Janë bërë plot 20 vjet që nga koha kur nisi sportin për herë të parë, dy dekada që për të kanë regjistruar shumë medalje; ari, bronzi e argjendi. Por nuk ishin ata që e lumturonin më shumë ish-peshëngritësen Fetie Kasaj. Më shumë se aq, ishte valëvitja e flamurit, duatrokitjet e publikut dhe emri “Albania” që dëgjohej gjithandej kur ajo nderohej në podium. “Po vdes nga dëshira për t’u rikthyer…” – thotë kampionia pas disa viteve kur e ka lënë sportin. Sot, është shefe policie, por do të bënte gjithҫka për t’u rikthyer. I ndjek gjithmonë kolegët e saj në ҫdo garë ndërkombëtare dhe e di se si ndihen e ҫfarë përjetojnë ata nga ato podiume, i njeh mirë dridhjet dhe emocionet e tyre, jeton pothuaj të njëjtat, ha thonjtë sa herë ata luftojnë për një medalje më shumë… Por e di që është një kohë e shkuar tashmë. Medaljeve të renditura në dollap, tanimë i gëzohet djali i saj Rohan, i cili, ndoshta ende nuk e kupton se sa vlerë kanë, por ka dëshirë t’ua tregojë ato shokëve në shkollë…
Në një fazë të re të jetës, ish-kampionia e peshëngritjes Fetie Kasaj, ka rrëfyer më shumë për jetën jashtë sportit në studion e “Pasdite në Top Channel”, si dhe për divorcin me bashkëshortin, një prej periudhave më të këqija të jetës, sidomos për Rohanin, të birin: “Ka qenë një periudhë e vështirë për mua dhe Rohanin, por jam munduar që t’ia shpjegoj tim biri se i ati e do shumë. I them se babi është larg, por të do shumë dhe do vijë… Këtë gjë bëjnë edhe prindërit e mi. Është një pjesë që ai do ta kuptojë vetë kur të rritet….” – tregon Fetia duke shtuar se gjithmonë ka dashur që në sytë e të birit, nëse jo fizikisht, i ati të jetë i pranishëm me forma të tjera: “Unë mundohem t’i rri larg dhe im bir nuk ka asnjë kontakt me të… Por sa herë ka ditëlindje e festa, i dërgoj dhurata dhe i them këto i ke nga babi, në mënyrë që ai të mos e ndiejë mungesën…”
Jeta si nënë e vetme, siҫ mund të kuptohet, nuk ka qenë e thjeshtë për Fetien, por edhe gjatë këtyre viteve të vështira, i biri i ka falur një lumturi të jashtëzakonshme: “Rohan ka shumë dëshirë të mbajë një medalje që kam marrë si kampione bote në Kore. Atë e ka fiksim, sepse ajo ka një dragua. Aty është edhe fotografia ime. E ka fiksim ta marrë edhe në shkollë. Ndoshta e di që është e rëndësishme. Nuk i ka shumë qejf medaljet e tjera të arit, që janë edhe më të mëdha, por vetëm atë…” – tregon Fetia për dëshirën e madhe të të birit që medaljet e së ëmës t’ua tregojë edhe shokëve në shkollë.
Nëse Rohan, një ditë do të jetë peshëngritës, Fetia nuk do ta impononte, përkundrazi, por sot mendon se ai nuk e ka fizikun e një shtangisti. Ai ka dëshirë të bëhet doktor, basketbollist ose futbollist. Me sportin, me siguri, do të jetë gjithmonë i lidhur. Të paktën, aq sa mamit t’i nxjerrë mallin e pothuaj dy dekadave me medalje./revistaclass