Në Shqipëri programet e suksesshme televizive, numërohen me gishta. Megjithatë duhet pranuar se kemi realizime shumë cilësore që mbajnë prej vitesh teleshikuesin mbërthyer pas ekranit. Me të drejtë, ne i identifikojmë këto programe me imazhet e drejtuesve të tyre, që i shohim në televizor. Por jo të gjithë e dinë, se thuajse pas secilit emision të suksesshëm, fshihet një njeri i mençur e profesionist që punon për të. Kemi thënë gjithnjë “Big Brother”-i i Arbanës, ndërkohë që ai që ka drejtuar gjithçka deri në detaje, ka qenë një autor që përballë kamerës nuk del kurrë. Më poshtë ne po iu prezantojmë me një listë profesionistësh, pa të cilët ndoshta televizoni shqiptar fjalën sukses, nuk do ta kishte prekur dot deri në këto nivele.
Rezart Aga – “MasterChef”, “Big Brother”, “The Voice”, “Në 1 javë”
Autor i spektakleve më të rëndësishme në “Top Channel”, aktualisht drejtor i prodhimeve radio-televizive në “RTSH”. Rezi prej vitesh ka drejtuar formate patentash të famshme ndërkombëtare, duke qëndruar në krye të gjithçkaje. Ai ka qenë autor i disa edicioneve shumë të suksesshme të “Big Brother”, “The Voice of Albania”, “Ti vlen”, “MasterChef” e së fundmi edhe në show-n “Në 1 javë”.
Zefina Hasani – “Dancing With The Stars”, “Big Brother”, “The Voice”
Gazetarja e njohur e medias së shkruar, Zefina Hasani, e pati shumë të suksesshëm kalimin nga gazeta e revista në televizion. Përpos përvojave si skenariste në spektaklin e fundvitit në “RTSH”, Hasani shkroi skenarin e “Dancing With The Stars” në dy edicione dhe më tej u bë autore e formateve të njohura si “Big Brother” dhe “The Voice” ku korri sërish sukses.
Desada Metaj – “Opinion”
Të arrish të qëndrosh në majat e audiencës, pa u konsumuar, ndonëse ke gati dy dekada në ekran, është rast i rrallë. “Opinion” është ky rast. Katër herë në javë, Blendi Fevziu vit pas viti ndiqet rregullisht nga publiku shqiptar me të njëjtin interes. Sigurisht që vetë Blendi është ideator e drejtues i këtij formati. Por koha ka treguar se pa bashkëpunëtoren e tij të ngushtë Desada Metaj, ai nuk bën dot. Dikur gazetare e terrenit, Metaj është sot kryeredaktore e “Opinion”, por jo pak herë tundohet të bëjë edhe intervistat në program.
Bledar Linza – “Dancing With The Stars”, “Tu Si Que Vales”, “Blind Taste”
Bledar Linza, është prej disa vitesh pjesë e ekipit të ngushtë të producentes Holta Dulaku, si regjisor në të gjitha produksionet që ajo ka ndërmarrë në 5 vitet e fundit. Ai qëndron që prej edicionit të tretë në regjinë e spektaklit shumë të suksesshëm “Dancing With The Stars” dhe gjithashtu në të dy edicionet e spektaklit që zbulon talente të jashtëzakonshëm “Tu Si Que Vales”. Linza është gjithashtu drejtor prodhimi në “Tring” dhe kujdeset për prodhimin e të gjithë programeve, duke përfshirë këtu edhe programin e suksesshëm të gatimit “Blind Taste”, ku ai është autor.
Bieta Sulo – “Top Show”
Partneren e bukur të Alban Dudushit ne para pak kohësh e kemi parë në “Top Show” të ulur në kolltukun e opinionistes. Por e vërteta është se Bieta Sulo prej vitesh është kryeredaktorja e këtij programi të suksesshëm të “Top Channel”. Ajo qëndron në krye të gjithçkaje dhe kontrollon çdo gjë. Aq i ngushtë ishte bashkëpunimi i saj me drejtuesin Dudushi, sa lindi një dashuri e bukur e tanimë të dy janë të pandashëm.
Leonard Boduri – “Disko Lajme”
Ndoshta nuk ju ka rastisur deri më tani ta dëgjoni këtë emër, që shfaqet vetëm në titra. Por me siguri çdokush prej jush e ka ndjekur të paktën një herë, programin më të bukur të “ABC Neës”, “Disko Lajme”. E teksa e sheh, të duket e vështirë të mendosh që një emision kaq aktual, shoqëruar me ironinë e hollë e batutat epike, të bëhet nga duart e një njeriu të vetëm. Ai quhet Leonard Boduri, dhe siç kemi mësuar direkt nga titrat pas programit, ideja dhe realizimi i “Disko Lajme” janë të tijat. Ndoshta një sy i vëmendshëm, edhe e ka fiksuar Leonardin në daljen e tij të vetme në ekran shumë vite më parë. Kujtojmë se ai ka qenë protagonisti i reklamës së parë të “Digitalb”, djali me kollare që bën “gol” me një kanaçe në trotuar. Boduri është gjithashtu pedagog në një universitet privat.
Erblin Jaku – “Pasdite në Top Channel”
Erblini është një djalë i ri që e ka nisur si gazetar e sot ka rolin e kryeredaktorit të programit të përditshëm të Jonida Shehut. E nëse ka një punë të vështirë në televizion, është pikërisht realizimi me sukses i një programi që jepet përditë, që i duhen gjetur tema përditë, ku duhen marrë disa të ftuar përditë, ku do ndjekur zhvillimi i çdo pune, xhirimet, insertet, oraret, etj, që të dalë gjithçka në rregull e për më tepër bukur, në ekran. Një pjesë të mirë të këtyre i bën Erblini.
Aldon Lipe, Iv Tase, Dorina Topollaj – “E diela shqiptare”, “Kënga Magjike”
Prej vitesh bashkëpunëtorë të ngushtë të Ardit Gjebreas, Aldon Lipe dhe Iv Tase vazhdojnë të “fshihen” në pultin e regjisë. Duhet pranuar se emisioni i Gjebreas klasifikohet si një nga programet më të ndjekura në ekran, e çdo gjë që ne shohim, e kemi “dhuratë” nga stafi që punon për realizimin e këtij programi gjashtë orë, duke përfshirë gazetarë e regjisorë dhe kryeredaktoren e spektaklit Dorina Topollaj, e cila bën një punë të palodhur. Lipe, Tase dhe Dalina Buzi janë njerëzit që ndërtojnë bashkë me Gjebrean strukturën e “Kënga Magjike” për të disatin vit.
Ledio Topalli – “Zonë e Lirë”
“Ledio të lutem” është ndoshta fjalia që është thënë më shumë në programin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit dhe emri i tij është padiskutim më i lakuari. Ledio Topalli, është prej 10 vitesh bashkëpunëtori më i ngushtë i autorit dhe moderatorit të programit ‘hit’ “Zonë e Lirë”. Portreti i tij nuk është zbuluar kurrë, madje edhe lajmi i martesës është shoqëruar me foto të makinës.
Matilda Terpollari – “My Living”
Matilda Terpollari, gazetarja e cikleve shumë të suksesshme të dokumentarëve në “Vizion Plus” e “Tring” është prej një viti autore e programit të dashur “My Living” që vjen çdo javë në ekranin e “Vizion Plus”. Një rrugëtim në lifestyle-in shqiptar, që Matilda me përzgjedhjet e saj e bën edhe më të bukur.