Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Sot po ju sjellim, Politikanët në fokusin e Paparacit.
Politikanët në fokusin e Paparacit
Një tjetër tatuazh për Saimir Tahirin
Situata e nxehtë politike ne vend përcillet më së shumti tek ata që përfshihen tërësisht brenda saj. Kështu, kjo është pasqyruar edhe në një tatuazh të ngjashëm me flakët e zjarrit në këmbën e djathtë të Saimir Tahirit, zëdhënësit të Partisë Socialiste. Mesaduket Tahiri është mjaft i tërhequr nga tatuazhet pasi ky është i dyti që bën në trup, pas atij që ka në shpatull. Veç kostumit dhe gravatës që ai përdor kur është në orarin e punës, Saimirin mund ta shohim edhe kështu, në një version më trendy, me pantallona xhins treçerekëshe dhe një këmishë me mëngë të shkurtra.
Një puthje mëngjesi për Palomën
Gjithnjë kemi dëgjuar që politikanët mund të tregohen edhe ‘arrogantë’ nga këmbëngulja e gazetarëve duke i akuzuar se ndërhyjnë më shumë seç duhet, por ndodh edhe e kundërta. Teksa ishte ende në transmetim emisioni “Goodmorning Albania”, Paloma është habitur kur ka marrë një puthje nga deputeti i Partisë Demokristiane Nikollë Lesi në vend të përgjigjes për pyetjen që i kishte drejtuar. Duket se vajza aq këmbëngulëse në intervistat e saj me deputetët, ka fituar simpatinë e Lesit, i cili e ka përqafuar që në orët e para të mëngjesit duke i uruar kështu një ditë të mbarë.
Ndoka rrëfen firmën e preferuar
Kjo do të ishte pyetja e parë që do t’i lindte çdokujt teksa sheh këtë foto,protagonisti i së cilës është demokristiani Nard Ndoka. Duket sikur astari i kostumit me siguri firmato kofirmon për ministrin e Shëndetësisë cilësinë, teksa ia tregon mikut të tij koleg. Në fakt, kur sheh këtë foto s’është çudi të mendosh se Ndoka po tregon xhepin e brendshëm të një ministri, jashtë sallës së Kuvendit. Gjithsesi mund të themi se një kostum gri, nuk pengon buzëqeshjen e Ndokës. Kombinimi i kostumit me këmishën dhe kollaren ngjyrë rozë dëshmon për një zgjedhje plot shije të tij që mesa duket nuk e kursen për të këshilluar miqtë.
Ligji antiduhan nxjerr Finon jashtë
Ndodh që vetë deputetët shpesh të paragjykuar për shkelje të ligjeve apo rregulloreve të bëhen ‘prijës’ të tyre. Hyrja në fuqi e ligjit antiduhan duket se ka detyruar deputetin e Partisë Socialiste Bashkim Fino të mos konsumojë më duhan në ambientet e brëndëshme të Kuvendit, por të dalë në oborr ku sigurisht nuk mungojnë hapësirat e gjelbërta. Ka qëndruar rreth pesë minuta në vetmi, paksa i mërzitur, këtë e dëshmon edhe kjo foto, ku shfaqet i menduar. Pasi ka përfunduar cigaren, Fino është kthyer përsëri në sallë, me idenë se pas pak minutash do bëjë sërish të njëjtën gjë, vështirësi kjo që do t’i duhet ta kalojnë të gjithë deputetët duhanpirës.
Kodheli-Çaushi miq jashtë profesionit
Aktiviteti i tyre i përditshëm nuk është aspak i përbashkët por kjo nuk i pengon që në orët e pushimit ata të mund të drekojnë sëbashku. 2 ditë më parë socialistja Mimi Kodheli ka qënë e vetmja femër në një drekë mes miqsh, ku nuk mungonin gazetari Kastriot Caushi dhe aktori Petrit Malaj. Prania e një fotoreporteri kurioz të ndodhur gati-gati rastësisht në restoratin e njohur në zemër të Bllokut duket se e ka habitur paska ish-prefekten e Tiranës. Pakëz picë dhe një pjatë e lehtë supë perimesh kanë qënë përzgjedhja e Kodhelit në këtë drekë ku sigurisht dallohet qartë finesa dhe delikatesa e një politikaneje në një ditë të thjeshtë.
Ky shkrim u botua më 2 Qershor 2007