Herë gra me të brendshme, herë burra me të mbathura apo të veshur si gra, apo edhe pa to fare, thjesht me një rrotull letër higjienike në vend të gjethes së fikut… Kiço Londo di si ta tërheqë vëmendjen e publikut, që me posterin e shfaqjes, shkruan “Panorama”.
Gazmend Paja me kravatë e të mbathura, Laura Nezha e Rozi Kostani shumë sensuale, Mehdi Malkaj, me një fustan e Genc Fuga, që i kanë “zënë derën” gjithë këta, njoftojnë se shumë shpejt në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të ngjitet në skenë vepra “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, me regji të Kiço Londos, Ina Morinajt, Ledian Gjeçit.
Vepra mban firmën e Joe Orton, i cili fatkeqësisht pati një jetë shumë të shkurtër, pasi mbeti i vrarë në moshën 34-vjeçare nga i dashuri. Gjatë karrierës së tij të shkurtër ai tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikës me komeditë e tij të zeza, “skandaloze”, të cilat s’kishte guxuar t’i shkruante kush më parë.
E tillë do të jetë edhe vepra që ngjitet në skenë, e cila tenton të thotë ca gjëra në lidhje me seksualitetin dhe shëndetin mendor, lidhjen mes këtyre të dyjave dhe trajtimin mjekësor.
Vënë në skenë për herë të parë më 5 mars 1969, një vit e gjysmë pas vdekjes së autorit, “Çfarë pa kryeshërbëtorja” është një hulumtim komik mbi sjelljen njerëzore dhe manifestimin e tij fizik.
“Kjo parodi e farsës hedh vështrimin mbi autoritetin, në veçanti atë të psikiatërve. Ortoni e ngre çështjen ndaj të gjithë sistemit, duke e turbulluar vijën ndarëse midis mirëqenies mendore dhe çmendurisë, duke vënë në pikëpyetje metodat e kurimit psikik dhe duke minuar autoritetin e psikiatrit.
Titulli “Çfarë pa kryeshërbëtorja” ka lidhje me aktin e marrjes së kënaqësisë nga vëzhgimi në fshehtësi i situatave intime apo erotike të personave të tjerë, duke lajmëruar vendosjen e spektatorëve në pozitën e vëzhguesve të fshehtë erotikë.
“Çfarë pa kryeshërbëtorja” eksploron gjerësisht seksualitetin dhe identitetin seksual”, shprehen realizuesit e shfaqjes. Sipas bashkëregjisorëve “Bota e veprës është një makth i vërtetë frojdian i çlirimit të shtypjes seksuale.
Ortoni e përdor seksin si armë dhe dëshira e tij është të tronditë dhe të zemërojë publikun. Tronditje, neveri, të qeshura, të gjitha përzihen për të krijuar një pjesë teatrale, e cila, duke sjellë argëtim dhe ndriçim të mendjes, konsiderohet sot si vepër klasike bashkëkohore”. Vepra do të ketë premierën më 11 shkurt në skenën e Teatrit Eksperimental./ Panorama