Torino zyrtarizoi këtë të shtunë marrëveshjen me Arlind Ajetin, qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili spikati në dy ndeshjet e fundit më kuqezinjtë në Euro 2016
Në një komunikatë për shtyp në faqen zyrtare të Torinos, pasi jepen detaje për karrierën e Ajetit, i uron mirëseardhjen 22-vjecarit drejtori sportiv i torinezëve Petrachi.
“Ajetin e ndiqnim prej muajsh. Ishte normale që për të të interesoheshin shoqëri të ndryshme. Është një qendërmbrojtës me të dhëna shumë të mira teknike dhe fizike, i aftë në markim dhe me cilësi të mira edhe në fazën sulmuese. Evropiani me Shqipërinë dhe fitorja historike me Rumaninë, konfirmuan potencialin e tij. Kemi punuar nën rrogoz, sikurse është zakoni ynë dhe jemi të lumtur që e kemi bërë pjesë të organikës së Mihajlovic.”
Në prononcimin e tij të parë se futbollist i Torinos, pasi falënderoi drejtuesit e klubit për mundësinë që po i japin, shpjegoi se nuk është menduar gjatë kur iu bë kjo ofertë:
“Torino është një klub që gjithmonë ka treguar se u beson të rinjve dhe është ky besim për të cilin unë kam nevojë. Jam i lumtur që do të nis menjëherë sezonin me shokët e rinj të skuadrës. Një përshëndetje të madhe të gjithë tifozëve të Torinos.”
Ajeti ka firmosur një kontratë 3-vjecare, me të drejtën e rinovimit për 2 sezone të aerdhshme. Mbrojtësi kuqezi do të përfitojë 500 mijë euro në sezon. /Express/








