Moderatorja e njohur Fjoralba Ponari u rikthye së fundmi në komunikim me ndjekësit e saj në Instagram, ku i ftoi të bisedonin e të ndanin pyetje me të. Siç duket, kureshtja e ndjekësve ishte e përqendruar vetëm tek një çështje: kur do ta shohim sërish në ekran?
Në një përgjigje të sinqertë, Ponari pranoi se shumë afër i ishte dashur të refuzonte një ofertë konkrete për t’u rikthyer:
“Jo më larg se para dy ditësh më është dashur që të refuzoj ofertën e fundit për t’u kthyer në ekran. Përtej konsideratës që kanë producentët për mua, përtej dashurisë që kam në publik, dhe për këtë jam pafundësisht mirënjohëse, çështja është që unë kam arritur një pjekuri psiko-emocionale që nuk më lejon të jem në ekran thjesht për hatër të të qenit në ekran. Projektet që marr përsipër, të kenë një vlerë, të jenë një vlerë e shtuar në shoqëri.”
Megjithatë, moderatorja nuk e mohoi mundësinë e rikthimit në të ardhmen, por vetëm nëse projekti do të kishte kuptim të vërtetë për të:
“Nuk them dot që në mënyrë kategorike e kam mbyllur rrugëtimin tim me televizionin, por nëse do kthehesha, do kthehesha me diçka që realisht ma mbush shpirtin.”
Kujtojmë që para rreth dy vitesh, Ponari u pa në ekran në rolin e moderatores së edicionit të parë të “Ferma VIP”, ndërsa aktualisht ajo është e angazhuar me projekte të tjera, mes tyre edhe një film dhe një nismë që e ka vendosur të mbetet për momentin sekret.








