Asnjë fjalë për Gërdecin. Hollivudi nuk e kishte parë të arsyeshme që në historinë e pabesueshme se si dy kalamaj u bënë të pasur, duke i shitur armë Pentagonit, të fuste edhe historinë e atij fshati të vogël me emrin Gërdec, i cili shpërtheu në flakë më 15 mars të vitit 2008 e ku mbetën të vdekur 26 persona e 300 të lënduar, shkruan “Panorama”.
“War dogs”, kështu titullohet filmi që nisi të shfaqet në Kinema “Millenium”, me regji të Todd Phillips, me skenar të Stephen Chin, Todd Phillips, Jason Smilovic, mbështetur mbi librin e gazetarit Guy Lawson “Armët dhe çunat”. Me stilin e komedisë “The Hangover”, Phillips tregon historinë e dy çunakëve hebrenj nga Majemi, David Packouz dhe Efraim Diveroli, të cilët u gjendën pa kuptuar mes një loje shumë të madhe, një trafiku armësh, që niste në Pentagon e mbyllej në vatra të nxehta luftimesh në Lindjen e Mesme në Irak apo Afganistan. Me nota ironie, me shprehje të tipit “Lufta është ekonomi”, “Paratë bëhen duke anashkaluar rregullat”, “Kujt i intereson nëse nuk thua të vërtetën”, “Kjo duket si e paligjshme”, Phillips ndërton gjithë historinë e çunave, mes armëve, drogës, luksit, aventurave të frikshme, mashtrimeve.
Duket sikur Phillips mban anën e Packouz, interpretuar nga Miles Teller, i cili kur filloi biznesin me ishshokun e klasës, Diveroli, u bënte meshkujve të pasur masazhe për 75 dollarë. Ai është i mprehtë, do të donte t’i bënte gjërat si duhej, por nuk i shpëtonte dot joshjes së parave, një apartamenti luksoz që sheh mbi qytet dhe shpejtësisë së “Jaguarit”. Ndërsa Diveroli, luajtur nga Jonah Hill, është një djalë i shëndoshë, me një të qeshur të panatyrshme, me një aftësi të shkëlqyer aktrimi, për të qenë ai që nuk është dhe në fund edhe besëprerë.
Ai nuk i dha kurrë Packouzit paratë që i takonin për punën, edhe pse si për suport moral, regjisori ia “jep” atij në një formë tjetër, si një akt “besnikërie” nga ana e trafikantit më të madh të armëve Henry Girard (Bradley Cooper), që bënte tregti me Shqipërinë. Historia mund të duket argëtuese, por sipërfaqësore. Me sa duket, qëllimi i regjisorit nuk ka qenë t’u hyjë thellë punëve, por thjesht të ironizojë me Pentagonin, për kontratat që ka lidhur me njerëz të dyshimtë.
PERSONAZHET REALË
U bë kohë, madje vite, tashmë që flitet për filmin “mbi Gërdecin”, për tragjedinë e madhe shqiptare, që implikoi në të qeverinë dhe njerëz të afërt të politikës. Deri në momentin e shfaqjes së filmit, u fol për faktin që në të do të flitej, jo vetëm për Gërdecin, por do të numëroheshin një për një të gjithë emrat e politikanëve apo fëmijëve të politikanëve, të përfshirë në këtë histori. Filmi do të bënte namin, në ekran pritej të shfaqeshin ministra apo djali i ishkryeministrit, i përfolur si palë në ujdinë e armëve. Po në fakt, në film nuk doli asnjë personazh me “sy si prej peshkaqeni”.
Në fakt, gjatë orarit të shfaqjes së premierës (15:30), kishte aq shumë njerëz, sa që punonjësja e kinemasë na kërkoi të presim sa numri i spektatorëve të arrinte në 5, përndryshe filmi nuk shfaqej. I vetmi personazh me emrin real është Ylli Pinari, i cili interpretohet nga aktori rumun Andrei Finti.
I veshur me një pallto të gjatë të zezë dhe kapele të zezë republike, rrasur pas koke, nën shoqërinë e një gjenerali të lartë shqiptar, uniforma e të cilit nuk përkonte me veshjet ushtarake të kohës kur zhvillohen ngjarjet, por më shumë me uniformat e periudhës komuniste.
Është ai që përmes një pankarte qesharake ku shkruhet “Welcome AEY” pret dy “funksionarët” amerikanë, të cilët i shoqëron në një magazinë, në një vend të humbur ku ruheshin municione të të gjitha llojeve. Kur “çunat” e pyesin si mund të sigurohej kërkesa e tyre, ai u thotë “Se Shqipëria është vendi më i armatosur në botë”. Ai nuk flet asnjë fjalë shqip, por një anglishte me theks. Ai u shpjegon se janë municione 4050 vjet të vjetra, por për ta nuk ka rëndësi, boll të punojnë. Një tjetër personazh shqiptar është Enveri. Në historinë reale, nuk ka asnjë person me këtë emër të implikuar në histori, por lehtësisht mund të gjesh ngjashmërinë mes Enverit, që mori përsipër shpaketimin dhe ripaketimin e municioneve kineze, me personin e Kosta Trebickës, i cili realisht mori përsipër të kryente këtë proces, që realisht ishte i paligjshëm. Në film, çunat u zbuluan pikërisht nga një telefonatë e Enverit që bëri në Departamentin e Mbrojtjes në SHBA, për të “raportuar një krim”, që ishte mospagesa e pagesës së caktuar në bazë të kontratës, çka kishte lënë edhe punëtorët pa rroga.
Dhe në fakt ishte pikërisht Trebicka, që do të tregonte gjithë mashtrimin për gazetarin e “Times” C. J. Chivers. Në film nuk thuhet asgjë për vdekjen e tij tragjike dhe enigmatike. Roli i Enverit luhet nga aktori rumun Gabriel Spahiu, që me gjasë mund të jetë me origjinë shqiptare.
SHQIPËRIA
Një pjesë e mirë e filmit zhvillohet në Shqipëri, që, siç thotë tregtari i armatimeve Henry Girard, është një vend komunist, i cili dëshiron të hyjë në Bashkimin Europian dhe do të donte t’i hiqte qafe municionet që i ka me shumicë që prej periudhës kur frikësohej nga sulmet e perëndimorëve. Deveroli dhe Packouz dëshironin ta shihnin vetë mallin me sy, por për këtë duhet të shkonin në Shqipëri, në një vend që as e dinin që ekzistonte. Shqipëria prezantohet me një pamje gri së larti, me një rregullsi ndërtesash e me ndonjë katedrale që kalon me shpejtësi, e pamundur të gjendet në vitin 2007 apo 2008 në Shqipërinë kaotike të demokracisë.
Rrugëtimi për Tiranë, drejt Gërdecit, shoqërohet me një këngë të viteve të komunizmit, si kolonë zanore. Bëhet fjalë për këngën “Pushka kërkon trima” (Rritu biri i nënës), me tekst të Arben Dukës, kompozuar dhe kënduar nga Tonin Tërshana, fituese e “Anketës muzikore” në vitin 1980. Kërkimi që regjisori ka bërë rreth Shqipërisë është minimal. Ai është përpjekur të krijojë një copëz Shqipërie, në periferitë e Bukureshtit apo në ndonjë skutë të Rumanisë, ku ka gjetur magazina të vjetra e ishzona industriale. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Davidi qëndron në një hotel në një rrugë të ndyrë dhe bën vrap në mëngjes nëpër ca rrugë të fëlliqura me baraka. Jo se në Tiranë nuk ka pasur e nuk ka të tilla, por për vërtetësi të fakteve, çunat kanë ndenjur në “Sheraton”, që ndodhet në një nga zonat më të bukura të kryeqytetit dhe vrapin mund ta bënte fare mirë nga Liqeni. Shqip dëgjon shumë pak, vetëm kur bëhet fjalë për ndonjë sharje nga nëna.
Madje, në një rast, kur një punëtore ankohet për zhdukjen e të shoqit, Bashkim Trebeshina, që ishte shofer i Packouz, me gjasë ajo flet rumanisht, po shqip jo se jo. Në Shqipërinë e Philips, Packouz rrëmbehet në mes të natës nga hoteli ku rrinte nga njerëz të maskuar që shajnë shqip… Të gjitha të zezat janë në Shqipëri, veçse për Gërdecin nuk flitet. Tragjedia shqiptare mbyllet vetëm me zhdukjen e shoferit Bashkim, ndërsa shpërthimi nuk përmendet asnjëherë. Me sa duket, vdekja e 26 vetave nuk është e “denjë” për CV-në e çunave./Panorama/