjë mbrojtje për veshët.
Në një video të publikuar nga mediat sociale, artisti 31-vjeçar shihet duke ndaluar muzikën dhe duke iu drejtuar nënës me tone serioze:
“A mendoni se është ide e mirë që fëmija juaj 1-vjeçar të shkojë në një koncert ku decibelët janë tepër të lartë? Foshnja as nuk e di çfarë po bën këtu.”
Maluma i kërkoi asaj që në të ardhmen të kujdeset për mbrojtjen e fëmijës, duke shtuar:
“Herën tjetër, mbroji veshët e tij. Është shumë e rëndë për fëmijën. Kjo është përgjegjësia jote.”
Artisti, i cili është edhe baba i një vajze 1-vjeçare, e theksoi se nuk do ta çonte kurrë vajzën e tij në një koncert me zhurmë të tillë, veçanërisht pa pajisje mbrojtëse. Turma reagoi me duartrokitje për ndërhyrjen e tij.
Ky gjest i Malumës ka ndezur diskutime online mbi përgjegjësinë e prindërve për sigurinë e fëmijëve në mjedise me zhurmë të lartë dhe ndikimin e muzikës mbi shëndetin e tyre dëgjimor.








